(16.04.2007 RV)Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Bernrdetën Subirù, bijë e
një mullisi të varfër, lindur në Lurdë, ndërmjet Pirenejve. Më 11 shkurt 1858 në shtëpinë
e saj ishin djegur të gjitha drutë. Duhej të shkonte në mal për të bërë të tjera.
Por përjashta binte shi i rrëmbyer. Ishte gati e pamundur të bridhje nëpër pyll.
Atëherë vajza shkoi në Shpellën e Masabielës, ku barinjë e vegjël mblidhnin shpesh
degë të thata. Papritmas ndjeu një fëshfërimë të lehtë gjethesh, që e bëri të ngrinte
kokën në drejtim të Shpellës. Pa një Zonjë me fytyrë të ndritshme e me buzë në gaz.
Ishte e veshur krejt me të bardha e një brez i kaltër ia shtrëngonte lehtë përmjetin.
Këmbët i kishte të zbathura, në sa në krahun e djathtë mbante një rruzare me kokrra
të bardha, përshkuar në një fill ngjyrë ari. - Kush je ti? - e pyeti. Po ajo nuk
u përgjigj. E vajza u kthye disa herë, e disa herë ia përsëriti pyetjen, derisa mori
përgjigjen: "Unë jam Zoja e Papërlyer”. Mrekullia e dukjes së parë, të cilën Bernardeta
e përjetoi në një gjendje absolute ekstaze, u pasua nga 17 dukje të tjera, deri më
17 korrik 1858. Pas këtyre dukjeve, Bernardeta kaloi gjashtë vjet në Institutin e
Motrave të Mëshirës të Neversit, ku kreu edhe periudhën e rishtarisë. Kjo periudhë
zgjati më shumë se duhej, për shkak të shëndetit të saj të ligësht. Bëri, më pas,
kushtet e përjetshme duke ndërruar edhe emrin: u quajt Motër Maria Bernarda. Vdiq
në moshën 35 vjeçe, më 16 prill 1879. Më 8 dhjetor 1933 Papa Piu XI e lartoi në nderimet
e elterit.