2007-04-15 18:05:37

Turmë e madhe besimtarësh në Sheshin e Shën Pjetrit për Meshën e kryesuar nga Benedikti XVI me rastin e 80-vjetorit të ditëlindjes së tij.


(15.04.2007 RV)RealAudioMP3 50 mijë besimtarë. Sheshi i Shën Pjetrit i mbushur sa më s’zinte e i larë me rreze dielli; 70 kardinaj pranë elterit në tremen e Bazilikës: janë numra e pamje të skenës në të cilën sot paradite u kremtua Mesha solemne, që Benedikti XVI e kryesoi si shenjë falënderimi drejtuar Zotit për 80-vjetorin e ditëlindjes së tij, që bie nesër. Papa kujtoi paraardhësin e vet, Gjon Palin II, i cili vite më parë ia kushtoi të Dielën pas Pashkëve, që njihet si e Diela ‘In Albis’, Festës së Mëshirës Hyjnore: mëshirë, që – tha Papa - i vë kufi së keqes, duke e siguruar mbarë njerëzimin se është gjithnjë gati të falë e të përdëllejë:
“Vazhdimisht shikoj me gëzim plot mirënjohje sa e madhe është radha e atyre që më mbështesin me lutje; atyre që, me fenë e dashurinë e tyre më ndihmojnë ta kryej ministerin tim, që më falin për ligështitë e mia, duke parë edhe në hijen e Pjetrit, dritën mirëbërëse të Jezu Krishtit. Prandaj në këtë orë dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër Zotin e ju të gjithë.
Janë fjalët me të cilat Papa përfundoi një homeli plot kujtime, gjatë së cilës, me emocion të thellë, i shprehu Zotit, familjes e miqve - mirënjohjen për ministerin meshtarak e apostolik e për atë që i parapriu në katedrën e Shën Pjetrit, duke emocionuar edhe turmën vigane, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për t’i uruar ditëlindjen. E mendimi i parë ishte për Atë që ia kushtoi Tetëditshen e Pashkëve Mëshirës Hyjnore e që, nën hijen e kësaj feste, u nis drejt qiellit, për t’u ridukur nga dritarja e shtëpisë së Atit, për Gjon Palin II.
Benedikti XVI shpjegoi se zemra e Papës Vojtila, i cili jetoi nën dy regjime diktatoriale, në kontakt me varfërinë, mungesat e dhunën, e provoi thellësisht pushtetin e errësirës, që sundon edhe mbi kohët tona. Por provoi edhe, e më fuqimisht, praninë e Zotit që u kundërvihet gjithë këtyre forcave me pushtein e tij krejtësisht të ndryshëm e hyjnor: me pushtetin e mëshirës:
“Është pikërisht kjo mëshirë që i vë kufi së keqes. Në të gjen shprehjen e vet natyra krejt e posaçme e Hyjit – shenjtëria e Tij, fuqia e së vërtetës dhe e dashurisë. Dy vjet më parë, pas Lutjeve të para të Mbrëmjes të kësaj Feste, Gjon Pali II përfundonte jetën e vet tokësore. Duke vdekur, ai hyri në dritën e Mëshirës Hyjnore nga e cila, përtej kufijve të vdekjes e duke u nisur nga Zoti, sot na flet në një mënyrë krejt të re. Kini besim – na thotë – në Mëshirën Hyjnore! Bëhuni ditë për ditë burra e gra të mëshirës së Hyjit!”.
Si u kthye me kujtime në ngjarjet e jetës së tij gjatë viteve ’80, Benedikti XVI përsëriti disa herë fjalët ‘Falënderoj Zotin’: për përvojën e atësisë shpirtërore e të mirësisë amtare, për motrën e për vëllaun, për shokët e për miqtë e, sidomos, për këshilltarët që e ndihmuan në çdo hap të jetës. E, në mënyrë të veçantë falënderoi Zotin sepse u pagëzua në kohën e Pashkëve:
“E kam shikuar gjithnjë si dhuratë të madhe faktin që jam lindur e rilindur njëkohësisht, në të njëjtën ditë, nën shenjën e fillimit të Pashkëve. Kështu, në të njëjtën ditë, u linda si anëtar i familjes sime e i familjes së madhe të Hyjit.(…) E falënderoj në mënyrë të veçantë sepse që nga dita e parë e jetës, munda të hyj e të rritem në bashkësinë e madhe të besimtarëve, në të cilën të hapet para kufiri ndërmjet jetës e vdekjes, ndërmjet qiellit e tokës”.
E dhuratë ishte, natyrisht, thirrja për rrugën e meshtarisë në vitin 1951, kur 24 vjeçari Jozef Racinger u përmbys mbi dyshemenë e katedrales së Fraisingen, në Mynih, për të marrë Sakramentin e Shugurimit. Pesha e rëndë e detyrës, që po i ngarkohej asokohe, iu lehtësua – tregoi Papa – nga prania e Shenjtorëve, emrat e të cilëve kujtoheshin në Litani. Historia, që nisi atë ditë e që arriti kulmin me zgjedhjen në fronin e papnisë, nuk e bëri ta harrojë hijen e Pjetrit, që kujtohej në lirtugjinë e sotme:
“Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë së Kishës katolike, u shtri mbi jetën time që në fillim, e unë e kuptova se ajo ishte hije e mirë – hije shëruese, sepse vjen nga vetë Krishti. Pjetri ishte njeri e, prej këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por mbi të gjitha, ishte njeri përplot me besim të pasionuar në Jezusin, ishte përplot me dashuri për Të. E pikërisht përmes fesë e dashurisë së tij, forca shëruese e Krishtit, forca unjësuese, arrinte tek njerëzit, ndonëse e përzjerë me gjithë ligështinë e Pjetrit. Ta kërkojmë edhe sot hijen e Pjetrit, në se duam të jemi në dritën e Krishtit”.
Liturgjia e posaçme që u kremtua sot paradite, u pasurua edhe me zbukurime të veçanta të artit kishtar: kujtojmë këtu Kryqin prej smalti të proçesionit, realizuar në argjendarinë e Abacisë benediktine të Silos në Spanjë si dhe Ungjillin, stolisur me ar e gurë të çmuar, dhuruar Papës nga kardinali i Mynihut të Bavarisë, Friedrih Veter.Ndërmjet përshëndetjeve që Papa i drejtoi përfaqësuesve të shumtë të Kuries Romake, të botës kishtare, diplomatike e politike, nënvizojmë fjalët drejtuar Patrikut Ekumenik Bartolomeu I, përmes të dërguarit të tij personal, Metropolitit të Pergamos, Ioanis, të cilit i shprehu urimin që dialogu teologjik katoliko-ortodoks të vijojë me zell të përtërirë. Më pas Benedikti XVI tha lutjen drejtuar Mbretëreshës Qiellore, me të cilën do t’ju njohim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.