Homelia e Atit të Shenjtë Benedikti XVI në Meshën Shenjte me rastin e 80-vjetorit
të ditëlindjes (Tekst i plotë).
(15.04.2007 RV)Të dashur vëllezër e motra, sipas një tradite të vjetër,
e diela e sotme njihet me emrin e Diela in ‘Albis’. Në këtë të dielë rishtarët e Natës
së Pashkëve mbanin akoma veshjen e bardhë, simbol i dritës, që Zoti u kishte dhuruar
në Pagëzim. Më pas e hiqnin veshjen e bardhë, por ndriçimin që u qe komunikuar, duhet
ta pasqyronin në jetën e tyre të përditshme; flakëzën delikate të së vërtetës e të
së mirës që Zoti ua kishte ndezur ndër zemra, duhet ta ruanin me kujdes, për t’i
dhënë botës tonë pakëz dritë nga drita e mirësia e Zotit. Ati i Shenjtë Gjon Pali
II deshi që kjo e dielë të kremtohej si Festë e Mëshirës Hyjnore: në fjalën ‘mëshirë’,
gjente të përmbledhur e të shpjeguar rishtas gjithë misterin e Shpërblimit. Ai jetoi
nën dy regjime diktatoriale dhe, në kontakt me varfërinë, mungesat e dhunën, provoi
thellësisht pushtetin e errësirës, që sundon edhe mbi kohët tona. Por provoi edhe,
e më fuqimisht, praninë e Zotit që u kundërvihet gjithë këtyre forcave me pushtetin
e tij krejtësisht të ndryshëm e hyjnor: me pushtetin e mëshirës. Është pikërisht kjo
mëshirë që i vë kufi së keqes. Në të gjen shprehjen e vet natyra krejt e posaçme e
Hyjit – shenjtëria e Tij, fuqia e së vërtetës dhe e dashurisë. Dy vjet më parë, pas
Lutjeve të para të Mbrëmjes të kësaj Feste, Gjon Pali II përfundonte jetën e vet
tokësore. Duke vdekur, ai hyri në dritën e Mëshirës Hyjnore nga e cila, përtej kufijve
të vdekjes e duke u nisur nga Zoti, sot na flet në një mënyrë krejt të re. Kini besim
– na thotë – në Mëshirën Hyjnore! Bëhuni ditë për ditë burra e gra të mëshirës së
Hyjit! Mëshira është petku i dritës që na dhuroi Zoti në Pagëzim. Nuk duhet ta lemë
këtë dritë të shuhet; përkundrazi, ajo duhet të rritet në ne ditë për ditë për t’i
çuar kështu botës lajmin e gëzuar të Zotit. Pikërisht në këto ditë, posaçërisht
të ndriçuara nga drita e Mëshirës Hyjnore, bie një datë kuptimplote për mua: mund
ta kthej vështrimin pas për të kundruar 80-vjet jete. I përshëndes të gjithë ata që
erdhën sot këtu për ta kremtuar së bashku me mua këtë përvjetor. Përshëndes edhe zotërinjtë
kardinaj e, në mënyrë të posaçme, zotin kardinal Angelo Sodano, që më uroi në emër
të të gjithëve. Përshëndes kryeipeshkvijtë e ipeshkvijtë, ndërmjet të cilëve ipeshkvijtë-ndihmës
të dioqezës; përshëndes prelatët e anëtarët e tjerë të klerit, rregulltarët e rregulltaret
si dhe të gjithë besimtarët e pranishëm. Një përshëndetje plot mirënjohje u drejtoj
personaliteteve politike dhe anëtarëve të Trupit Diplomatik, që më nderuan me praninë
e tyre. Përshëndes, më në fund, përzemërsisht, të dërguarin personal të Patrikut ekumenik
Bartolomeu I, Hirësinë e Tij Joanis, Metropolit i Pergamos, duke i shprehur vlerësimin
për gjestin fisnik e duke uruar që dialogu teologjik katoliko-ortodoks të vijojë me
zell të përtërirë Jemi mbledhur këtu për të reflektuar mbi një periudhë jo të shkurtër
të jetës sime. Natyrisht, gjatë liturgjisë nuk duhet të flasim për vetveten; gjithsesi
jeta mund të shërbejë për të kumtuar mëshirën e Hyjit: “Ejani e dëgjoni, ju të gjithë
që e druani Zotin, e do t’ju tregoj ç’ bëri Ai për mua”, thotë Psalmi (65[66],
16). E kam shikuar gjithnjë si dhuratë të madhe faktin që jam lindur e rilindur
njëkohësisht, në të njëjtën ditë, nën shenjën e fillimit të Pashkëve. Kështu, në të
njëjtën ditë, u linda si anëtar i familjes sime e i familjes së madhe të Hyjit. Po,
e falënderoj Zotin se më dha mundësinë të provoj ç’do të thotë ‘familje’; munda të
kuptoj edhe ç’do të thotë atësi, e prej këndej, pse Zoti quhet Atë; mbi bazën e përvojës
njerëzore m’u hap rruga, e cila çon tek Ati i dashur, që është në qiell. Kemi përgjegjësi
të madhe para Tij, por në të njëjtën kohë Ai na mbush me besim, sepse në drejtësinë
e tij tejduket gjithnjë mëshira e mirësia me të cilën pranon edhe ligështitë tona
e na ndihmon që, hap pas hapi, të mësojmë për të ecur përsëri drejt. Falënderoj Zotin
që munda të provoj thellësisht ç’do të thotë mirësi amtare, gjithnjë e gatshme për
atë që kërkon strehë e në këtë mënyrë, edhe e aftë për të më dhënë lirinë. Falënderoj
Zotin për motrën time e vëllaun tim, sepse i pata gjithnjë pranë e nuk ma kursyen
kurrë ndihmën në rrugën e gjatë të jetës, falënderoj Zotin për shokët që takova gjatë
rrugës sime, për këshilltarët e miqtë që Ai më dhuroi. E falënderoj në mënyrë të veçantë
sepse që nga dita e parë e jetës, munda të hyj e të rritem në bashkësinë e madhe të
besimtarëve, në të cilën të hapet para kufiri ndërmjet jetës e vdekjes, ndërmjet qiellit
e tokës; e falënderoj, sepse munda të mësoj shumë gjëra, duke përvetësuar urtinë e
kësaj bashkësie, në të cilën përfshihet jo vetëm përvoja njerëzore, por edhe vetë
urtia e Hyjit, Dija e pambaruar. Në leximin e parë të kësaj së diele na tregohet
se, në zanafillën e Kishës në fasha, njerëzit i mbartnin të sëmurët ndër sheshe në
mënyrë që, kur të kalonte Pjetri, t’i mbulonte hija e tij: mendonin se kjo hije kishte
forcë shëruese. E kjo hije, në të vërtetë, vinte nga drita e Krishtit e prandaj kishte
në vetvete diçka nga forca e mirësisë së Tij hyjnore. Hija e Pjetrit, përmes bashkësisë
së Kishës katolike, u shtri mbi jetën time që në fillim, e unë e kuptova se ajo ishte
hije e mirë – hije shëruese, sepse vjen nga vetë Krishti. Pjetri ishte njeri e, prej
këndej, me të gjitha ligështitë njerëzore, por mbi të gjitha, ishte njeri përplot
me besim të pasionuar në Jezusin, ishte përplot me dashuri për Të. E pikërisht përmes
fesë e dashurisë së tij, forca shëruese e Krishtit, forca unjësuese, arrinte tek njerëzit,
ndonëse e përzjerë me gjithë ligështinë e Pjetrit. Ta kërkojmë edhe sot hijen e Pjetrit,
në se duam të jemi në dritën e Krishtit. Lindja e rilindja; familja tokësore e
familja e madhe e Hyjit – kjo është dhurata e madhe e mëshirës së pambaruar të Zotit,
themeli mbi të cilin mbështetemi. Duke vijuar shtegtimin e jetës, pata pastaj një
dhuratë të re e kërkuese: thirrjen për misionin meshtarak. Në festën e Shën Pjetrit
e të Shën Palit të vitit 1951, kur ne – ishim më se 40 shokë- u ndodhëm në katedralen
e Fraisingen të shtrirë mbi dysheme e mbi ne jehonte lutja drejtuar gjithë shenjtorëve,
vetëdija e varfërisë së qenies sime përballë kësaj detyre, më peshonte rëndë. Por
më ngushëllonte fakti se për ne po kërkohej ndihma e gjithë shenjtorëve të Zotit,
e të gjallëve dhe e të vdekurve. E dija se nuk do të isha kurrë vetëm. Ç’ besim të
patundur ndikonin fjalët e Jezusit të cilat më pas, gjatë liturgjisë së Shugurimit
i dëgjuam nga goja e ipeshkvit plak: “Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq!”. Provova
një ndjesi të jashtzakonshme. Ai, Zoti, nuk është vetëm Zot, por edhe mik. Ai ma vuri
dorën mbi kokë e nuk do të më braktisë kurrë. Këto fjalë shqiptoheshin, në sa na jepej
pushteti për të mbarështuar Sakramentin e rrëfimit e kështu, në emër të Krishtit,
për të falur mëkatet. Është e njëjta gjë që sot e dëgjuam në Ungjill: Zoti hukat mbi
dishepujt e vet. U jep atyre Shpirtin e Tij – Shpirtin Shenjt: “Atyre që ua zgjidhni
mëkatet, u falen…”. Shpirti i Jezu Krishtit është forca e faljes. Është pushteti i
Mëshirës Hyjnore. Të jep mundësinë ta nisësh gjithçka nga fillimi. Miqësia e Jezu
Krishtit është miqësi e Atij që na bën njerëz të cilët falin, e Atij që na fal edhe
neve, që na çliron vazhdimisht nga ligështitë tona e pikërisht kështu, na edukon,
ndikon në ne vetëdijën e detyrës shpirtërore të dashurisë, detyrën për t’iu përgjigjur
besimit të tij me besnikërinë tonë. Në fragmentin e sotëm ungjillor, dëgjuam
edhe rrëfimin mbi takimin e Tomës Apostull me Zotin e ngjallur, që i lejon Apostullit
t’ia prekë plagët e kështu ai e njeh – e njeh përtej identitetit njerëzor të Jezusit
të Nazaretit, në identitetin e tij më të thellë: “Zotëria im e Hyji im!” (Gjn.
20- 28). Zoti i mbart me vete plagët e veta në amshim. Ai është Zot i plagosur;
e la veten të plagosej, pse na deshi. Plagët e Tij tregojnë se Ai na kupton e se
e lë veten të plagoset nga dashuria për ne. Plagët e Tij – ne mund t’i prekim në
historinë e kohës sonë! Sepse Atij vijojnë t’i hapen plagë për ne. Ç’siguri për mëshirën
e tij e ç’ngushëllim na japin! E si na sqarojnë se Ai është “Zotëria im e Hyji im!”.
E na kujtojnë se edhe ne e kemi për detyrë të plagosemi për Të. Mëshira e Zotit
na shoqëron ditë për ditë. Mjafton ta kemi zemrën zgjuar për ta perceptuar. Jemi tepër
të prirur të merremi vetëm me lodhjen tonë të përditshme, që na është imponuar, si
bij të Adamit. Por, në se e hapim zemrën tonë, ndonëse është aq e ngushtë sa të zerë
vetëm vetveten, atëherë mund të vërejmë sa i mirë është Zoti me ne, si mendon për
ne pikërisht në gjërat tona të vogla, për të na ndihmuar kështu të arrijmë tek të
mëdhatë. Duke e shtuar gjithnjë barrën e përgjegjësisë në jetën time, Zoti më dha
vazhdimisht edhe ndihmën e nevojshme për ta mbartur. Shikoj përherë me gëzim plot
mirënjohje sa e madhe është radha e atyre që më mbështesin me lutje; atyre që, me
fenë e dashurinë e tyre më ndihmojnë ta kryej ministerin tim, që më falin për ligështitë
e mia, duke parë edhe në hijen e Pjetrit, dritën mirëbërëse të Jezu Krishtit. Prandaj
në këtë orë dëshiroj të falënderoj me gjithë zemër Zotin e ju të gjithë. Dua ta përfundoj
këtë homeli me lutjen e Papës Leoni i Madh, lutje të cilën tridhjetë vjet më parë
e pata shkruar në figuren përkujtimore të shugurimit tim ipeshkvnor: “Luteni Zotin
tonë të mirë, që në ditët tona të na e forcojë fenë, ta shumfishojë dashurinë e ta
shtojë paqen. Ai më bëftë mua, shërbëtorin e tij të mjerë, të përshtatshëm për ta
kryer detyrën që më ngarkoi e të vlefshëm për përfocimin tuaj e më dhëntë edhe forcën
për ta kryer një shërbim të tillë që, së bashku me kohën e dhuruar, të ma shtojë përkushtimin.
Amen.