2007-04-11 17:20:09

Lajme nga bota


(11.04.07 RV)Për herë të parë, dje, katër serbë u dënuan për masakrën e Srebrenicës, në Bosnjë, në vitin 1995. Gjykata për krimet e luftës në Serbi u ka dhënë ish-paraushtarakëve gjithsej 58 vjet burg. Anëtarët e njësisë speciale “Akrepët” janë dënuar për vrasjen brutale të gjashtë myslimanëve. Në masakrën e Srebrenicës, u vranë me gjak të ftohtë rreth 8 mijë civilë myslimanë.


Atentat terrorist i dyfishtë i Al Kaidës në kryeqytetin e Algjerisë, ku gjetën vdekjen 30 vetë, megjithëse bilanci është akoma i përkohshëm. Një autobombë shpërtheu sot paradite para selisë së qeverisë, ndërsa tjetra në periferinë lindore të qytetit. I palënduar nga atentati, kryeministri Abdelaziz Belkhadem foli për “akt terrorist kriminal prej frikacaku”. Me një telefonatë në televizionin arab Al Zhazira, organizata Al Kaida ka marrë përsipër autorësinë e dy atentateve.


Kryeministri izraelit Ehud Olmert do të takohet të dielën me presidentin e Autoritetit Palestinez, Abu Mazen. Njoftimi vjen menjëherë pas takimit të ministrit palestinez të Financave me komisaren evropiane për Marrëdhëniet e Jashtme, Benita Ferrero Valdner në Bruksel. Territoret palestineze, tha ministri palestinez, nuk aspirojnë të bëhen një komb lypësish, por mbështetja financiare e bashkësisë ndërkombëtare do të jetë e nevojshme deri në ditën në të cilën Izraeli do të ketë hequr kufizimet e veta. Në këtë moment, për të përballuar problemet e bilancit, duhen një miliard euro. Fondet e Autoritetit palestinez janë bllokuar pas ardhjes së Hamasit në pushtet në janar 2006.
 
Partia shiite e hezbollahëve në Liban nuk e përjashton mundësinë e ndeshjeve të reja me Izraelin, verën e ardhshme dhe konfirmon se grupi po riarmatoset. Zv.sekretari i përgjithshëm i Hezbollahëve, Naim Qasim, i intervistuar nga gazeta britanike “The Guardian”, akuzon Shtetet e Bashkuara të Amerikës se po zhvillojnë një luftë klandestine kundër partisë së tij dhe po armatosin milicitë antihezbollah. Sipas tij, për shkak të presioneve amerikane, nuk është arritur një marrëveshje për pjesëmarrjen e hezbollahëve në qeverinë e Bejrutit.


Betejë e ashpër në Bagdad, në të cilën gjetën vdekjen 24 vetë. 16 të plagosur vetëm në mesin e forcave amerikane. Kryeqyteti irakian ka parë dje ndeshjen më të ashpër me armë që nga fillimi i operacionit të forcave amerikane për rivendosjen e sigurisë. Sot, gjendja duket nën kontroll, por tensioni është i lartë. Ushtria irakiane flet për 29 terroristë e 38 të dyshuar, të arrestuar gjatë 24 orëve të fundit.







All the contents on this site are copyrighted ©.