2007-04-17 17:16:03

Që dje është në librari libri i Papës ‘Jezusi i Nazaretit’ që po pritet me interes të jashtzakonshëm.


(17.04.2007 RV)RealAudioMP3 80-vjetorit të Benediktit XVI i parapriu një ngjarje tjetër e rëndësishme. Të premten e kaluar, në prani të qindra gazetarëve e miqve të shquar, në Sallën e Re të Sinodit në Vatikan u paraqit libri “Jezusi i Nazaretit”, të cilin Papa teolog kishte nisur ta shkruante para se të zgjidhej në fronin e Shën Pjetrit. Pjesët kulmore të librit – i cili tashmë është në duart e mijëra njerëzve në të katër anët e botës, sepse i përkthyer në gjuhët kryesore dhe i shtypur në një numër shumë të madh kopjesh – u shpjeguan nga Kryeipeshkvi i Vjenës. Ta ndjekim kardinalin Kristof Shënborn, në mikrofonin e Radios sonë:
Përgjigje: - Sigurisht ne jemi mësuar me libra të tipit personal të dalë nga penë papnore. Gjon Pali II na ka mësuar në një farë mënyre me një gjë të tillë: kryesisht me libra kujtimesh. Por ky libër është diçka tjetër: është një meditim i gjatë teologjik, shpirtëror, personal mbi Jezusin e Nazaretit; kjo tipologji është e pazakontë për një papë. E Benedikti XVI e merr me bindje të plotë lirinë të thotë se është jo vetëm e drejtë, por edhe detyrë e tij të flasë për Jezusin.
Pyetje: - Hirësi, ç’diskutime priten nga ky libër?
Përgjigje: - Nuk e di akoma. Të shohim. Do të ketë shumë mënyra të ndryshme të të lexuari, shumë qëndrime për këtë libër. Në ç’ rrugë do të hyjë diskutimi? Jam shumë i interesuar të di ç’do të thonë, për shembull, lexuesit hebrenj, pas mendimeve që shpreh në këtë libër Papa lidhur me intrepretimin e rabinit Nojsner. Ose ç’do të thonë të krishterët e kishave të tjera… Sido që të jetë, do të jetë një diskutim thelbësor, i cili do të sillet rreth asaj që është vërtetë e rëndësishme.
Pyetje: - E, lidhur me dialogun me vëllezërit tanë hebrenj, ç’vlerë mund të ketë ajo që shkruan Papa?
Përgjigje: - Mendoj se ka rëndësi të lexosh, për shembull, atë që thotë për interpretimin e rabinit Nojsner lidhur me Predikimin e Malit, duke pasur parasysh se Nojsner pohon se, me gjithë respektin e duhur , ky Jezus, kjo rrugë që ndjek Jezusi, është shkatrrimtare për shoqërinë, ose më së paku, nuk është fare e nevojshme, nuk është e mirë, nuk është as e arsyeshme për shoqërinë. Ndërsa Papa, duke iu kthyer gjithë këtij predikimi, përpiqet të dëshmojë se Predikimi i Malit na jep pikërisht themelet për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e njerëzore. Atëherë, gjithë ky argumentim lidhur me arsyetimin në perspektivën e hebrenjve e në atë të të krishterëve është një lëndë shumë e rëndësishme për dialogun në të ardhmen.
Pyetje: - Si shpjegohet, Hirësi, prania e vazhdueshme e figurës së Jezusit në kinemanë e në letërsinë e kohëve tona?Përgjigje: - Sepse mendoj që pyetja e tij “Kush besoni se jam unë?”, është një pyetje që do të përshkojë shekujt e, në çdo shekull, do të bëhet në një mënyrë të re: ashtu si e shikojmë në Mesjetë, në Rilindje, në veprat e Shekspirit. Ç’kuptim ka figura e Jezusit për Shekspirin? Unë kam gjithnjë parasysh Jezusin e Nazaretit kur kthehet në fshatin e tij: pas duartrokitjes së parë, njerëzit nisin ta kundërshtojnë Jezusin deri në atë pikë, sa të mendojnë ta flakin nga shkëmbi për ta mbytur. E Ungjilli thotë: “Por Jezusi, duke kaluar përmes turmës, i la e shkoi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.