7 vjet më parë vdiste Imzot Robert Ashta, ipeshkëv i Pultit.
(12.04.2007 RV)Ishte e diela e
Pashkëve të Ngjalljes, 12 prill 1998, rreth orës 3 të mbasdites, kur ndërroi jetë
Imzot Robert Ashta, ndërsa kishte kremtuar një Meshë solemne në malet e Dukagjinit
e përgatitej t'i çonte Krishtin eukaristik një malësori që po jepte shpirt në Dushman.
Udhëtonte kështu, mbi mushkë, drejt cakut të fundit të jetës së vet. Lindi në
Shkodër më 22 gusht 1918. Shkollën fillore e të mesme i kreu pranë Kuvendit të Shën
Françeskut në Gjuhadol të Shkodrës. Veshi zhgunin e fretërve të vegjël më 13 korrik
1934 në Troshan, ku kreu edhe vitin e noviciatit. Pas kushteve të përkohshme, më 24
gusht 1935, vijoi të studionte në Shkodër. Më 23 gusht 1939 bëri kushtet e përjetshme
në famullinë françeskane të Thethit. Nga viti 1939 deri më 1941 vijoi studimet filozofike
e teologjike, të cilat i filloi në Sienë, i vijoi dhe i kreu në Motta di Levenza (Treviso). Më
1941 mori urdhërin e diakonatit në Venedik, për t'u shuguruar më pas meshtar në Shenjtëroren
e Zojës së Mrekullive të Motto di Leven-cës. (Treviso). U kthye menjëherë në Shqipëri
dhe nisi shërbimin meshtarak në famullitë më të vështira malore të Dukagjinit e të
Mirditës: më 1944-1946 shërbeu në Curraj të Epër; më 1946-1947 në Baz-Bushkash të
Lurës. Gjatë këtyre viteve qe edhe profesor i matematikës në Liceun françeskan ‘Illyricum’. U
detyrua ta ndërpresë shërbimin meshtarak kur regjimi komunist e thirri nga elteri
për të kryer shërbimin ushtarak. Iu desh të rrokte, me detyrim, pushkën, që deri atëherë
nuk e kishte prekur kurrë me dorë. Si kreu shërbimin, u kthye rishtas në Baz- Bushkash
të Lurës, ku shërbeu nga 1950 deri më 1955. Nga ky vit e deri më 1967, vit tragjik
kur u mbyllën të gjitha institucionet fetare, qe famullitar në Vukël e Selcë. Nga
1974 deri më 1985 punoi si punëtor krahu për ndërtimin e hidrocentralit të Vaut të
Dejës e të Komanit. Më 1990, kur Dom Simon Jubani çoi Meshën e parë të mbas salvimit,
ai ndodhej pranë elterit të kapelës së varrezave, gati për ta vijuar kremtimin, në
se do të ndodhte ndonjë e papritur, së cilës i druheshin të gjithë. Më 18 nëntor
1990 kremtoi Meshën e parë publike në Bajzë. Që nga 10 janari 1992 shërbeu si famullitar
në Laç, duke e zgjëruar shërbimin edhe në Rubik, Baz-Bushkash e Lurë. Pikërisht
në këtë stinë të vonë të jetës, kur i kishte mbushur 75 vjet, ai u thirr për detyrën
e rëndësishme të ipeshkvit. Ishte vetë Papa Gjon Pali II që, gjatë vizitës së tij
në Shqipëri, e shuguroi ipeshkëv të dioqezit të Pultit. E ai, ndonëse tashmë prelat,
vijoi t'i ngjitej maleve të thepisura, herë në këmbë e herë mbi mushkë, me kryqin
e madh të Ipeshkvit fshehur paksa ndër palat e zhgunit. E pikërisht atje, në shtigjet
e rrëpirta, Krishti e thirri nga Pashkët tokësore, në Pashkët pa mbarim të Mbretërisë
qiellore. Ishte 12 prill 1998, e Diela e Ngjalljes!I pyetur, në një intervistë dhënë
Radios sonë më 1997, për qëndrimin e Kishës në situatën e shqetësuar politike të vendit,
dha një përgjigje parimore, me vlerë për të gjitha kohërat: