Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Gjergjin Martir.
(23.04.2007 RV)Është një nga shenjtorët
më të njohur, simbol i triumfit mbi të keqen dhe kasnec i pranverës. Shën Gjergji
lindi në Kapadokie, ku edhe u bë oficer i ushtrisë romake. I kthyer në fenë e krishterë
nga e ëma, hoqi dorë nga ky rang. Gjatë shpërthimit të martirizimit kundër të krishterëve,
u burgos dhe u martirizua. I përballoi me një heroizëm të pashoq të gjitha torturat
e edhe vdekjen, në emër të Krishtit. Kulti i tij, shumë i lashtë, nisi të përhapej
së pari në Palestinë. Figura e Shën Gjergjit u lidh me gojëdhënën e famshme të fitores
mbi dragoin, e cila në përfytyrimin popullor simbolizonte fitoren e kristianizmit
mbi dhunën çnjerëzore të së keqes. Prandaj në ikonografi paraqitet gjithnjë si kalorës
kreshnik që ndeshet dhe mund draguan. Devocioni ndaj Shenjtit u rrit e u përhap
gjithnjë më tepër në rrjedhë shekujsh. Në mesjetë, kalorësit e zgjodhën Pajtor. Pas
tyre u zgjodh edhe Pajtor i mbretërve të Anglisë, duke nisur nga Rikard Zemërluani.
Mbetet dhe sot e kësaj dite Pajtor i shtëpisë mbretërore angleze e trojeve të saj.
Shën Gjergji është shenjt tepër i njohur edhe në Shqipëri. Devocioni i tij ka
përshkuar shekujt, duke u lidhur me zakone shumë të bukura të ardhjes së pranverës,
siç është zakoni i varjes së gemave të blertë, simbol i ringjalljes së natyrës, në
dyert e jashtme e të brëndshme të shtëpive. Këto doke simbolike, prekëse të festës
së Shenjtit i përshkruan shkrimtari i madh, Ernest Koliqi, në poezinë e njohur “Ditë
Shëngjergjash”. Në Shqipëri ndeshet dendur edhe toponimi ‘Shën Gjergj’, që dëshmon
për ekzistencën e Kishave e kuvendeve të lashta kushtuar Shenjtit në Veri e në Jug:
mjafton të kujtojmë Shën Gjergjin e Tiranës e atë të Vlorës, ku i fundit i njohur
edhe në botë për bukuritë e natyrës; e sidomos Kishën e re të Shën Gjergjit në Nënshat
të dioqezës së Sapës, që dëshmon për përtëritjen e traditave të lashta në kohë të
reja.Së fundi theksojmë se emri Gjergj është shumë i përhapur ndër shqiptarë në trajtat
Gjergj, Gjergjush, Gjush, Xhorxh, Gjorg për burrat e Gjorgjina për gratë. E mjafton
të kujtojmë se dy nga burrat më të shquar të trojeve shqiptare, mbajnë emrin e Shenjtit:
Gjergj Kastrioti e Gjergj Fishta.