2007-04-11 17:00:29

Shenjti i ditës: Shën Stanislau ipeshkëv e martir.


(11.04.2007 RV)Mbreti Boleslau i Polonisë (1058-1079) kujtohet nga historia për fitoret e bujshme ushtarake që e fuqizuan shtetin e tij të ri, duke ia zgjëruar kufijtë, në dëm të Rusisë, për vlerësimin e tokave, të cilat i riorganizoi në mënyrë të re, për reformat juridike dhe ekonomike. Por njëkohësisht historiani i parë polak, Vinçenc Kadlubek, e kujton po këtë mbret si njeri të padrejtë, me një jetë tepër të shthurur private. E në sa Boleslau vijonte të ecte në rrugë imorale, u ndesh me një kundërshtar të pamposhtur. Ashtu si Shën Gjon Pagëzuesi përballë Herodit, ipeshkvi guximtar i Krakovisë, Stanislau, e ngriti fuqimisht zërin kundër sovranit, duke e qortuar rëndë e duke i kujtuar se duhet të respektonte jo vetëm të drejtat e vetvetes, por edhe të të tjerëve.
Stanislau kishte lindur rreth vitit 1030 në Shzepanovo, në dioqezin e Krakovisë, nga prindër të varfër. Si kreu mësimet e para ndër etërit benediktinë të Krakovisë, iu krijuan kushtet për t’i plotësuar në Belgjikë, në studentatin e famshëm të Liezhit, ku edhe u diplomua. U kthye menjëherë në atdhe, ku nisi të dallohej për zellin baritor e për veprat e mira, që i realizonte me dashuri e urti. Si vdiq ipeshkvi i Krakovisë, Papa Aleksandri II e emëroi atë në detyrën e lartë. Përveç popullit e klerit, emërimi i tij u prit me gëzim të madh edhe nga vetë Boleslau II, i cili në vitet e para e përkrahu fuqimisht në veprën e ungjillëzimit të të gjithë zonës si dhe në përpjekjen për formimin e klerit shekullar vendas, që duhet të zinte pak nga pak vendin e murgjërve benediktinë në mbarështimin e Kishës polake.
Harmonia ndërmjet ipeshkvit e sovranit nuk zgjati shumë, sepse mbreti i ri dredhoi rrugë e nisi të ecte në gjurmët e t’et. E Stanislau guximtar nuk ngurroi t’i kundërvihej mikut. Kronikat e kohës tregojnë se mbreti, i dashuruar me Kristinën, aristokrate me bukuri të rallë e bashkëshorte e Mieçislaut, e rrëmbeu atë, duke shkandulluar gjithë vendin.
Ipeshkvi sypatrembur e qortoi rëndë e pastaj edhe e mallkoi mbretin, duke ndezur flakë zemrimin e tij. Boleslau II iu përgjigj mallkimit që iu bë para gjithë popullit duke e mbytur imzot Stanislaun në sa çonte Meshë në Kishën e Shën Mikelit. E mbrapshtia e tij kishte arritur deri në atë pikë, saqë e vrau me dorë të vet ipeshkvin trim. I nderuar nga polakët që nga dita e martirizimit të tij, Stanislau u shpall shenjt më 17 gusht 1253 në bazilikën e Shën Françeskut të Asizit e, që asokohe, kulti i tij u përhap me shpejtësi në Evropë e në Amerikë.







All the contents on this site are copyrighted ©.