2007-04-24 17:38:12

Vdiq ish-presidenti rus Boris Jelcin. Salikimet nesër në Moskë.


(24.04.2007 RV)Salikimet e ish-presidentit rus, Boris Jelcin, që vdiq dje, do të kremtohen nesër në katedralen e Krishtit Shëlbues në Moskë. Udhëheqësi i parë i Kremlinit i epokës pas-sovjetike do të varroset pastaj në varrezën monumentale moskovite të Novadjevici, pranë një manastiri të lashtë ortodoks.
Lajmi për vdekjen e Boris Jelcin mbërriti dje, fare papritur, ashtu siç kanë qenë të papritura shumë prej ngjarjeve të jetës së tij dhe të veprimtarisë së tij politike. Në një komunikatë zyrtare të Kremlinit flitet për infarkt kardiak. E dihet prej kohësh se Jelcin vuante nga zemra.
I pari që foli për ish-udhëheqësin e vdekur, ishte ish-udhëheqësi i gjallë, Gorbaçovi, i cili theksoi se Jelcin ka bërë sa vepra të mëdha në të mirë të vendit, aq edhe gabime të mëdha; në dëm të vetes e të vendit. Figurë kontradiktore, Jelcin ishte i pari që e kuptoi sesa e parealizueshme është ëndrra e reformimit të sistemit sovjetik që ëndërronte Gorbaçovi, që ëndërrojnë edhe sot e kësaj dite liderët e markës së vjetër e që bie erë gjak qelish të KGB-së.
E ishin pikërisht shefat e KGB-së që organizuan grushtin e shtetit për t’i hapur rrugën e pushtetit Jelcinit, rrugë në të cilën nuk do të mungonin tanket në mbrojtje të tij e kundër tij, në rrugët e Moskës e në shtigjet e thepisura të Çeçenisë (dhjetor 1994).
Jelcin i dha goditjen e fundit Bashkimit Sovjetik më 8 dhjetor 1991, me paktet e nënshkruara në lokalitetin bjellorus të Beloveshkaia Pushas. Në dhjetor, flamuri i kuq u hoq nga Kremlini për t´u zëvendësuar nga flamuri me ngjyrat bardh, blu e kuq të asaj që u quajt Rusia e re, demokratike dhe liberale. Por sa përkonin këto fjalë me realitetin? Në vitin 1993 pasojat sociale të zëvendësimit të ekonominë sovjetike me tregun e lirë u bënë shumë të rënda dhe “cari Boris”, nuk ngurroi ta shtypte me forcë kryengritjen. Në vitin 1993 u zhvlerësua rubla me tërheqjen brenda tre ditësh të kartmonedhës me stampë sovjetike dhe ngrirjen e llogarive bankare të qytetarëve. E gjithë kjo ndodhi nësa fushata e privatizimeve e ideuar nga krahu i djathtë i tij, Anatoli Ciubais, i dorëzonte një klase të re gjysmë-kriminale ruse pasuritë e vendit, fenomen shumë i njohur jo vetëm në Rusinë jelciniane. Me Jelcinin lindën oligarkët, mafia ruse dhe problemet rënda ekonomike e sociale, ndërsa në planin ndërkombëtar, zëri i Moskës vijonte të dëgjohej gjithnjë më pak. Jelcin, që në dhjetor të vitit 1999 u largua me vullnet të lirë nga posti i presidentit, do të mbetet në historinë ruse si atë i një demokracie që i ngjiste më shumë anarkisë e që i la trashëgim vendit presidentin aktual Vladimir Putin.







All the contents on this site are copyrighted ©.