2007-04-20 18:22:48

Mirënjohja e Benediktit XVI për anëtarët e ‘Fondacionit Papnor’, shoqatë e Kishës amerikane, që mbështet bamirësinë e Atit të Shenjtë.


(20.04.2007 RV)‘Fondacioni Papnor’ amerikan, anëtarët e të cilit Benedikti XVI i priti sot në Vatikan, e mbështesin prej vitesh veprimtarinë bamirëse të Papës në mbarë botë.
Një mbështetje të tillë ‘Fondacioni’ e nisi që në ditët e para të krijimit – këtë kujtoi me mirënjohje Benedikti XVI në fjalimin drejtuar mysafirëve, dhe në vijim i falënderoi anëtarët e ‘Fondacionit’ për ndihmën që u japin vendeve në rrugën e zhvillimit përmes donacioneve, duke mbështetur një larmi projektesh edukative e bamirëse, por edhe për bursat e shumta që u sigurojnë Universiteteve Papnore në Romë në ndihmë të besimtarëve laikë, meshtarëve e rregulltarëve.
Në fjalimin e tij të shkurtër, Papa vuri në dukje shërbimin që kryen ‘Fondacioni’, i krijuar nga ipeshkvjijtë e SHBA për të ndihmuar Kishat në zonat e varfëra të Planetit, si në fushën humanitare, ashtu edhe në atë të përhapjes së Ungjillit.“Gjatë kësaj kohe Pashkësh – u tha Papa – ju inkurajoj të gjithëve ta zbuloni më thellësisht në Eukaristi, sakrament i dashurisë flijuese të Krishtit, frymëzimin dhe forcën e nevojshme për të punuar edhe më bujarisht në përhapjen e Mbretërisë së Zotit dhe në lulëzimin e qytetërimit të dashurisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.