2007-04-25 17:26:12

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI foli për risinë teologjike të Origjenit aleksandrin dhe bëri thirrje për më shumë vëmendje e siguri në rrugë.


(25.04.2007 RV)RealAudioMP3 Origjeni aleksandrin, të cilit Papa i kushtoi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme – është një nga figurat më të shquara të mendimit të krishterë. Falë studimeve e prodhimtarisë së tij të jashtzakonshme – 320 libra e 310 homeli, sipas Shën Jeronimit – mendimi i krishterë bëri një kthesë të paprapsueshme. Benedikti XVI foli me admirim të thellë për gjenialitetin e këtij themeluesi të kërkimit shkencor teologjik. Ai qe një mjeshtër i vërtetë – tha Papa – që solli atë të re, e cila u bë mësim për të gjithë doktorët e ardhshëm të Kishës, duke shënuar një kthesë të vërtetë në studimin e teologjisë. Po ku qëndron kjo kthesë?
Ajo, në thelb, përkon me themelimin e teologjisë për shpjegimin e Shkrimit Shenjt. Për Origjenin të bësh teologji, do të thoshte kryesisht ta shpjegosh, ta bësh të kuptueshëm Shkrimin Shenjt. Mund të themi se teologjia e tij është simbiozë ndërmjet teologjisë e ekzegjezës. Në të vërtetë, vetë sigla e doktrinës origjeniane s’është tjetër, veçse ftesë e vazhdueshme për të kaluar nga fjalët, në shpirtin e Shkrimit Shenjt e për të përparuar kështu në njohjen e Zotit”.
Origjeni, biblist në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, shkriu në studimin e teksteve të shenjta gjithë përgatitjen e tij filozofike, ekzegjetike e filologjike. Është ai që e ndau tekstin biblik në gjashtë kolona sinoptike, duke vënë pranë e pranë fragmenteve në gjuhën hebraike edhe përkthimet më të njohura në gjuhën greke. Një risi e tillë hapi rrugën për leximin e trefishtë të Biblës, gjë që krijoi mundësinë për të hyrë në thellësi të fjalëve të Shkrimit Shenjt, fjalë që kanë shumë përmasa - tha Papa- e së pari:
“Kanë një kuptim të mirëfilltë, por kuptimi i mirëfilltë fsheh thellësi në të cilat nuk mund të depërtosh që në çastin e parë. Përmasa e dytë është kuptimi moral, që na shtyn të pyesim vetveten ç’duhet të bëjmë për ta jetuar Fjalën e Zotit e, së fundi, përmasa e tretë – është kuptimi shpirtëror, dmth uniteti i Shkrimit Shenjt, i cili në tërësinë e vet na flet për Krishtin. Eshtë Shpirti Shenjt ai që na ndihmon ta kuptojmë përmbajtjen kristologjike e kështu, unitetin e Shkrimit Shenjt në gjithë larminë e vet”.
Edhe teologu Jozef Racinger është ulur në bankën e shkollës së Origjenit, ose më mirë të themi, e ka studiuar leximin e tij shumdimensional të Biblës që, në këtë mënyrë – siç e theksoi vetë – të ndihmon në leximin e krishterë të Besëlidhjes së Vjetër, pa e shkëputur nga Besëlidhja e Re.
Më pas, gati-gati si t’u besonte një të fshehtë, Benedikti XVI u tha besimtarëve:
“Do të ishte interesante të tregohej, e unë jam përpjekur ta bëj këtë në librin tim “Jezusi i Nazaretit”, në situatën e sotme ky shumdimensionalitet i Fjalëve të Shkrimit Shenjt, i cili duhet respektuar së pari në kuptimin historik. Por ky kuptim na larton drejt Krishtit, në dritën e Shpirtit Shenjt e na flet si për jetën ashtu edhe për mënyrën sesi duhet ta jetojmë.”
Ja pra, pse ka kaq shumë rëndësi për mendimin filozofik të krishterë ky mësues i madh i fesë:
“Ai na kujton, me pasion të thellë, se në leximin orant të Shkrimit Shenjt e në impenjimin koherent për ta jetuar, Kisha rinohet vazhdimisht. Fjala e Zotit, që nuk plaket kurrë, as kurrë s’shterron, është mjet i zgjedhur për këtë risim. E është pikërisht Fjala e Zotit që, për virtyt të Shpirtit Shenjt, na prin vazhdimisht drejt së vërtetës së plotë. T’i lutemi Zotit të na japë sot mendimtarë, teologë e ekzegjetë që e gjejnë këtë shumdimensionalitet, këtë aktualitet të vazhdueshëm të Shkrimit Shenjt, këtë risi të tij në kohët tona. Ta lusim Zotin të na ndihmojë ta lexojmë Shkrimin Shenjt si uratë e të ushqehemi kështu me bukën e jetës, me Fjalën e Tij”.
Në përfundim të audiencës Benedikti XVI përshëndeti posaçërisht rreth dymijë shtegtarë të ardhur në Romë nga Triveneto me rastin e vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve të tyre.
Në ditën e festës së Shën Markut, Pajtor i Venedikut, Papa i ftoi t’i ruajnë besnikërisht traditat e tyre të pasura kristiane që – theksoi Ati i Shenjtë – kanë frymëzuar dhe kanë bërë realitet vepra të mëdha bamirësie.
Më pas Benedikti XVI u dha zemër të rinjve të ecin në rrugën e mësimeve të Ungjillit e të mos ngurrojnë t’i kushtohen plotësisht Zotit, duke i treguar botës se edhe sot ia vlen t’ia dhurosh gjithë vetveten Jezusit e të afërmit në jetën meshtarake e rregulltare. Së fundi, duke u bashkuar simbolikisht me fushatën sensibilizuese të Kombeve të Bashkuara, që ia kushtuan javën e kaluar temës së sigurisë rrugore, Benedikti XVI bëri këtë thirrje:
 “U drejtoj një fjalë inkurajuese Institucioneve publike që punojnë për mirëmbajtjen e rrugëve e për shpëtimin e jetëve njerëzore me mjete të përshtatshme si dhe të gjithë atyre që i kushtojnë vëmendje kërkimit të teknologjive e strategjive të reja për kufizimin e aksidenteve të shumta nëpër rrugët e mbarë botës. E ndërsa ju ftoj të luteni për viktimat, për të plagosurit e për familjet e tyre, uroj që automobilistët, e posaçërisht të rinjtë, të kenë më shumë kujdes për të afërmin e më shumë respekt për rregulloren rrugore”.







All the contents on this site are copyrighted ©.