2007-04-12 17:32:56

Muzika, mjet dialogu e miqësie ndërmjet Kishës katolike e ortodokse: kështu shkruhet në një mesazh të kardinalit Pol Pupar.


(12.04.2007 RV)Dialogu ndërmjet kulturës aziatike e asaj evropiane, në rrugën e shkëmbimeve e të miqësisë, shkrihen e bëhen melodi: këto janë fjalët e para që kryetari i Këshillit Papnor të Kulturës dhe Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Pol Pupar, shkruan në mesazhin e urimit, dërguar në Moskë me rastin e koncerteve të organizuara dje e sot nga Fondacioni ndërkombëtar ‘Accademia Arco’ .
Skena e takimeve muzikore ishte Katedralja katolike e Zojës së Papërlyer dhe Shtëpia ndërkombëtare e muzikës. U ndoqën “Katër stinët” e Antonio Vivaldit dhe ‘Stabat Mater’ e Gjoakino Rosinit, kënduar nga koret e bashkuara të Akademisë Filarmonike Romake dhe Kapelës Jurlov, shoqëruar nga orkestra romake “Miqtë e harmonisë” dhe Orkestra Filarmonike ruse.
Muzika – shkruan kardinali Pupar- shprehje sublime artistike, përçuese e ndjenjave të larta të shpirtit njerëzor, poezi simfonike e trillit krijues dhe e zemrës të qytetërimeve e të popujve, jep këtu, në Moskë, një shembull të shkëlqyer të dialogut ndërmjet kulturave. Ajo bëhet kështu kasnece dhe interpretuese e dialogut dhe e miqësisë ndërmjet Lindjes e Perëndimit e – shton kardinali – edhe ndërmjet dy Kishave motra, asaj ortodokse e asaj katolike, sivjet më të bashkuara se asnjëherë tjetër nga kremtimi i njëkohshëm i Solemnitetit të Pashkëve. Kardinali Pupard thekson në mënyrë të veçantë detyrën e muzikantëve të cilët – pohon, duke cituar ‘Letrën drejtuar artistëve’ nga Shërbëtori i Zotit, Gjon Pali II, na prijnë drejt Oqeanit të bukurisë, ku mahnitja bëhet admirim; dehja nga forca e krijimit, gëzim i papërshkrueshëm. Së fundi Hirësia e Tij nënvizon lidhjen e ngushtë ndërmjet muzikës e përshpirtërisë, sepse pentagrami, si “shprehje e shpirtit”, është urë që çon në përvojën fetare e thirrje për të hyrë në Mister e kjo, sepse është gjithnjë në kërkim të së bukurës, fryt i krijimtarisë që i kapërcen kufijtë e së përditshmes. Atëherë nuk kemi të bëjmë vetëm me art, por edhe me përshpirtëri. Në këtë kuptim, bukuria e transmetuar nga muzika është joshje për të mbinatyrshmen, ftesë për të shijuar jetën e për të ëndëruar të ardhmen, gjë që të ngjall mallin e mistershëm për Zotin!







All the contents on this site are copyrighted ©.