2007-04-22 18:22:08

Thirrja e Papës botës së kulturës: feja e shkenca duhet të takohen në rrugë të dialogut


(22.04.2007 RV)Para se të kremtonte lutjet mbrëmësore në bazilikën e Shën Pjetrit e pas drekës vëllazërore me prelatët e Pavisë, duke nisur nga ora 16. 15, Benedikti XVI u takua me botën e kulturës, në oborrin Terezian të universitetit të Pavisë.
Kujtoi, në fillim, traditën e lashtë të këtij Universiteti, prej nga kanë dalë shumë personalitete të shquara. Prej tyre Papa kujtoi Aleksandër Voltën (fizikan i shquar; që nga viti 1778 drejtonte katedrën e fizikës esperimentale në universitetin e Pavisë); Kamilo Golgjin (Çmim Nobel 1906 për mjekësinë) e Karlo Forlaninin (i pari mjek i sëmundjeve të gjoksit që më 1888 zbatoi me sukses të plotë pneumatoraksin artificial), si dhe një sërë personalitetesh kishtare, nga të cilët papë e shenjtorë.
Më pas preku disa nga temat më të mprehta të jetës universitare, duke nisur nga vetë përkufizimi i universitetit:
“Ai, në të vërtetë, është pikërisht një universitas – dmth një bashkësi e profesorëve dhe e studentëve që kërkojnë të vërtetën dhe përpiqen të fitojnë aftësi të larta kulturore e profesionale”.
Gjatë fjalimit, Papa vuri theksin mbi tri detyrat kryesore, që duhet t’i ketë në qendër të vëmendjes bota e kulturës: së pari – ripohoi se duhet vënë në qendër të çdo veprimtarie njeriu e se duhen vlerësuar shumë dialogu dhe marrëdhëniet ndërpersonale, për të shmangur rrezikun e copëzimit specialistik të disiplinave dhe për t’i rikthyer dijes karakterin unitar. Së dyti, theksoi se kërkimi shkencor nuk duhet të harrojë kurrë se njeriu pret nga shkenca që ta mësojë si të jetojë. E, së treti, kujtoi se vetëm duke vlerësuar njeriun dhe marrëdhëniet ndërpersonale, lidhja didaktike mund të fitojnë vlerë edukative.
Më pas Shenjtëria e Tij foli për kontributin e rëndësishëm të Kishës paveze dhe të kolegjeve universitare me frymë të krishterë në fushën e kulturës, duke kujtuar posaçërisht Kolegjin Borromeu dhe Atë të Shën Katarinës së Sienës.
Pastaj Ati i Shenjtë u ndal përsëri tek figura madhore e Shën Agostinit, jeta e të cilit dëshmon ndërveprimin e frytshëm ndërmjet fesë e kulturës. Pas shumë kërkimesh, falë takimit me fenë e Krishtit, Shenjti gjeti Zotin Dashuri, kuptimin e vetëm e të vërtetë të jetës njerëzore, të historisë e të mbarë universit. E në të njëjtën kohë, dashuria për Krishtin i dha formë impenjimit të tij ekzistencial:
Nga një jetë e nisur në kërkim të suksesit mondan, ai kaloi në një jetë krejtësisht tjetër, të cilën ia dhuroi plotësisht Krishtit, të vetmit Mësues e Zot. Realizoi kështu sintezën e madhe të mendimit filozofik me atë teologjik, në të cilën shkriheshin rrymat e mendimit grek e latin”.Kështu u shpreh Papa dhe në përfundim iu lut Shën Agostinit të ndërmjetësojë pranë Zotit që Universiteti i Pavisë të shquhet gjithnjë për vëmendje të veçantë ndaj njeriut, për frymë bashkësie në kërkimin shkencor e për dialog të frytshëm ndërmjet fesë e kulturës.







All the contents on this site are copyrighted ©.