(23.04.2007 RV)“Larmia kulturore”
është tema e Ditës së 12-të botërore të librit dhe të të drejtave të autorit, organizuar
nga UNESKO. Ky përkujtim është rast i përshtatshëm për të reflektuar mbi botën e
leximit: synon të luftojë analfabetizmin dhe t’i japë një shtytje të re integrimit
kulturor ndërmjet popujve. Ju ftojmë të ndiqni komentin e Gjovani Puljisit,
kryetar i Komitetit të UNESKO-s për Italinë, në mikrofonin e Radios sonë: Përgjigje:
- Rreth librit sillet gjithë kujtesa e botës, sepse është pikërisht libri ai që
ruan inteligjencën e njeriut, për t’ia besuar pasardhësve, breznive të reja. Kujtojmë
se libri është çasti kur inteligjenca bëhet realitet dhe të panjohurat e kulturës,
bëhen të dukshme. Pyetje: - Sivjet tema i kushtohet larmisë kulturore, duke
vënë theksin mbi integrimin. Pse? Përgjigje: - Takimi ndërmjet qytetërimeve
dhe popujve sot shpallet me terma tepër retorike. Por, për fat të keq, dramat që jetojmë
çdo ditë tregojnë se mbetet ende shumë rrugë për të bërë. Shkëmbimi i librave, njohja
e popujve dhe e kulturave përmes librit, mund të ndihmojë shumë për këtë integrim. Pyetje:
- Ju po flisni për alfabetizimin, por më duket se në shumë vende të botës është
ende tepër e vështirë të gjesh një libër…. Përgjigje: - Problemi i luftës
kundër analfabetizmit është tepër serioz në botë. Raporti i UNESKO-s dëshmon se shumica
e botës është larg përdorimit të mjeteve moderne të shkëmbimit kulturor, siç janë
mjetet digjitale. Uroj që ditë si kjo t’i frymëzojnë qeveritë e të gjitha vendeve
të botës ta konsiderojnë më të rëndësishme shpenzimin e një euro-je, të një dollari,
një rupje, një jeni, një ruble, një leku për një libër, sesa për një pushkë a për
një fishek. Pyetje: - Pse të krijohet përshtypja se në vendet e industrializuara
intresimi i të rinjve për librin lë shumë për të dëshiruar? Përgjigje: - Nuk
është faji i tyre për mënyrën sesi e perceptojnë librin; fajin e kanë më pak të rinjtë,
më të mëdhenjtë, që nuk kanë arritur ta kuptojnë rëndësinë e librit e që nuk janë
në gjendje ta njohin vlerën, domethënien e rolin që luan ai në formimin e të rinjve. Pyetje:
- Ç’vend mund të zërë libri në shoqërinë e televizionit, të kinemasë e të internetit? Përgjigje:
-Sot përmasa multimediale është përmasë kapilare, depërtuese, pjesë përbërëse
e jetës të të gjithëve; por kultura që merret përmes internetit, është kulturë e cektë,
e sipërfaqshme. Nocionet, dijet që marrim përmes internetit natyrisht të nxisin për
të bërë hapin e parë por, në se dëshiron t’i thellosh, t’i rrënjosësh këto nocione,
këto dije, këtë kulturë, duhet pa tjetër të vraposh te libri!