2007-04-14 13:56:10

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Diela e II-të e Pashkëve “C”


(14.04.07. RV)RealAudioMP3 Mosbesimi i Tomës na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit, dhe inkurajon të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Krishti i ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja.
Fjalët e Shën Tomës, besojma e tij e fesë në Krishtin e Gjallë: “Zotëria im e Hyji im!”, na kujton takimin e Krishtit të ngjallur me Apostujt, nënvizon etjen e tyre plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Ky takim nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës.
Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtzakonshëm me të Ngjallurin. Edhe njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë.
“Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.
Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?
“E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”.
Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagë të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.
E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare: Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!
Sa plagë e sa dhimbje në botë: “Mendoj për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin, për rrëmbimet e njerëzve, për mijëra fytyrat e dhunës – nganjëherë të përligjura në emër të fesë - për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin e njeriut”.
Nuk mund të mos i kujtojmë edhe fatkeqësitë e natyrës dhe tragjeditë njerëzore që kanë tronditur kohët e fundit Vendet e ndryshme të botës por në Krishtin e Gjallë e kemi shpresën, më dritën e Ngjalljes së Tij shndriten synimet dhe e ardhmja jonë plot besim e shpresë:
"Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja”.RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.