2007-04-17 17:44:09

SHBA: pavarësi për Kosovën edhe pa Këshillin e Sigurimit.


(17.04.07 RV)Qeveria e Serbisë paralajmëroi sot SHBA-të kundër njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, pa miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Dje, nënsekretari i shtetit Nikolas Bërns deklaroi në një fjalim para Këshillit të Marrëdhënieve me Jashtë në Uashington, në praninë e ambasadorit serb, se pavarësia është i vetmi opcion i mundshëm për Kosovën. Sipas tij, edhe nëse Rusia vendos veton ndaj planit të Ahtisarit në Këshillin e Sigurimit, SHBA-të do të jenë nga shtetet e para që do të njohin një pavarësi të shpallur nga vetë kosovarët. Propozimi që bën Serbia për t’i dhënë Kosovës një autonomi të zgjeruar është i vonuar me 10-12 vjet, sqaroi Bërns.
Në notën e tij, Beogradi deklaron se do të hedhë poshtë si të paqenë dhe do të shmangë çdo lloj njohjeje të pavarësisë së Kosovës, duke e konsideruar qëndrimin amerikan si ndërhyrje në punët e brendshme.


Serbia është në gjendje të kapërcejë krizën që po kalon, deklaroi sot sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Terri Dejvis, në një konferencë shtypi në Strasburg, në përfundim të sesionit pranveror të asamblesë.
Më 11 maj, Beogradi duhet të marrë në dorë presidencën e Komitetit të Ministrave, duke zëvendësuar San Marinon, e Dejvis shpreson që deri atëherë, të jenë zgjidhur problemet. “Serbët e kanë zgjidhur shumë mirë ndarjen e vështirë nga Mali i Zi, prandaj nuk dyshoj se do të gjejnë një zgjidhje edhe për statutin e Kosovës, në mënyrë që ajo të mos kthehet në një burg për vetë kosovarët”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës

Ndërkaq, pavarësisht nga përgjegjësitë që e presin, Serbia është akoma pa qeveri, tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare. Nga Brukseli, komisari për zgjerimin, Olli Rehn i kërkon Beogradit që të formojë sa më shpejt qeverinë, përndryshe negociatat për nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me Evropën nuk mund të rifillojnë. Brukseli i ndërpreu këto negociata më 3 maj të vitit të kaluar për shkak të mosbashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën e Hagës.







All the contents on this site are copyrighted ©.