2007-04-11 16:57:03

Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: mos e mbani për vete por kumtojani botës gëzimin e Krishtit të Ngjallur.


(11. 04.2007 RV)Të dëshmohet e të kumtohet sot - ngjarja që panë e dëshmuan Apostujt dymijë vjet më parë: Ngjallja e Krishtit. Rreth 35 mijë shtegtarëve e besimtarëve, që mbushnin plot Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI u rikujtoi mandatin misionar për ta përhapur në mbarë botën lajmin e madh të cilin – theksoi Papa – të krishterët nuk mund ta mbajnë vetëm për vete. Në përfundim të audiencës, Ati i Shenjtë u nis për në Kastel Gandolfo, prej nga do të rikthehet në Romë të shtunën e ardhshme, në prag të kremtimeve që do të organizohen për nder të 80-vjetorit të ditëlindjes së Tij.
Shën Madalena, Shën Toma, dishepujt e Emausit. Janë të shumta figurat me të cilat njihemi në ditët e Ngjalljes së Krishtit. Secila prej tyre të kujton një takim që e shndërron njeriun në apostull, sepse dje, ashtu si sot – ngjarja e jashtzakonshme e Ngjalljes i duhet kumtuar mbarë botës. Në katekizmin e parë të së mërkurës mbas Pashkëve, Benedikti XVI kujtoi ata që e panë Jezusin e folën me të pas mundimeve e vdekjes së Tij. Maria Madalena, që e kërkon Jezusin ditën e Pashkëve, ose Pjetri e Gjoni që vrapojnë, duke ia kaluar njëri-tjetrit, për të arritur tek varri i zbrazur – tha Papa – mishërojnë modele me vlerë të përhershme, që i kujtojnë njerëzimit garën në kërkim të Krishtit:
“Edhe ne e takojmë Zotin, në se e kërkojmë me shpirt të thjeshtë e të sinqertë. Madje Ai vetë do të vijë të na takojë. Do të na njohë, do të na thërrasë me emër. Do të na bëjë, kështu, ta provojmë në thellësi të shpirtit dashurinë e tij”.
Për dyzet ditë pas Ngjalljes, Jezusi bisedon, ha, takohet me njerëzit. U jep kështu shumë prova atyre që nuk besonin akoma në ngjalljen e tij. Por kjo dukje e Krishtit gjallë, siç shkruan Ungjilli, duhet kuptuar saktësisht:
“Duhet kuptuar mirë se kur autori i Shkrimit Shenjt thotë: “iu duk i gjallë”, kjo nuk do të thotë se Jezusi u rikthye në jetën e mëparshme, si Lazri. ‘Pashkët që ne kremtojmë – vëren Shën Bernardi – do të thonë kalim e jo kthim’. Jezusi nuk u kthye më në gjendjen e mëparshme, por kapërceu kufirin drejt një gjendjeje të re, një gjendjeje më të lumnueshme e më përfundimtare”.
Në këtë këndvështrim atëhere – vijoi Papa - si mund të shpjegohet kontradikta në dukje ndërmjet shprehjes ‘mos më ndal” që Jezusi ia thotë Madalenës dhe ‘vëre gishtin në varren e gozhdave’ që ia thotë Tomës? E pra dy episodet nuk i kundërvihen njëri-tjetrit – shpjegoi në vijim Benedikti XVI- përkundrazi, njëri ndihmon për kuptimin e tjetrit:
“Maria Madalenë dëshiron ta ketë Mësuesin e vet pranë si më parë, duke menduar për Kryqin si për një kujtim dramatik që duhet harruar. Por tashmë për ta takuar, nuk duhet të kthehesh pas, por të krijosh një lidhje të re me të. Duhet shkuar përpara. E kjo ngjet me Tomën: Jezusi ia tregon plagët e veta jo për ta harruar kryqin, por për ta bërë të paharrueshëm edhe për të ardhmen”.
Mund të themi, pra, se provat që sjell Jezusi kanë për qëllim që dishepujt ta prekin me dorë realitetin e jashtzakonshëm të Ngjalljes, të jenë dëshmitarë të drejtpërdrejtë të këtij realiteti që bëhet kështu i ritransmetueshëm në të tashmen e në të ardhmen, ku tashmë është ngulur vështrimi i Zotit:
“Edhe ne, si Maria Madalenë, Shën Toma e Apostujt e tjerë, duhet të jemi dëshmitarë të vdekjes e të Ngjalljes së Krishtit. Nuk mund ta mbajmë vetëm për vete lajmin e madh. Duhet ta marrë vesh gjithë bota se “Kemi parë Zotin”. Virgjëra Mari na ndihmoftë që, me ndihmën e Shpirtit Shenjt, të bëhemi të aftë për ta çuar këtë mesazh kudo që jetojmë e punojmë. Edhe një herë: ‘Gëzuar Pashkët të gjithëve!". Para se ta përshëndeste turmën e grumbulluar nën diellin e fortë të pranverës në Sheshin e Shën Pjetrit e të rikthehej me helikopter në Kastel Gandolfo - ku do të rrijë deri të shtunën e ardhshme, Benedikti XVI u drejtoi një përshëndetje të veçantë pesë mijë besimtarëve, ardhur nga Bazilikata në Romë me rastin e fillimit të vizitës ‘ad Limina’ të ipeshkvijve të tyre. “Ju porosis – tha në përfundim Papa – ta ndërtoni gjithnjë jetën tuaj mbi shkëmbin e fjalës së panjollë të Hyjit, për t’ia kumtuar pastaj besnikërisht njerëzve të kohës sonë. E uroj që festa e Pashkëve të sapo kremtuara, t’ju nxisë t’i afroheni gjithnjë më shumë Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur e të merrni pjesë bujarisht në misionin e bashkësive tuaja të krishtera.







All the contents on this site are copyrighted ©.