U paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit, vizita e Benediktit XVI në dioqezën e
Vigjevanos e të Pavisë – qytet ku ruhen reliket e Shën Agostinit.
(17.04.2007 RV)Një qendër kulturore
që dëshiron të promovojë dialogun dhe një llambë kushtimore, që do të bëjë përherë
dritë para urnës së relikeve të Shën Agostinit: këto janë shenjat që do të mbeten
në Pavi pas vizitës. Papa do të shkojë në dioqezën lombarde të shtunën, pasi të ketë
vizituar dioqezën e Vigjevanos. Programi i këtij shtegtimi të Papës në Pavi e në Vigjevano,
më 21 e 22 prill, u shpjegua sot paradite në Sallën e Shtypit të Vatikanit. “Vigjevano
është e vetmja dioqezë e Lombardisë, që nuk është vizituar nga Gjon Pali II, duhet
ardhur”. Me këto fjalë iu përgjigj Benedikti XVI ftesës së ipeshkvit Klaudio Bagjini,
dioqeza e të cilit shprehu dëshirën ta përshëndesë Papën para se të shkojë në Pavi.
Me këtë rast kooperativa e këpucarëve të Vigjevanos, qytet i njohur për cilësinë e
lartë të këpucëve, do të dhurojë 10 mijë palë këpucë për disa vende të varfëra, ndërsa
një palë – tha Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë
- do t’i dhurohet vetë Papës. Në Bazilikën e Shën Pjetrit në Pavi, ku ruhen që nga
shekulli VIII reliket e Shën Agostinit, Papa do të shkojë pasi të bekojë një qendër
kulturore, siç e shpjegoi Eprori i përgjithshëm i Urdhërit të Shën Agostinit, atë
Robert Prevost: “Ati i Shenjtë, para se të hyjë në bazilikën e Shën Pjetrit,
do të bekojë projektin dhe gurin e parë të qendrës kulturore ‘Augustinianum’, e cila
do të mbajë emrin e Benediktit XVI për shkak të lidhjeve të fuqishme shpirtërore e
teologjike që e lidhin Papën Racinger me Atin e Kishës, Shën Agostinin. Figura
e ipeshkvit të Iponës e pati mahnitur djaloshin Jozef Racinger që kur ishte student
në seminarin e Fraisingen, aq sa më pas ia kushtoi tezën e tij ekleziologjisë së Atit
të Shenjtë të Kishës. E vetë Papa, më 17 shkurtin e kaluar, në Seminarin
e Madh Romak, tregoi si lindi ky admirim i thellë për Shën Agostinin: “… më
rrëmbeu, që në fillim, sidomos figura e Shën Agostinit e pastaj edhe rryma agostiniane
në Mesjetë: Shën Bonaventura, françeskanët e mëdhenj, figura e Shën Françeskut të
Asizit. Për mua ishte mahnitës posaçërisht humaniteti i madh i Shën Agostinit, i cili
nuk pati mundësi të identifikohej që në fillim me Kishën, sepse katekumen, por iu
desh të bënte luftë shpirtërore për të hyrë, pak nga pak, në Fjalën e Zotit, në jetën
e Zotit, deri sa i tha ‘po’-në e madhe Kishës së tij. Më preku kjo rrugë kaq njerëzore,
përmes së cilës edhe sot mund të shohim si nis rruga që të çon në lidhje me Zotin…
Kështu më bëri për vete teologjia e tij shumë personale, e zhvilluar posaçërisht në
predikime. E kjo është shumë e rëndësishme, sepse në fillim Agostini deshi të jetonte
një jetë pastërtisht kundruese, të shkruante libra të tjerë filozofie… por Zoti nuk
deshi, e bëri meshtar e ipeshkëv, e kështu gjithë jeta e tij e vepra e tij kaloi në
dialog me një popull tepër të thjeshtë”. Por të kthehemi tek programi i shtegtimit:
pasi të kryesojë kremtimin e Lutjeve Mbrëmësore para arkës prej mermeri, ku ruhen
reliket e ipeshkvit të Iponës, Benedikti XVI do të ndezë një llampë kushtimore. Do
të kujtojë, më pas, shtegtimin e Pishtarit të dialogut, ndezur në Tagaste të Algjerisë,
ku lindi Ati i Kishës. Pishtari përshkoi të njëjtat etapa, të cilat i pati përshkuar
edhe filozofi numid. Ky pishtar ishte në qendër të kremtimeve që Urdhëri i Shën Agostinit
organizoi me rastin e 750 –vjetorit të historisë së tij, duke e parë flakën si simbol
të kontributit agostinian për dialogun e paqen ndërmjet popujve, kulturave e feve.