Vizita baritore e Papës në Vigjevano e në Pavi, dhuratë hiri: me ne imzot Bagjini.
(21. 04.2007 RV)Gjithçka është gati në Vigjevano e në Pavi, ku Papa arriti
sot pas dite, duke filluar kështu vizitën e katërt baritore në Itali. Benedikti XVI
arriti në Vigjevano pak para orës 17. 00. Veprimtaria e parë është kremtimi i Meshës
Shenjte në Sheshin Dukal të qytetit lombard. Në mbrëmje u nis për në Pavi, ku
të dielën paradite do të vizitojë Poliklinikën e “Shën Mateut”. Më pas do të kremtojë
Meshën Shenjte në Kopshtet Borromaike. Pasdite do të takohet me botën e kulturës në
Universitetin e Pavisë. Pastaj do të kryesojë kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore në Bazilikën
e Shën Pjetrit e do të ndezë një llampë kushtimore para arkës prej mermeri, ku ruhen
reliket e Shën Agostinit. Benedikti XVI do të kujtojë, më pas, shtegtimin e Pishtarit
të dialogut, ndezur në Tagaste të Algjerisë, ku lindi Ati i Kishës. Pishtari përshkoi
të njëjtat etapa, të cilat i pati përshkuar edhe filozofi numid. Ky pishtar ishte
në qendër të kremtimeve që Urdhëri i Shën Agostinit organizoi me rastin e 750 –vjetorit
të historisë së tij, duke e parë flakën si simbol të kontributit agostinian për dialogun
e paqen ndërmjet popujve, kulturave e feve. Por, të kthehemi te etapa e parë e
shtegtimit të Benediktit XVI. Ipeshkvi i Vigjevanos, imzot Klaudio Bagjini,
shprehet kështu për atmosferën e pritjes së Papës: Përgjigje: - Ne e konsiderojmë
vizitën e Papës si dhuratë hiri sepse, që kur Vigjevano u bë dioqezë, është hera e
parë që një papë viziton Kishën tonë. E dimë se Jezusi i tha vetëm Pjetrit: “Jam lutur
për ty, që t’i përforcosh vëllezërit në fe”; ne këtë presim nga Papa, të na përfocojë
në fe, të rifillojmë me hov të ri një jetë më shenjte. Pyetje: - Duke qenë
se jeta e krishterë dëshmohet posaçërisht përmes bamirësisë, ju do t’i jepni kësaj
vizite edhe karakter bamirës e, me që Vigjevano shquhet për cilësinë e këpucëve…. Përgjigje:
- Është gjest i posaçëm për qytetin tonë, ku shoqata e këpucarëve vendosi të dhurojë
10 mijë palë këpucë për popullsitë më nevojtare. Pyetje: - Me sa di unë,
keni vendosur edhe që një qendër strehimi për emigrantët të quhet ‘Qendra Benedikti
XVI’… Përgjigje: - Është një fenomen që bëhet gjithnjë më i ndjeshëm e ne
kemi ngritur shumë qëndra për mbledhjen e ndihmave. Duam, edhe përmes Karitasit, të
bëhemi të vetëdijshëm për lindjen e varfërive të reja e t’i përballojmë me frymën
e Ungjillit, prej nga vijon të burojë thirrja përherë aktuale e Krishtit: “Isha i
huaj e më strehuat!”. Pyetje: - A mund të na thoni cili është urimi juaj
për këtë vizitë, ndonëse të shkurtër, të Papës?Përgjigje: - Dëshiroj të kujtoj
si hir këtë: më 21 prill 1957 Piu XII i dorëzonte të gjitha Kishave enciklikën Fidei
donum, me qëllim që kishat më të pasura me kler e me institucione fetare, të ndihmonin
kishat më të varfëra, posaçërish kishat e Afrikës; ja, pra, dëshiroj që vizita e bekimi
i Papës mbi kishën tonë, t’i japë një hov të ri veprimtarisë misionare, në mënyrë
që të dërgojmë në vendet e misionit jo vetëm meshtarë e rregulltarë, siç ka ndodhur
këto vite, por edhe besimtarë laikë.