Nunci Apostolik në Izrael motivon mospjesëmarrjen në përkujtimin e Shoahut. Një mospranim
i dhembshëm por edhe i domosdoshëm
(13.04.07 RV)Vazhdojnë komentet
mbi vendimin e nuncit apostolik në Izrael, mons. Antonio Franko për të mos marrë pjesë
në ceremoninë vjetore të përkujtimit të shfarosjes së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore,
e cila do të mbahet më 15 e 16 prill në Muzeumin e Holokaustit në Jeruzalem. Nunci
ka sqaruar se arësyeja është vendosja e fotografisë së Papës Piu XII në mesin e personazheve,
që kanë kontribuar në Shoah, me një didaskali që vë në dyshim qëndrimin e tij ndaj
persekutimit të hebrenjve nga nazistët. Ndryshimi i tekstit është kërkuar edhe nga
nunci i mëparshëm, mons. Pietro Sambi, që kur është vendosur në muze, në vitin 2005.
Kjo didaskali, që ka sjellë probleme në marrëdhëniet ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe
Izraelit, shqetëson më shumë besimtarët e të dyja feve, apo historianët? Pyetëm historianin
italian të Krishterimit, Xhan Maria Vian, profesor në Universitetin e Romës “La Sapienza”: Dua
të besoj, dua të shpresoj, se është një çështje historike, që ka të bëjë para së gjithash
me historianët e jo aq me besimtarët e të dyja feve. Mendoj se historianët duhet të
bëjnë punën e tyre, me ndershmëri, pa paragjykime, pa përjashtime, duke kuptuar se
ky demonizim, kjo legjendë e zezë mbi Piun XII, lind nga propaganda sovjetike në vitet
e Luftës II Botërore. Ata duhet të hetojnë, pa e deformuar, veprën e aktivitetin e
Papës dhe të Kishës së Romës për të shpëtuar numrin më të madh të mundshëm të hebrenjve
gjatë Luftës II Botërore. E kjo besoj se është një e dhënë e pamohueshme. Nga
ana tjetër, çfarë mendojnë vetë hebrenjtë? Ekziston një debat, edhe ndërmjet tyre,
për ndryshimin e didaskalisë së fotografisë së Papës Piu XII, por për një opinion,
intervistuam ambasadorin e Izraelit pranë Selisë së Shenjtë, Oded Ben-Hur: Ne
jemi të mendimit se ky debat i vështirë, i dhimbshëm, nuk duhet të ketë asnjë ndikim
mbi përpjekjet serioze, të vërteta të Izraelit dhe të Shtetit të Vatikanit, të cilat
vazhdojnë që prej 13 vjetësh, për të përforcuar marrëdhëniet e për të shkuar drejt
pajtimit të vërtetë. Nuk mund të mos kujtojmë hapat historike të Papës Gjon Pali II
dhe të Papës aktual, vizitën në Këln, në Aushvic e kështu me radhë. Në emër të këtij
vëllazërimi, duhet të merren parasysh, të respektohen ndjenjat e popullit hebraik.
Dhjetra mijëra të mbijetuar që janë akoma gjallë, bartin një lloj të vërtete, që është
e ndryshme nga ajo e Vatikanit. Ne themi diçka të thjeshtë: sapo të jetë e mundur
të shihen, të lexohen, të shqyrtohen dokumentat e Vatikanit, që flasin për vitet e
luftës, do të jetë e mundur të arrihet në një gjykim historik.