2007-04-22 18:21:57

Benedikti XVI në Pavi: Njerëzimi i sotëm ka akoma nevojë për Zotin!


(22.04.2007 (RV)RealAudioMP3 Veprimtaria e fundit e Papës në Pavi, ishte kremtimi i Lutjeve Mbrëmësore me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret e seminaristët e dioqezës në Bazilikën e Shën Pjetrit, që filloi rreth orës 17. 30. Benedikti XVI u gjunjëzua para relikeve të Shën Agostinit, që ruhen në këtë bazilikë që nga viti 725. Ishte një gjest shumë i rëndësishëm e domethënës për urdhërin agostinian e për mbarë Kishën paveze.
Më pas, në homelinë e mbajtur me këtë rast, Papa u kujtoi të pranishmëve në kremtim, se në këtë ças përfundimtar, vizita në Pavi po merrte formën e shtegtimit për të nderuar reliket e Shën Agostinit e për t’i shprehur nderimin e mbarë Kishës katolike njërit nga Etërit më të mëdhenj të saj. Benedikti XVI pohoi se ka një devocion të posaçëm për Shenjtin, i cili ka ushtruar një ndikim të fuqishëm mbi jetën e tij si njeri, si meshtar, si teolog e si bari.
Nga vendi ku mbarë bota nderon reliket e Doctor gratie, Papa Racinger i transmetoi mbarë Kishës një mesazh tepër domethënës për vijimin e rrugës së saj:
“Jezu Krishti, Fjala e mishëruar, Qengji i flijuar e i ngjallur, është dëftimi i fytyrës së Zotit Dashuri për çdo njeri, që ecën në shtigjet e kohës, drejt amshimit. Kjo është zemra e Ungjillit, bërthama e krishterimit”.
Drita e kësaj dashurie - vijoi Ati i Shenjtë - ia hapi sytë Shën Agostinit, duke e bërë të takohet me bukurinë e lashtë e gjithnjë të re, e vetmja në të cilën gjen paqe zemra e trazuar e njeriut. Më pas, një ridorëzim:
“Të dashur vëllezër e motra, këtu para varrit të Shën Agostinit, dëshiroj t’i ridorëzoj simbolikisht Kishës e botës Enciklikën time të parë, që përmban pikërisht këtë mesazh kryesor të Ungjillit: ‘Zoti është dashuri”. Kjo enciklikë, posaçërisht pjesa e parë e saj, u ndikua fuqimisht nga mendimi i Shën Agostinit, që ishte i dashuruar me dashurinë e Zotit, të cilën e këndoi, e meditoi dhe e predikoi në të gjitha shkrimet e tij e, sidomos, e dëshmoi në shërbimin e tij baritor”.
Po - vijoi Papa – Zoti është dashuri, gjithçka duhet të niset prej këtu e gjithçka duhet të na çojë po këtu. Të gjitha karizmat e humbasin kuptimin pa dashurinë, falë së cilës të gjitha konkurojnë për të ndërtuar Korpin Mistik të Krishtit:“Ja atëherë mesazhi që Shën Agostini i përsërit mbarë Kishës, e posaçërisht kësaj bashkësie dioqezane, e cila ia ruan me nderim reliket – shpjegoi Benedikti XVI - duke theksuar më pas me forcë: - Dashuria është shpirti i jetës së Kishës dhe i veprimtarisë së saj baritore”. Vetëm kush e ka provuar personalisht dashurinë e Zotit, mund ta kryejë si duhet detyrën për t’u prirë atyre që duan të ecin në gjurmët e Krishtit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.