(17.04.07 RV)Al Kaida ka deklaruar se ka vrarë në Irak, të paktën 20 policë
dhe punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes, të rrëmbyer gjatë ditëve të kaluara. Organizata
terroriste ka paralajmëruar edhe se në të ardhmen do të shfaqet në internet videoja
e vrasjes së pengjeve. Ndërkaq, mbi situatën dramatike të refugjatëve irakianë flitet
sot në Gjenevë në Konferencën e Komsariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët. Agjensia
e Kombeve të Bashkuara ka nënvizuar se mbi 50 mijë irakianë largohen çdo muaj nga
shteti arab. Shumë familje të krishtera largohen pasi marrin kërcënime serioze nga
grupe islamike të lidhura me Al Kaidën.
Sulmi i radhës në Afganistan.
Një automjet i Kombeve të Bashkuara u hodh në erë nga një minë afër qendrës së
Kandaharit. Akti terrorist shkaktoi vdekjen e 5 punonjësve të OKB-së. Dhunë edhe në
provincën e Heratit, ku shpërthimi i një bombe në një shkollë ka bërë që të humbin
jetën 4 fëmijë.
Presidenti i Komisionit Evropian, Manuel Barroso
uroi sot në një konferencë shtypi në Bruksel, që kriza politiko-institucionale e Ukrainës
të zgjidhet me një kompromis ndërmjet presidentit filo-perëndimor, Viktor Jushçenko
dhe kryeministrit filorus, Viktor Janukoviç. Ky i fundit ka kërkuar ndërhyrjen e Gjykatës
së Lartë për t’u shprehur mbi ligjshmërinë kushtetuese të shpërndarjes së parlamentit,
urdhëruar nga Jushçenko para përfundimit të legjislaturës.
Në Rusi,
Kremlini pranoi se policia ka reaguar jashtë mase në manifestimet e opozitës në
Moskë e Shën Pjetërburg. Deklarata vjen menjëherë pas shqetësimit të Bashkimit Evropian
për përdorimin pa kriter të dhunës. Gjithsesi, qeveria e presidentit Putin u ka vënë
fajin edhe mjeteve të huaja të komunikimit, që e kanë ekzagjeruar problemin.