2007-04-15 18:06:21

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(15.04.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën II të Pashkëve, kushtuar Mëshirës Hyjnore.
Nesër, e hënë, do të kremtohet festa e Shën Benediktit Labrè dhe e Shën Bernardetës Subiru, virgjër. Liturgjia e festës na kujton se në Mbretërinë e shpirtit nuk hyhet njëlloj si në mbretërinë e mishit. Nuk ka kurrfarë vlere të rilindësh nga kraharori i nënës. Duhet të lindësh nga Lart, nga Qielli.
Këtë ditë Kisha universale në festë, kremton 80-vjetorin e ditëlindjes të Papës Benedikti XVI.
Të martën do të përkujtohet Shën Simeoni, ipeshkëv i Seleuçisë e martir dhe Shën Roberti, abat i Sitosë, festa e të cilëve na nxit të meditojmë se lartimi i Jezusit, dmth Kryqi, është edhe provë e dashurisë atërore të Zotit për ne. Përmes kësaj dhimbjeje të jashtzakonshme del në dritë, lind për jetën e pasosur, bota e re.
Të mërkurën Kisha do të përkujtojë Shën Galdinin, kryeipeshkëv i Milanos e kardinal. Festa e Shenjtit na nxit të meditojmë se të dalësh në dritë do të thotë të besosh në emrin e Birit të Zotit.
Liturgjia e Fjalës, që do të ndjekim të enjten, në kremtimin e festës së Shën Leoni IX papë, na rikujton se Jezusi vjen nga Lart. Ai është Biri që Ati e do: ka marrë Shpirtin Shenjt me begati e gjithçka është lënë në duart e tij. Të mos e pranosh Krishtin, të mos besosh në Birin, do të thotë të meritosh zemrimin e Hyjit.
Përkujtohet edhe dyvjetori i zgjedhjes së Shenjtërisë së Tij, Benediktit XVI në fronin e Shën Pjetrit.
Të premten, festa e Shën Aniçetit, papë dhe e Shën Anjezes nga Montepulçiano, virgjër dominikane, na kujton se Jezusi përkujdeset, me një mrekulli, t’i japë të hajë turmës që e ndiqte. Por ai ka ardhur për një jetë shumë më të lartë e i bën të gjithë ta kuptojnë këtë, duke u larguar nga skena e mrekullisë.
Të shtunën do të përkujtohen Shën Anselmi, kryeipeshkëv i Kënterbërit e doktor i Kishës dhe Shën Apolloni filozof e martir romak. Liturgjia e festës së tyre na nxit të meditojmë se largimi i Jezusit në vende të vetmuara nuk do të thotë se ai i braktis nxënësit e vet. Vetëm kur Krishti është në barkë bashkë me ta, frika zhduket e barka i afrohet bregut aq të dëshiruar.









All the contents on this site are copyrighted ©.