2007-04-07 15:46:51

Lutje në Natën e Pashkëve


(07.04.07 RV)O natë, më e bukura e të gjitha netëve,
natë ku lind shpresa,
natë që sheh triumfin e jetës,
natë ringjalljeje.

Natë zjarri:
në udhëkryqin e historisë digjet zjarri i dashurisë tënde
e bëhet strehë, ngrohtësi e forcë,
për të gjithë të prishurit nga urrejtja e nga ligësia.

Natë drite:
në errësirën më të thellë shkëlqen drita
e ndriçon çdo gjë e çdo njeri,
na bën të shohim me një mënyrë të re,
me sytë e tu, me mirësinë tënde.

Natë dëgjimi:
ritingëllon një fjalë e lashtë e gjithnjë e re,
dhe një lajm shqyen heshtjen e vdekjes:
Krishti u ngjall!

Natë uji që rilind e shndërron,
ujë që na bën bij të Zotit,
ujë që lan çdo mëkat,
ujë që dhuron një jetë të re:
uji i Pagëzimit tonë!

Natë buke, të shkrifët e plot aromë,
si jeta jote, o Jezus,
bukë e ofruar,
buke e ndarë me shumë vëllezër:
Korpi yt që vazhdon të përçojë
forcë e shërim, falje e shpresë.

Erdhëm natën,
duke sjellë me vete secili
pjesën e vet të errësirës e të turbullimit,
të lodhjes e të diziluzionit.
Ti, o Zot i Ringjallur, Dritë e botës,
na i ndiz zemrat
e na i mbështill me dritën tënde.
Shqyeje errësirën që peshon mbi shpirtrat tanë
dhe i pengon sytë
të shohin shtegun e jetës.

Erdhëm natën,
në heshtjen më të thellë,
për të dëgjuar një fjalë,
një histori ku dashuria nuk mundet,
ngul këmbë më shumë se tradhtia jonë
më shumë se brishtësia jonë.

Erdhëm natën,
si udhëtarë që ndjejnë deri në thellësi të shpirtit
lodhje e etje që s’shuhet.
Sa herë i kemi hedhur hapat
nëpër shtigje që nuk i mbajnë
premtimet për lumturinë e ardhshme.

Natë e bashkësisë që rigjen fillesat e veta,
që zhvishet nga çdo papastërti,
nga çdo rudhë e nga çdo tradhëti,
për t’u bërë sërish e re dhe e bukur
si në mëngjesin e Pashkëve,
mëngjesi i parë i botës së re!








All the contents on this site are copyrighted ©.