2007-04-11 16:56:39

Publikohet programi i shtegtimit të Papës në Brazil nga 9 deri më 14 maj.


(11.04.2007 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë publikoi sot programin e vizitës baritore të Papës në Brazil me rastin e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve (CELAM).
Do të jetë shtegtimi i gjashtë apostolik i Benediktit XVI jashtë Italisë pas Ditës Botërore të Rinisë në Këln; vizitës në atdheun e Gjon Palit II, në Poloni; Takimit Botëror të Familjeve në Valencia të Spanjës si dhe vizitave në Bavarinë e tij e në Turqi.
Papa do të niset nga aeroporti i Fiumiçinos paraditen e së mërkurës, 9 maj për në San Paolo: këtu do t’i pëshëndesë brazilianët nga ballkoni i Kuvendit të Shën Benediktit.
Më 10 maj do të takohet, në një vizitë mirësjelljeje, me presidentin brazilian Luis Inasio Lula de Silua e më pas edhe me përfaqësuesit e konfesioneve të krishtera e të feve të tjera.
Në mbrëmje - takimi me të rinjtë në stadiumin bashkijak “Paulo Maçado gji Karvalio.
Të premten, më 11 maj paradite, Papa do të kryesojë Meshën për shenjtërimin e të Lumit Frei Galvao, rregulltar françeskan që ka jetuar ndërmjet viteve 1700 e 1800.
Pasdite, takimi me ipeshkvijtë e Brazilit në Katedral da Sé në San Paolo e pastaj nisja për Aparesida.
Të premten, më 12 maj, Benedikti XVI do të takohet me bashkësinë e Fazenda da Esperansa, ndërsa në mbrëmje, në Shenjtëroren e Aparesidas, tepër të dashur për brazilianët, kushtuar Zojës së Bekuar, Papa do të kryesojë Rruzaren Shenjte me meshtarët, rregulltarët, rregulltaret, seminaristët e diakonët.
Të dielën, më 13 maj, festa e Zojës së Fatimës, në Sheshin përballë shenjtërores së Aparesidas, Papa do të kryesojë Meshën, me të cilën do të hapen punimet e Konferencës V të Përgjithshme të Episkoptatit Latinoamerikan dhe të Karaibeve. Në mbrëmje do të niset drejt Italisë, për të arritur, sipas parashikimit, në aeroportin romak të Çampinos rreth orës 12. 45 të së hënës, 14 maj.
Po si e pret Brazili Papën? Përgjigjet, në mikrofonin tonë, kryeipeshkvi i Aparesidas, Haimundo Damaseno Asis: RealAudioMP3
Përgjigje: - E presim me shumë gëzim, me shumë entuziazëm, e jemi mbledhur në lutje, në Brazil, që ky udhëtim të japë frytet më të mira për Kishën në të gjithë kontinentin tonë.
Pyetje: - Cilat janë, në këtë çast, sfidat e Kishës braziliane?
 Përgjigje: - Ne kemi shumë sfida në Kishën e Brazilit, e jo vetëm në Brazil, por në të gjithë Amerikën Latine. Kemi problemin e sekteve, që janë të shumta e bëjnë shumë njerëz për vete. Kërkojnë të kthejnë një numër sa më të madh të pagëzuarish në rrugën e tyre, duke i larguar nga Kisha jonë. Kjo është sfidë shumë e madhe që duhet përballuar në veprimtarinë tonë baritore, për t’i prerë rrugën largimit të besimtarëve të krishterë dhe kalimit të tyre në bashkësitë sektare. Jemi, pastaj, para krizës së familjes, sfidës së ushtrimit të përditshëm të dhunës në të gjitha qytetet e mëdha të Amerikës Latine, sfidës të mungesës së thellimit në fe nga ana e besimtarëve tonë, sfidës së varfërisë. Një pjesë e mirë e popullsisë sonë vijon të jetojë në mjerim të plotë. Të shumta, pra, sfidat, rreth të cilave sigurisht do të përqendrohet reflektimi e shqetësimi i Konferencës V të CELAM-it.







All the contents on this site are copyrighted ©.