2007-04-12 17:32:33

Imzot Miliore në OKB: të promovohet dinjiteti i njeriut për të siguruar zhvillimin e vërtetë.


(12.04.2007 RV)Edukimi është investimi më i mirë për zhvillimin: këtë nënvizoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Kombeve të Bashkuara të Nju Jorkut gjatë fjalimit, mbajtur në sesionin e 40-të të Komisionit të OKB-së për Popullsinë dhe Zhvillimin. Prelati ritheksoi rëndësinë e politikave që kanë në qendër të vëmendjes dinjitetin e njeriut, posaçërisht në një botë e cila në vitin 2050 do të ketë 9 miliard banorë, shifër që, ndërmjet tjerash, përgënjeshtron nevojën për rregullimin e shtimit të popullsive kombëtare, siç është propozuar në të kaluarën nga opinionistë ekstremistë. Më pas imzot Miliore kujtoi se pikërisht sivjet mbushen 40 vjet nga shpallja e Enciklikës ‘Populorum Progressio’, në të cilën Pali VI theksoi se njerëzit janë protagonistët e zhvillimit të shoqërisë. Prelati foli edhe për plakjen e popullsisë, posaçërisht në Perëndimin e industrializuar. Në këtë kontekst, imzot Miliore uroi që qeveritë të punojnë për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në të gjitha fazat e jetës, duke gjetur rrugëzgjidhje të përshtatshme, që nuk shikojnë në radhë të parë leverdinë. Prej këndej lind shpresa për krijimin e frymës së solidaritetit real ndërmjet breznive. Vëzhguesi i Vatikanit vuri theksin edhe mbi alfabetizimin, sidomos të grave, të cilat duhet parë si forcë e madhe në shërbim të zhvillimit. Kritikoi, pastaj, ashpër praktikën e papranueshme të asgjësimit të fetuseve, posaçërisht të vajzave, për të kufizuar kështu, shtimin e popullsisë. Duke pasur parasysh Afrikën, prelati pohoi se edukimi dhe kapitali njerëzor janë investimi më i mirë për ardhmërinë e kontinentit.







All the contents on this site are copyrighted ©.