2007-04-08 16:22:37

Në Mesazhin Urbi et Orbi – Romës e Botës - të Pashkëve 2007, thirrja prekëse e Papës për paqe në botë (tekst i plotë).


(08.04.2007 RV)Vëllezër e motra të mbarë botës, burra e gra vullnetmira!
Krishti u ngjall! Paqja qoftë me ju! Kremtohet sot misteri i madh, themel i fesë e i shpresës së krishterë: Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuari, u ngjall prej të vdekurve në të tretën ditë, sipas Shkrimeve. Lajmin që engjëjt i dhanë Marisë nga Magdala dhe grave që kishin rendur tek varri në agimin e së parës ditë pas së shtunës, e dëgjojmë edhe sot me emocion: “Pse e kërkoni të gjallin ndër të vdekur? Nuk është këtu! Është ngjallur!”. (Lk. 24, 5-6).
Nuk është e vështirë të përfytyrojmë ç’ndjenë atë ças këto gra: trishtim e tronditje për vdekjen e Zotit të tyre, mosbesim e habi për faktin aq të jashtzakonshëm e aq të vështirë për t’u besuar. Gjithsesi varri ishte i hapur, i zbrazët: trupi nuk ishte më aty. Pjetri e Gjoni, të njoftuar nga gratë, vrapuan tek varri dhe vërtetuan se ato kishin të drejtë. Besimi i Apostujve në Jezusin, në Mesinë e pritur, ishte vënë në provën e vështirë të shkandullit të kryqit. Në sa arrestohej, dënohej e vdiste, ata qenë shpërndarë, ndërsa tani ishin përsëri bashkë, të pavendosur, të çorientuar. Por vetë i Ngjalluri erdhi t’i takonte e t’u shuante etjen plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv ky takim; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës. “Jezusi erdhi, u ndal midis tyre e u tha: “Paqa qoftë me ju!”. (Gjn 20,19)
Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtzakonshëm: Po, Zoti e përmbushi premtimin që na pati bërë; vërtetë u ngjall e ne e pamë e e prekëm! Kështu thanë Apostujt, por Toma vijoi të dyshonte e të ngurronte. Kur Jezusi erdhi për herë të dytë, tetë ditë më pas, në Çenakull, i tha: “Shtjere gishtin tënd këtu e qe, shihi duart e mia! Ma jep dorën tënde e shtjere në kraharorin tim e mos ji njeri që s’beson, por besimtar!”. Përgjigja e Apostullit është besojmë prekëse feje: “Zotëria im e Hyji im!”. (Gjn. 20, 27-28).
“Zotëria im e Hyji im!”. Ta përsërisim edhe ne besojmën tonë të fesë së bashku me Tomën. Si urim për Pashkët e këtij viti, mendova të zgjedh pikërisht fjalët e tij, sepse njerëzimi i sotëm pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë. Në se me këtë Apostull mund të davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues.
Secili nga ne mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë? E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit e na çon drejt zbulimit të fytyrës së tij të vërtetë: fytyrës së një Zoti i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur. Toma mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Një fe që gati-gati kishte vdekur e që rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.
Nga plagët e tij jeni shëruar” (1 Pt. 2,24) – është ky lajmi që u jepte Pjetri atyre që u kthyen të parët në fenë e Krishtit. Këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, sepse shenja të dukshme të falimentimit të Jezusit, po këto plagë u bënë, në takimin me të Ngjallurin, prova të një dashurie ngadhënjimtare. Këto plagë që Krishti i mori për dashurinë tonë, na ndihmojnë të kuptojmë kush është Zoti e të përsërisim edhe ne: “Zotëria im e Hyji im!”. Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!
Sa plagë e sa dhimbje në botë! Nuk mungojnë fatkeqësitë e natyrës dhe tragjeditë njerëzore që shkaktojnë viktima të panumërta e dëme të ndjeshme materiale. Mendoj për atë që ndodhi kohët e fundit në Madagaskar, në Ishujt Salomone, në Amerikën Latine e në zona të tjera të botës. Mendoj për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin, për rrëmbimet e njerëzve, për mijëra fytyrat e dhunës – nganjëherë të përligjura në emër të fesë - për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin e njeriut. E shikoj me shqetësim gjendjen në të cilën ndodhen jo pak zona të Afrikës: në Darfur e në vendet fqinje vijon një situatë humanitare katastrofike e, megjithatë, e nënvleftësuar; në Kinshasa, në Republikën Demokratike të Kongos, ndeshjet e armatosura e plaçkitjet e javëve të fundit krijojnë shumë dyshime për të ardhmen e procesit demokratik kongolez e për rindërtimin e vendit; në Somali, rifillimi i luftimeve e shtyn perspektivën e paqes dhe e bën më të rëndë krizën zonale, në mënyrë të veçantë përsa i përket zhvendosjeve të popullsisë dhe trafikut të armëve; Zimbabve është mbërthyer nga një krizë e rëndë, rruga e vetme për zgjidhjen e së cilës, sipas mendimit të ipeshkvijve të vendit shprehur në një dokument të kohëve të fundit, është lutja e impenjimi i të gjithëve për të mirën e përbashkët.
Për pajtim e paqe ka nevojë popullsia e Timorit Lindor, që përgatitet të jetojë atmosferën e zgjedhjeve të rëndësishme. Për paqe kanë nevojë edhe Sri Lanka, ku vetëm negociatat mund t’i japin fund dramës së konfliktit që e gjakos vendin, e Afganistani, që jeton në një situatë e trazuar dhe të paqëndrueshme. Në Lindjen e Mesme, në se ka shenjave shprese në dialogun ndërmjet Izraelit e Autoritetit Palestinez, nuk vjen, për fat të keq, asgjë pozitive nga Iraku, i mbytur në gjak nga masakrat, në sa popullsitë civile vijojnë të ikin; në Liban amullia e institucioneve politike kërcënon rolin që duhet të luajë vendi në zonën e Lindjes së Mesme e vë rëndë në lojë ardhmërinë. Nuk mundem, më në fund, të harroj vështirësitë e përditshme që përballojnë bashkësitë e krishtera e heksodin e tyre masiv nga Toka e bekuar që është djepi i fesë sonë. Këtyre popullsive u shpreh përsëri përzemërsisht afërsinë time shpirtërore.
Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja. «Ashtu si ju kam dashur unë – u tha Apostujve para se të vdiste - ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! » (Gjn. 13, 34). Vëllezër e motra në fe, që më dëgjoni nga të katër anët e Tokës ! Krishti i ngjallur është i gjallë mes nesh, është Ai shpresa për një ardhmëri më të mirë. Ndësa me Shën Tomën themi : « Zoti im e Hyji im ! », të jehojë në zemrën tonë fjala e ëmbël, por impenjative e Zotit : «Kush do të më shërbejë, le të vijë pas meje. Ku jam unë, atje do të jetë edhe shërbëtori im. Atë që do të më shërbejë, do ta nderojë Ati im » (Gjn 12,26). E edhe ne, të bashkuar me Të, të gatshëm për të shkrirë jetën për vëllezërit tanë (cfr. 1Gjn 3,16), bëhemi apostuj të paqes, lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja, gëzimit të Ngjalljes. Na e nxjerrtë nga Zoti hirin e kësaj dhurate Pashkësh Maria, Nëna e Krishtit të ngjallur. Për shumë vjet Pashkët të gjithëve!







All the contents on this site are copyrighted ©.