2007-04-08 17:29:45

Krishti i Ngjallur nuk është shpresë e kotë. Në Pashkët e Zotit, Benedikti XVI inkurajon besimtarët: edhe mosbesimi i Tomës mund të ndihmojë për të zbuluar fytyrën e Krishtit.


(08.04.2007 RV)Mosbesimi i Tomës na ndihmon të zbulojmë fytyrën e vërtetë të Krishtit: në mesazhin e Pashkëve Benedikti XVI inkurajoi të gjithë njerëzit që e kërkojnë me zemër të pastër takimin me Jezusin, Hyj i vërtetë e njeri i vërtetë, pavarësisht nga dyshimet e pasiguritë. Më pas Papa kujtoi popujt e plagosur nga luftërat e nga terrorizmi dhe i nxiti të krishterët të jenë apostuj të paqes. Mesazhit të Pashkëve dhe Bekimit Urbi et Orbi nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, u parapriu Mesha e madhe e Pashkëve, bashkëkremtuar nga Papa me shumë kardinaj në Sheshin e Shën Pjetrit. Kremtimet u ndoqën në Mondovizon, ndërsa më se njëqind mijë besimtarë morën pjesë në ritin e shenjtë, duke mbushur plot jo vetëm Sheshin vigan para Bazilikës së popujve, por edhe një pjesë të mirë të Rrugës së Pajtimit.
Krishti i ngjallur është shpresë për një ardhmëri më të mirë! Të bashkuar me Të, bëhemi apostuj të paqes e lajmëtarë të një gëzimi që nuk ka frikë nga dhimbja. I shoqëruar nga notat e Surrexit, Benedikti XVI hyn në Sheshin e Shën Pjetrit, ku rrethohet menjëherë nga entuziazmi i jashtzakonshëm i besimtarëve. Është ora 10. 30 e një dite të ngrohtë pranverore. Sipas traditës, edhe sivjet Sheshi i Shën Pjetrit është kthyer në lulishtë: dhuratë e Holandës për solemnitetin e Pashkëve. Ndërmjet ngjyrave të larmishme të pranverës në lulëzim, të bien në sy dy ngjyra: bardh e verdh. Janë ngjyrat e flamurit papnor. Ndërsa përdorimi i kujdesshëm i trëndafilave ngjyrë portokalli, i jep mjedisit një ngjyrim të lehtë tipik holandez. E sivjet gëzimi i Kishës është edhe më i madh, sepse solemnittei i Pashkëve kremtohet në të njëjtën datë nga gjithë të krishterët.
Për ta nënvizuar këtë kumtim koral të Ngjalljes së Zotit që bashkon Kishat e Lindjes e të Perëndimit, gjatë Meshës – që u ndoq në Mondovizion nga 70 televizione të 40 vendeve – u kënduan këngët e Pashkëve që njihen me emrin Stiki e Stikirà të liturgjisë bizantine. Besimtarët u lutën për paqen, për mbrojtjen e jetës, për harmoninë ndërmjet feve të ndryshme. U luten edhe që Ngjallja e Krishtit të gjallërojë në zemrat e të krishterëve dëshirën për t’u impenjuar bujarisht që të arrihet plotësisht bashkimi ndërmjet gjithë të pagëzuarve.
Pak pas mesdite, pasi përfundoi kremtimi eukaristik e pas lutjes mariane të Mbretëreshës Qiellore, Papa u duk në Lozhën qëndrore të Bazilikës së Shën Pjetrit për Mesazhin e Pashkëve dhe Bekimin Urbi et Orbi – Romës e Botës: çast shumë i pritur nga mbarë bota përmes 108 televizioneve që e ndoqën Papën nga 67 vende të ndryshme, edhe nga Shqipëria. Benedikti XVI zgjodhi për urimin e Pashkëve fjalët e Shën Tomës, besojmën e tij të fesë: “Zotëria im e Hyji im!”, kujtoi takimin Krishtit të ngjallur me Apostujt, nënvizoi etjen e tyre plot mosbesim, për të qenë të sigurtë. Benedikti XVI pohoi se ky takim nuk ishte ëndërr, as shpresë e kotë e as përfytyrim subjektiv; ishte i vërtetë, edhe pse i papritur e pikërisht për këtë, edhe më prekës.
Pas këtyre fjalëve, feja gati e shuar në shpirtrat e tyre, u ndez përsëri. Apostujt ia treguan këtë Tomës, që nuk ishte i pranishëm në atë çast të jashtzakonshëm. Edhe njerëzimi i sotëm – vërejti Papa - pret nga të krishterët një dëshmi të re të ngjalljes së Krishtit; ka nevojë ta takojë e ta njohë si Zot të vërtetë e Njeri të vërtetë.
“Në se përmes këtij Apostulli mund t’i davaritim dyshimet e paqartësitë e shumë të krishterëve të sotëm, frikën e zhgënjimet e bashkëkohësve tanë të panumërt, me të mundemi edhe të rizbulojmë, me bindje të re, fenë në Krishtin që vdiq e u ngjall për ne. Kjo fe, e trashëguar brez pas brezi nga pasardhësit e Apostujve vijon, sepse Zoti i ngjallur nuk vdes më. Ai jeton në Kishë dhe i prin pushtetshëm drejt përmbushjes së planit të tij të amshuar shëlbues”.
Secili nga ne – vijoi Papa, mund të tundohet nga mosbesimi i Tomës. Thua s’e venë në provë të rëndë fenë tonë dhimbja, e keqja, padrejtësitë, vdekja, posaçërisht kur peshojnë mbi njerëzit e pafajshëm – për shembull mbi fëmijët, viktima të luftërave dhe të terrorizmit, të sëmundjeve e të urisë?
“E pra, në kundërshtim me çdo arsye të mirë – pikërisht në këto raste, mosbesimi i Tomës bëhet i nevojshëm e i çmuar për ne, sepse na ndihmon të pastrojmë çdo konceptim të rremë të Zotit i cili, në Krishtin, ngarkoi mbi vete të gjitha varrët e njerëzimit të plagosur”.
Toma – vijoi të shpjegonte Papa - mori nga Zoti e pastaj ia përcolli Kishës dhuratën e një feje të vënë në provë nga mundimet e vdekja e Jezusit e të përforcuar nga takimi me Të, të ngjallur. Kjo fe gati-gati e vdekur – reflektoi Ati i Shenjtë - rilindi, falë prekjes së varrëve të Krishtit, plagëve të cilat i Ngjalluri nuk i fshehu, por i tregoi e vijon të na i tregojë në mundimet e vuajtjet e çdo njeriu.
E pikërisht këto plagë, që për fenë e Tomës në fillim ishin pengesë, bëhen prova të një dashurie ngadhënjimtare – pohoi Papa e në vijim theksoi: - Vetëm një Zot që do aq, sa të marrë mbi vete plagët tona e dhimbjet tona, posaçërisht ato të njerëzve të pafajshëm, është i denjë për t’u besuar!
Sa plagë e sa dhimbje në botë! – vërejti me keqardhje Benedikti XVI:
“Mendoj për shuplakën e urisë, të sëmundjeve të pashërueshme, për terrorizmin, për rrëmbimet e njerëzve, për mijëra fytyrat e dhunës – nganjëherë të përligjura në emër të fesë - për përbuzjen e jetës, shkeljen e të drejtave njerëzore e për shfrytëzimin e njeriut”.
Papa kujtoi në vijim fatkeqësitë e natyrës dhe tragjeditë njerëzore që kanë tronditur kohët e fundit Madagaskarin, Ishujt Salomone, Amerikën Latine. E shikoi me shqetësim gjendjen në Darfur e në zona të tjera të Afrikës, ku vijon një situatë humanitare katastrofike e, megjithatë, e nënvleftësuar. Shprehu shqetësim edhe për situatën në Republikën Demokratike të Kongos, ku ndeshjet e armatosura e plaçkitjet e javëve të fundit krijojnë shumë dyshime për të ardhmen e procesit demokratik kongolez e për rindërtimin e vendit. Papa u ndalua më pas në Somali, ku rifillimi i luftimeve e bën të largët perspektivën e paqes, në Zimbabven e mbërthyer nga kriza e në Timorin Lindor, të cilit i uroi pajtim e paqe në atmosferën e zgjedhjeve të rëndësishme. Për paqe - vijoi të kujtonte Benedikti XVI- kanë nevojë edhe Sri Lanka, ku vetëm negociatat mund t’i japin fund dramës së konfliktit që e gjakos vendin, e Afganistani, që jeton në një situatë të trazuar dhe të paqëndrueshme.
Pastaj mendimi i Atit të Shenjtë shkoi, në mënyrë të natyrshme, në Lindjen e Mesme:
“Në Lindjen e Mesme, në se ka shenja shprese në dialogun ndërmjet Izraelit e Autoritetit Palestinez, nuk vjen, për fat të keq, asgjë pozitive nga Iraku, i mbytur në gjak nga masakrat, në sa popullsitë civile vijojnë të ikin; në Liban amullia e institucioneve politike kërcënon rolin që duhet të luajë vendi në zonën e Lindjes së Mesme e vë rëndë në lojë ardhmërinë”.
Ati i Shenjtë, pastaj, nuk mund t’i harronte vështirësitë e përditshme që përballojnë bashkësitë e krishtera e heksodin e tyre masiv nga Toka e bekuar që është djepi i fesë sonë. Këtyre popullsive u shprehu përsëri përzemërsisht afërsinë e tij shpirtërore, për ta përfunduar pastaj Mesazhin drejtuar Romës e Botës me fjalët plot besim e shpresë:
"Të dashur vëllezër e motra, përmes plagëve të Krishtit të ngjallur mund t’i shikojmë me sytë e shpresës këto të këqija që mundojnë njerëzimin. Duke u ngjallur, Zoti nuk e zhduku të keqen, as vuajtjen nga bota, por fitoi mbi ta në rrënjë me begatinë e Hirit të tij. Prepotencës të së keqes iu kundërvu me gjithpushtetin e dashurisë. Na tregoi se në rrugën e paqes e të gëzimit mund të ecet vetëm me Dashurinë që nuk ka frikë nga vdekja”.
Pastaj Benedikti XVI bëri urimet më të përzemërta për Pashkë në 62 gjuhë të ndryshme të botës, nga gjuha shqipe te ajo kineze, nga gjuha amtare gjermane te ajo samoane e pastaj, në gjuhën latine, në gjuhën aramajke më të cilën pati folur Krishti e edhe në gjuhën e shpresës – esperanto. Pas kremtimeve të lodhshme të Javës së Madhe, sot pasdite Benedikti XVI u nis për në selinë e tij të Kastel Gandolfos.







All the contents on this site are copyrighted ©.