2007-04-23 17:37:07

Në Vatikan, seminar për ndryshimet klimatike më 26 e 27 prill.


(23.04.2007 RV)Pas Raportit alarmues të Kombeve të Bashkuara për mbingrohjen tokësore, Vatikani njoftoi sot se më 26 dhe 27 prill, në Pallatin romak të Shën Kalistit, do të organizohet një seminar ndërkombëtar me temë: “Ndryshimet klimatike dhe zhvillimi”. Organizator është Këshilli Papnor i Drejtësisë dhe i Paqes. Takimi do të ketë pesë sesione, gjatë të cilave do të referojnë, ndërmjet të tjerëve, ambasadori francez për ambientin, Laurent Stafanini; fizikani italian Antonio Xikiki, ministri britanik për ambientin, ushqimin e bujqësinë, David Miliband; drejtori i Qendrës amerikane të studimeve mbi anhidridin karbonik dhe ndryshimet globale, Kraig Idso e personalitete të tjera të njohura të botës, që merren me probleme të kësaj natyre. Do të flasin edhe përfaqësues të qeverisë argjentine e polake, ipeshkvij nga Gjermania, Anglia e Australia si dhe një përfaqësues i Këshillit Botëror të Kishave.Punimet e seminarit, që do të hapen e do të mbyllen nga kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes, kardinali Renato Rafaele Martino, do të mbahen me dyer të mbyllura.







All the contents on this site are copyrighted ©.