2007-04-24 17:39:02

Mesazhi Papnor i Ditës botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare: meshtarët e lidhur ngusht me Eukaristinë janë shenjë bashkimi në Kishë.


(24.04.2007 RV)Vetëdija se thirrja për ta ndjekur Zotin lind brënda një bashkësie të lidhur ngusht me Eukaristinë dhe nevoja për t’i edukuar meshtarët e ardhshëm me frymën e bashkimit të vërtetë kishtar janë dy problemet kryesore që thekson Benedikti XVI në Mesazhin për Ditën e 44-t botërore të lutjes për thirrjet meshtarake e rregulltare, që Kisha do ta kremtojë të dielën e ardhshme.
Në Bibël, ndërmjet tjerash, është një episod i cili ta ngulit përgjithnjë në kujtesë idenë e thirrjes për rrugën e meshtarisë. Është fjala për episodin që na tregon sesi Zoti e thërret vazhdimisht djaloshin Samuel, i cili arrin ta kuptojë vullnetin hyjnor vetëm me ndihmën e Elisë. Dëgjim, gatishmëri, lutje nga ana e atij që merr thirrjen, por edhe këshillim e shoqërim nga ana e atyre që duhet ta ruajnë e ta fuqizojnë këtë thirrje: këto janë cilësitë themelore për lulëzimin dhe zhvillimin e një thirrje meshtarake ose rregulltare. Prandaj, për promovimin e thirrjeve meshtarake e rregulltare – shkruan Benedikti XVI në Mesazh - është e rëndësishme që veprimtaria baritore t’i kushtojë vëmendje të dorës së parë Kishës si bashkim, sepse kush jeton në një bashkësi kishtare ku mbretëron harmonia, ku secili e njeh pergjegjësinë e vet dhe e kryen me kujdes detyrën që i është ngarkuar, e ka më të lehtë ta dëgjojë thirrjen e Zotit. Kujdesi për thirrjet meshtarake kërkon edhe edukim të përhershëm për ta dëgjuar zërin e Zotit. Papa kujton se vitin e kaluar nguli këmbë në këtë aspekt në fillim të ciklit të ri të katekizmit të së mërkurës, kushtuar lidhjes ndërmjet Krishtit e Kishës. Ashtu si në Besëlidhjen e Vjetër – tek episodi i Samuelit, e jo më pak i Moisiut, edhe në Besëlidhjen e Re thirrja për ta ndjekur Zotin i vjen veçanërisht secilit, me synimin për të bashkëpunuar në mënyrë më të drejtpëdrejtë me Hyjin në realizimin e planit të tij shëlbues. Në këndvështrimin baritor – vijon Papa – Koncili II i Vatikanit dhe dokumentat e mëpasme papnore, vënë theksin tek edukimi i meshtarëve të ardhshëm me frymën e bashkimit të vërtetë kishtar, e kjo, sepse është e domosdoshme që në gjirin e popullit të krishterë çdo shërbim e karizëm t’i shërbejë bashkimit të plotë. I njëjti impenjim ka vlerë edhe për rregulltarët e shekullarët, që dallohen sipas shërbimeve të tyre, por duke qenë gjithnjë të bashkuar rreth Eukaristisë, që është burim e kulm i jetës së Kishës.Duke përfunduar reflektimin me një mendim për Zojën e Bekuar, gjithnjë e gatshme për të qenë shërbëtorja e Hyjit, Benedikti XVI iu lut të ndërmjetësojë që në gjirin e popullit të Zotit të mos mungojnë kurrë shërbëtorët e gëzimit hyjnor, meshtarët që, në bashkim me ipeshkvjtë e tyre, të kumtojnë besnikërisht Ungjillin e të kremtojnë Sakramentet, të kujdesen për popullin e Zotit e të jenë gati të ungjillëzojnë mbarë njerëzimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.