2007-04-16 16:59:08

Del Ponte marrëveshje me Serbinë. Gjykata e Drejtësisë nuk mundi të provojë genocidin në Bosnjë.


(16.04.07 RV)Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, Karla del Ponte, në vitin 2003 ka bërë një marrëveshje me Serbinë, sipas së cilës disa dokumenta të rëndësishme janë mbajtur sekret nga Beogradi. Ky fakt e ka penguar Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, me seli gjithnjë në Hagë, për të pasur një kuadër të plotë të genocidit që Serbia kreu në Bosnjë gjatë luftës. Rezultati: Gjykata e shpalli Serbinë të pafajshme për genocidin e Srebrenicës në Bosnjë-Hercegovinë.
Pohimi vjen nga ish-prokurori i Gjykatës për ish-Jugosllavinë, Xhefri Najs. Karla del Ponte, thotë ai në një letër çuar me postë elektronike gazetës kroate “Jutarnji List”, “ka dhënë pëlqimin e saj për masa mbrojtëse ndaj një pjesë të dokumentave të Këshillit të lartë jugosllav të Mbrojtjes”. Kjo marrëveshje i është komunikuar nga Del Ponte me anë të një letre, ministrit të atëhershëm të jashtëm të Serbisë, Goran Svilanoviç.
“Ka qenë një marrëveshje e padobishme – shkruan ish-prokurori, sot avokat në Londër – e cila i ka shërbyer Beogradit vetëm për të fshehur para Gjykatës së Drejtësisë dhe para vetë opinionit të vet publik, përfshirjen e Jugosllavisë në luftrat e Kroacisë dhe të Bosnjës”.
Deklaratave të ish-prokurorit Najs u përgjigjet kryeministri kroat Ivo Sanader, i cili mendon se më parë duhen verifikuar fjalët e thëna e nëse konfirmohen, çështja duhet të shkojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Është shumë e rëndë” ka deklaruar Sanader.
Në shkurtin e këtij viti, Gjykata e Drejtësisë e OKB-së arriti në përfundimin se Serbia nuk ka qenë përgjegjëse e genocidit në Bosnjë, pavarësisht se masakra e rreth 8 mijë myslimanëve në Srebrenicë është genocid dhe Serbia është fajtore se nuk e ka ndaluar.







All the contents on this site are copyrighted ©.