2007-04-16 15:55:09

Imzot Genshvain, sekretar personal i Papës, flet për ditëlindjen e Benediktit XVI.


(16.04.2007 RV)Të shumta, veç urimeve që arrijnë në Vatikan nga mbarë bota, janë edhe mbresat që shprehin njerëz të ndryshëm, të cilët kanë pasur fatin ta takojnë Papën nga afër ose edhe nga larg, gjatë audiencave e lutjeve të Engjëllit të Tënzot, kur një pyll duarsh ngrihet lart për ta përshëndetur, si të ishte aty, në dritaren e bibliotekës së tij personale jo për turmën, por për secilin nga të pranishmit, njerëz të ardhur nga afër e nga larg. E kjo, sepse Papa i flet zemrës së secilit. Ndërmjet dhjetra njerëzve, që kanë folur e vijonë të flasin për 80-vjetorin e Papës Jozef Racinger, veçuam sot fjalët e sekretarit të tij personal, imzot Georg Genshvain, në mikrofonin e programit gjerman të radios sonë:
Pyetje: - Kur dikush kremton ditëlindjen, i bëhen edhe dhurata, apo jo? Mendoj se kush ka dashur t’i bëjë dhuratë Papës, ia ka bërë tashmë. A mund të na tregoni diçka për dhuratat që ka marrë Papa?
Përgjigje: - Natyrisht, shumë letra e dhurata të vogla: CD, lule, libra, shkrime, por jam i sigurtë se do të marrë edhe shumë, shumë sende të tjera. Përsa u përket dhuratave, Papa e ka thënë qartë se nuk i pëlqen të pranojë dhurata personale: kush dëshiron t’i bëjë një dhuratë, mund të japë lëmoshë, të cilën pastaj ai do ta përdorë për një qëllim që do të bëhet i njohur më vonë: për shembull, për të ndihmuar Tokën Shenjte, ose zonat e tjera të botës në krizë, si Afrika.
Pyetje: - Cila është dhurata më e çuditshme që keni marrë deri tani?
Përgjigje: - Dhurata më e çuditshme është një ari vigan. Ari prej peliçeje, shumë i bukur, që Ati i Shenjtë ia dhuroi Spitalit të ‘Krishtit Fëmijë”, gjë që u prit me entuziazëm të madh nga të vegjlit: ata që dinë të shkruajnë, e falënderuan Papën me një letër shumë të bukur, ndërsa në emër të më të vegjëlve, falënderoi drejtori i spitalit.
Pyetje: - Ç’i pëlqen më shumë Papës? Ç’gjë e konsideron vërtetë dhuratë?
Përgjigje: - Papa gëzohet më shumë kur shikon se njerëzit e pranojnë fjalën e Zotit që kumton Kisha e kur kjo fjalë nuk shikohet si barrë e rëndë, por si ndihmë, si krahë që e ndihmojë njeriun për ta mbartur peshën e jetës e, sidomos, kur kjo fe rrënjoset në jetën personale të individit. Ka njerëz që përfitojnë shumë nga feja. E kjo përvojë është burimi i gëzimit më të madh për Papën.
Pyetje: - Sot edhe Papa i bëri një dhuratë besimtarëve. E kemi fjalën për librin e tij “Jezusi i Nazaretit”. Ma merr mendja se ju, si sekretar i tij, do ta keni lexuar tashmë…
 Përgjigje: - Natyrisht që e kam lexuar. Mund të them se i jam shumë, shumë mirënjohës për këtë libër. Është lexim që pasuron, që ushqen. Mund t’i ftoj të gjithë ta lexojnë!







All the contents on this site are copyrighted ©.