2007-04-05 18:25:48

“T’ia hapim zemrën tonë dashurisë së Krishtit, që e shndërron errësirën në dritë”: nxitja e Papës gjatë Meshës së Bagmit, kremtuar paradite në Bazilikën e Vatikanit.


(05.04.2007 RV)Në Meshën e Bagmit, Papa i foli zemrës së besimtarëve, duke nënvizuar se duhet ta pranojmë dritën e Jezusit, duke e pasur mirë parasysh se njeriu pa dashuri, pa dashurinë e Tij, e ka shpirtin të errët. E në vijim shpjegoi domethënien e thellë të Pagëzimit:
“Ja ç’ ngjet në Pagëzim: ne vishemi me Krishtin, ai na dhuron veshjet e veta e jo vetëm ato të jashtmet. Kjo do të thotë se hyjmë në bashkim jetësor me Të, se qenia e tij me tonën shkrihen, depërtojnë tek njëra-tjetra. Nuk jam më unë që jetoj, po Krishti që jeton në mua”.
Krishti – vijoi Papa – u vesh me petkat tona: me dhimbjen e gëzimin, urinë e etjen, lodhjen e edhe frikën nga vdekja, me të gjitha ankthet tona, deri në fund të fundit. E na dha petkat e tij. Kjo teologji e Pagëzimit rikthehet në mënyrë të re në Shugurimin meshtarak. Edhe në meshtari vërejmë një shkëmbim, përderisa në mbarështimin e Sakramenteve meshtari vepron e flet në emër të Krishtit. Të vihemi në shërbim të Krishtit – shpjegoi Papa – do të thotë ta lemë veten të na tërheqë brënda vetes për të gjithë: të jesh me Të, do të thotë të jesh vërtetë për të gjithë. Kisha – shtoi Ati i Shenjtë – e bëri të dukshëm e të prekshëm realitetin e veshjeve të reja edhe në pamjen e jashtme, përmes rrobave liturgjike. Kemi të bëjmë me një gjest që do të thotë të vishesh me Krishtin, t’i dhurohesh Atij, ashtu si Ai na u dhurua neve.
Kur i afrohemi liturgjisë për të vepruar në vetjen e Krishtit – pohoi Ati i Shenjtë – kujtohemi sa shumë jemi larg tij, sa ndyrësirë ka në jetën tonë. Mendimi shkon menjëherë te ‘Zbulesa’ atje ku lexohet se 144 mijë të zgjedhurit i kishin larë petkat e tyre me gjakun e Qengjit e se në këtë mënyrë ato ishin bërë të bardha si drita:
”Që kur isha i vogël pata pyetur veten: Po kur një gjë lahet me gjak, jam i sigurtë se nuk bëhet e bardhë! Përgjigja është: Gjaku i Qengjit” është dashuria e Krishtit të kryqëzuar. Është pikërisht kjo dashuri që i bën të bardha veshjet tona të ndyra; që e bën të vërtetë e të ndritshëm shpirtin tonë, të pushtuar nga errësira; që, pavarësisht nga të gjitha, na bën ne vetë ‘dritë në Zotin”.
Duhet të kujtojmë – vijoi Benedikti XVI – se Krishti vuajti edhe për ne. Vetëm nga që dashuria e tij është më e madhe se të gjitha mëkatet e mia, mund ta përfaqësoj e të jem dëshmitar i dritës së tij - pohoi Papa i cili i shoqëroi këto fjalë me një reflektim mbi zgjedhën që Zoti u vë meshtarëve:
“Nganjëherë do të dëshironim t’i thoshim Jezusit: Zot, zgjedha jote nuk është aspak e lehtë. Madje është tmerrësisht e rëndë në këtë botë. Por duke e parë, pastaj, atë që mbarti mbi vete gjithçka – që provoi mbi vete nënshtrimin, ligështinë, dhimbjen, errësirën, atëherë këto ankime shuhen. Zgjedha e Tij është të duash së bashku me Të. E sa më shumë e duam Atë e me Të bëhemi njerëz që duan, aq më e lehtë bëhet për ne zgjedha e tij, në dukje tepër e rëndë”.Kjo zgjedhë – tha Papa – na shtyn të shkojmë në shkollë me Të, për të mësuar nga Ai Gjatë kremtimit Benedikti XVI bekoi Vajrat e katekumenëve e të të sëmurëve dhe shuguroi Bagmin, vajin erëkëndshëm për mbarështimin e Pagëzimit e të Krezmimit si dhe të shugurimeve meshtarake e ipeshkvnore. Në përfundim të Meshës u kremtua proçesioni i Vajrave, në të cilin morën pjesë famullitë romake të Shën Marisë ‘Mbretëresha e Botës’, Shën Marisë së Shëndetit, kapelania japoneze dhe famullia e Zojës së Çestokovës.







All the contents on this site are copyrighted ©.