(17.04.07 RV)Papa Benedikti XVI shpreh dhimbjen e tij të thellë për masakrën
e 33 studentëve në Universitetin politeknik të Virgjinies, në SHBA. Telegrami mban
firmën e sekretarit të shtetit të Vatikanit, kardinal Tarçizio Bertone dhe i drejtohet
ipeshkvit te Riçmondit, imzot Frensis Dilorenco. Papa e përkufizon ngjarjen si “një
tragjedi pa kuptim” dhe u siguron viktimave, familjeve të tyre e krejt bashkësisë
afërsinë e tij shpirtërore e lutjen. Skenari i kësaj dhune të verbër e të paparë nuk
është akoma i qartë. Policia ka identifikuar autorin e masakrës, një student i kampusit
me origjinë aziatike, që vrau veten me një plumb në kokë. Mbeten të paqarta mënyra
e zhvillimit të ngjarjes dhe motivet që e shtynë studentin të qëllonte si t’i tekej,
duke shkaktuar 33 viktima. “Amerika është e shokuar” u shpreh dje presidenti amerikan
Bush në fjalën që i drejtoi kombit. Sot, Bush do të shkojë për vizitë personalisht
në shkollën e Virgjinies, për të marrë pjesë në ceremoninë përkujtimore, që do të
zhvillohet në orën 18, sipas orës lokale. Mbetet fakti se kushdo, nga mosha 12 vjeç
e sipër, mund të mbajë armë në Amerikë.