2007-04-19 18:09:45

Indinjimi i Evropës për therjen të tre të krishterëve, që punoin për shtypjen e Biblës, në Turqi. Me ne, Luigji Gjeninazi e imzot Luigji Padoveze.


(19.04.2007 RV)RealAudioMP3 “I premë në fyt, që vdekja e tyre barbare të bëhet mësim për gjithë armiqtë e Islamit!”. Kështu e shpjeguan ngjarjen 10 personat e arrestuar nga policia turke, të akuzuar për pjesëmarrje ose lidhje me vrasjen barbare të tre të krishterëve protestantë, në qytetin Malatia, në lindje të Turqisë. Tri viktimat punonin për një shtëpi botuese evangjelike. E pikërisht në vendin ku punonin, rreth orës 13. 30 me orën vendase, vrasësit e tyre hynë brutalisht dhe i therën për vdekje. Policia turke nisi menjëherë kërkimet në mjediset e fondamentalizmit islamik. Pas pesë arrestimeve të para, përfunduan në pranga edhe pesë fanatikë të tjerë. Njëri nga të vrarët ishte shtetas gjerman, e vrasja e tij e tmerrshme pati si pasojë të natyrshme dënimin e ashpër nga ana e qeverisë gjermane. - Jemi thellësisht të trishtuar për masakrën e djeshme në Malatia – u përgjigj sot kryeministri turk Erdoan. Përmasat e këtij fakti bëhen edhe më të theksuara– shtoi ai - sepse ndërmjet të therurve është një gjerman e sepse kjo ndodhi në vendin tonë. Ata që përgjigjen për këtë masakër, duhet të gjykohen e të dënohen.
Mbi këtë ngjarje tejet të hidhur, të dëgjojmë Luigji Gjeninacin, kryeartikullshkrues i gazetës italiane “Avvenire”:
Përgjigje: - Ishte një ekzekutim barbar, i shtyrë nga fanatizmi antikristian që, për fat të keq, përfundon nganjëherë me shpërthime dhune, siç është rasti i djeshëm; e raste të tilla nuk janë të pakta. Duhet ta kemi mirë parasysh se Turqia dëshiron të jetë vend laik, vend që i respekton të gjitha fetë, por edhe se në këndvështrimin e ndjenjave, një pjesë e mirë e opinionit publik dhe e grupeve të pakicave ultra-nacionaliste e fanatike, vijon ta shikojë me urrejtje e të mos e tolerojë asnjë fe tjetër.
Pyetje: - Ndërmjet shumë qëndrimeve që u mbajtën dje, masakrën e dënoi edhe Komisioni Evropian. Sipas jush, a ndikon kjo në hyrjen e Turqisë në Evropë?
Përgjigje: - Diskutimet mbi kapitujt e shumtë, disa nga pikat e të cilëve duhet t’i respektojë Turqia, e dimë se janë bllokuar në pikën e Bashkimit doganor, sepse është ndërmjet nyja e mosnjohjes së Qipros: por natyrisht që gjithë kjo ngjarje na shtyn të reflektojmë se ky komb ka akoma shumë rrugë për të bërë. E nuk është aq problem i institucioneve qeveritare. Personalisht e vlerësoj shumë kryeministrin Erdoan: besoj se institucionet e tij, si islamik i moderuar, janë të mira, të impenjuara seriozisht për t’i prirë këtij vendi në rrugën e laicitetit të kuptuar drejtë, që çon në Bashkimin Evropian. Por janë të tjerat që nuk shkojnë, e kur themi të tjerat, kemi parasysh gjithë shoqërinë, kemi grupet gjithnjë më të dhunshme, gjithnjë më aktive - të cilat, për fat të keq duhet pranuar - autoritetet nuk arrijnë dot t’i frenojnë.
Pyetje: - Pas shtegtimit të Benediktit XVI, a ka pasur, sipas jush, ndryshime në ballafaqimin ndërmjet feve?
Përgjigje: - Kam vërejtur ndryshime në mjediset e kulturës së lartë që, ndërsa më parë kishin rezerva, tani e kanë njohur Benediktin XVI, e kanë ndjerë thellë butësinë me të cilën i paraqet bindjet e krishtera.

Ndërmjet bashkësive të vogla të krishtera, që jetojnë e veprojnë në Turqi, radhitet edhe ajo katolike. Intervistuam imzot Luigji Padoveze-n, vikar apostolik i Anatolisë:
Përgjigje: - Prania e krishterë në Turqi është mjaft e ndjeshme. Kemi edhe një grup relativisht të madh protestantësh, që u përkasin kishave të ndryshme, të cilat impenjohen në veprimtari misionare e katekistike. Të vrarët i përkisnin Kishës presbiteriane e impenjoheshin kryesisht për njohjen e Fjalës së Zotit përmes botimeve të Biblës.
Pyetje: - Si iu përgjigj bashkësia e krishterë këtij atentati, që nuk është i pari – e urojmë të jetë i fundit?
Përgjigje: - Jemi shumë të trishtuar, sepse shohim se akte të këtij tipi po përsëriten e po na krijojnë gjithnjë më shumë pasiguri në Turqi. Asnjë nga ne nuk dëshiron të ikë, por nuk mund të mos e shikojmë se në këtë vend ka grupe të çmendura, për të cilat prania jonë është e padëshirueshme. Unë kam akoma një trup-roje në Antioki, e edhe famullia jonë ruhet ditë-natë. Janë shenja që tregojnë se policia druhet mos ngjasë ndonjë e papritur.
Pyetje: - Faktet e reja nuk mund të mos na kujtojnë vrasjen e don Andre Santoros dhe të botuesit armen Dink…Përgjigje: - Unë dua të ripohoj: popullsia turke në themel është e shëndoshë. Këto janë akte të disa fanatikëve islamistë e nacionalistë. Ata e ngrejnë zërin posaçërisht në disa çaste të caktuara. Jemi në prag të zgjedhjeve presidenciale. Duhen vënë në dukje dy gjëra: të gjitha këto janë akte që shërbejnë për të destabilizuar, duke krijuar një përshtypje shumë të keqe për Turqinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.