Benedikti XVI e nxit Kishën ta përhapë Ungjillin deri në kufijtë më të largët të tokës.
(09.04.2007 RV)“Jemi akoma plot
me galdimin shpirtëror që sjellin kremtimet solemne të Pashkëve në zemrën e besimtarëve.
Krishti u ngjall!” – me këtë brohori e filloi sot Benedikti XVI lutjen e Mbretëreshës
qiellore të së Hënës së Engjëllit, kremtuar në Kastel Gandolfo, ku shkoi që dje pasdite
e ku do të kalojnë një javë, pas impenjimeve të lodhshme të Pashkëve. E ndiqnin, në
një ditë të kthjelltë pranverore, më se trimijë shtegtarë e besimtarë, që kishin mbushur
plot oborrin e edhe sheshin para selisë papnore. Këtij misteri kaq të madh – shpjegoi
Papa – liturgjia nuk i kushton një ditë të vetme, por pesëdhjetë ditë, do me thënë
gjithë Kohën e Pashkëve, që përfundon me Rrëshajët. E Diela e Pashkëve, pastaj
– vijoi Ati i Shenjtë – është një ditë krejtësisht e veçantë, që shtrihet në të gjithë
hapësirën e kësaj jave, deri të dielën e ardhshme, duke formuar kështu Tetëditshen
e Pashkëve. Në atmosferën e gëzimit të solemnitetit, liturgjia e sotme na çon te varri
i Krishtit, ku kishin shkuar Maria e Magdalës dhe Maria tjetër, të nxitura nga dashuria
e pakufishme për Jezusin. Ungjilltari tregon se Krishti iu afrua grave e u tha:
“Mos kini frikë! Shkoni e lajmëroni vëllezërit e mi të më presin në Galile. Atje do
të më shohin!” – vijoi të komentonte Papa - e, si përshkroi gëzimin e jashtzakonshëm
që ndjenë gratë kur e panë përsëri Zotin e ngarendjen e tyre plot entuziazëm për t’u
bërë pjesë në këtë gëzim edhe nxënësve, theksoi se ky gëzim nuk i përket një kohë
të largët, por të gjitha kohërave, nuk është vetëm i të krishterëve të parë, por
i gjithë njerëzve, të çdo kohe e të çdo vendi, sepse Krishti erdhi për të shëlbuar
mbarë njerëzimin: “Edhe neve sot, ashtu si këtyre grave që nuk iu ndanë Jezusit
në orën e mundimeve, i Ngjalluri na përsërit të bëhemi, pa frikë, lajmëtarë e t’i
kumtojmë mbarë botës lajmin e ngjalljes së Tij. S’ka pse të trembet ai që e takon
Jezusin e ngjallur dhe e lëshon vetveten në duart e Tij” – tha Ati i Shenjtë e
më pas i porositi gjithë të krishterët ta përhapin në të katër anët e botës këtë lajm
të madh, që ia ndryshoi rrjedhën historisë njerëzore: “Ky është mesazhi që të
krishterët janë të thirrur ta përhapin deri në kufijtë më të largët të botës. Feja
e krishterë nuk lind nga pranimi i një doktrine, por nga takimi me një Vetje, me Krishtin
e ngjallur”. Në jetën tonë të përditshme – vijoi Papa - nuk mungojnë rastet
për t’ua përcjellë të tjerëve në mënyrë të thjeshtë e bindëse fenë tonë. E duhet
ta kemi mirë parasysh se është më urgjente se kurrë që burrat e gratë bashkëkohës
ta njohin e ta takojnë Jezusin e, në sajë edhe të shembullit tonë, ta lenë vetën të
pushtohen nga Ai. Më pas Benedikti XVI u ndal te figura e Virgjërës Mari në orën
e Engjëllit, që kumtonte Ngjalljen. Ungjilli nuk thotë asgjë për Marinë – shpjegoi
Papa – po tradita e krishterë dëshiron ta kundrojë kur galdon më shumë se kushdo tjetër,
në sa përqafon përsëri Birin e saj hyjnor, të cilin e mbajti me dhimbje të parrëfyeshme
në prehër kur e zbritën nga kryqi. Tani, pas Ngjalljes, Nëna e Shëlbuesit galdon së
bashku me miqtë e Jezusit, që krijojnë Kishën në fasha. Në përfundim të lutjes,
Benedikti XVI u drejtoi përsëri të gjithë besimtarëve e njerëzve vullnetmirë urimin
e festës në vijim: ”Ndërsa u drejtoj të gjithëve urimet më të përzemërta të
Pashkëve, i lutem Mbretëreshës Qiellore ta mbajë të gjallë në zemrën e secilit nga
ne besimin në ringjalljen e të na bëjë lajmëtarë të shpresës e të dashurisë së Krishtit”. Në
këtë të Hënë të Engjëllit, me të cilën zgjatet galdimi i Pashkëve, Virgjëra Mari,
Nëna e Zotit të ngjallur, na nxjerrtë nga Hyji hirin e prehjes e të paqes – tha Papa
dhe u uroi përsëri të gjithëve: Për shumë vjet Pashkët të gjithëve!