2007-04-05 20:38:34

“Jeta e vërtetë mund të vijë vetëm nga Ai që është Rruga, e Vërteta e Jeta: kështu Papa në Meshën Shenjte të Darkës së Mbrame të Krishtit.


(05.04.2007 RV)Sot pasdite, duke nisur nga ora 17. 30, Benedikti XVI kryesoi, në bashkëkremtim me ipeshkvijtë e meshtarët e pranishëm në Romë, Meshën e Darkës së Mbrame të Zotit. Ishin të pranishëm rregulltarë, rregulltare e sidomos, besimtarë e shtegtarë ardhur në Romë nga të katër anët e botës për të ndjekur nga afër kremtimet papnore të Triditshes së Pashkëve. Kremtimet e ditës së parë nisën paradite në Bazilikën e Vatikanit me Meshën e Bagmit e vijuan pasdite me kremtimin e Darkës së Fundit të Krishtit, në Bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran.
Homelinë e kremtimit të Darkës së Mbrame të Jezusit, Papa e filloi duke kujtuar leximin e parë liturgjik nga Libri i Daljes, i cili na njeh me kremtimin e Pashkëve të Izraelit sipas formës së përshkruar në Ligjin e Moisiut. Në zanafillë – shpjegoi Papa – mund të ketë qenë një festë pranverore e fiseve endacake. Sidoqoftë, për izraelitët u shndërrua në festë përkujtimore, në festë falënderimi e njëkohësisht shprese.
Në qendër të festës së Pashkëve, të kremtuara sipas rregullave e të caktuara liturgjike – shpjegoi Papa – ishte Qengji, simbol i çlirimit nga skllavëria e Egjiptit. Prandaj haggadah – siç quhet në gjuhën hebraike qengji i Pashkëve, ishte i domosdoshëm në gostinë e festës. U kujtonte të gjithëve faktin se ishte vetë Zoti ai që e kishte shpëtuar Izraelin, me dorë të ngritur e krah të shpërvjelur. Ai, Zoti misterioz e i fshehur kishte treguar se ishte më i fortë se faraoni me gjithë pushtetin e tij. Izraeli nuk duhet të harronte se Zoti e kishte marrë personalisht në dorë historinë e popullit të vet e se kjo histori nuk mund të kuptohej pa bashkimin me Hyjin. Prandaj Izraeli nuk duhet ta harronte Zotin!
Fjala përkujtimore shoqërohej me fjalë lavdërimi e falënderimi të shkëputura nga Psalmet – vijoi Papa, duke shpjeguar simbolet e kremtimit të lashtë të popullit të zgjedhur, në sa kryesonte kremtimin e Darkës së Mbrame në Bazilikën romake të Shën Gjonit në Lateran. Falënderimi e bekimi i Zotit – vijoi Ati i Shenjtë – arrinte kulmin e vet në berakha, greqisht elogia ose eucaristia: bekimi i Zotit bëhej bekim për ata që bekonin. Dhurata që i bëhej Zotit, i kthehej e bekuar njeriut. Gjithë kjo krijonte një urë lidhëse ndërmjet së kaluarës e së tashmes, drejt së ardhmes. Izraeli nuk ishte çliruar akoma nga robëria. Kombi vuante ende si popull i vogël në fushën e tensioneve ndërmjet fuqive të mëdha. Kujtimi me mirënjohje i veprimit të Zotit në të kaluarën, në të sotmen bëhet lutje e shpresë: ‘O Zot, përmbushe veprën e nisur! Na e jep lirinë përfundimtare!”.
“Këtë darkë me shumë kuptime – vijoi Papa - Jezusi e kremtoi me të tijtë një natë para mundimeve. Mbi këtë bazë duhen kuptuar Pashkët e reja, të cilat Ai na i dhuroi në Kungimin Shenjt.”.
Në rrëfimin e ungjilltarëve - sqaroi Benedikti XVI - na duket sikur ka një kontradiktë: ndërmjet Ungjillit të Gjonit nga njëra anë, e nga ana tjetër, asaj që komunikojnë Mateu, Marku e Luka. Sipas Gjonit, Jezusi vdiq mbi kryq pikërisht në çastin kur në tempull flijoheshin qengjat e Pashkëve. Vdekja e tij përkoi pikërisht me flijimin e qengjave. Kjo do të thotë se Krishti vdiq Natën e Pashkëve e, prej këndej, nuk mundi ta kremtojë darkën e festës. Kjo është përshtypja që të krijohet.
Ndërsa sipas tre ungjijve sinoptikë, Darka e Mbrame e Jezusit ishte darka e Pashkëve, në formën tradicionale të së cilës Krishti solli të renë e madhe, dhurimin e korpit e të gjakut të vet”.
Kjo kontradiktë deri pak vjet më parë dukej e pazgjidhshme – vërejti Ati i Shenjtë. Shumica e ezegjetëve ishte e mendimit se Gjoni nuk kishte dashur të na e tregonte datën e vërtetë historike të vdekjes së Jezusit, por kishte zgjedhur një datë simbolike, për ta bërë kështu edhe më të dukshme të vërtetën më të thellë:
“Jezusi është qengji i vërtetë që derdhi gjakun e vet për ne të gjithë”.
Zbulimi i shkrimeve të Kumranit ndihmoi për të arritur tek një shpjegim bindës i cili, ndonëse nuk është pranuar ende nga të gjithë, ka shumë mundësi të jetë i vërtetë – tha Papa. Tani – vijoi të shpjegonte Ati i Shenjtë - mund të pohojmë se ajo që thotë Gjoni është historikisht e saktë. Jezusi e derdhi me të vërtetë gjakun e vet Natën e Pashkëve, në orën e flijimit të qengjave. Por ka shumë mundësi që ai t’i ketë kremtuar Pashkët me nxënësit e vet sipas kalendarit të Kumranit, dmth të paktën një ditë më parë – e t’i ketë kremtuar pa qengj, si bashkësia e Kumranit, që nuk e pranonte tempullin e Herodit e ishte në pritje të një tempulli të ri.
“Prej këndej – vijoi komentin biblik Benedikti XVI – mund të mendohet se Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj – por jo, nuk i kremtoi pa qengj, sepse në vend të qengjit ai dhuroi vetveten, dhuroi korpin e vet e gjakun e vet. Kështu përjetoi vdekjen e vet në përkim të plotë me fjalën e tij: “Askush nuk mund të ma marrë jetën, po unë e jap prej vetes”(Gjn. 10,18). Në çastin kur u jepte nxënësve korpin e vet e gjakun e vet, Ai përmbushi pohimin e tij mbretëror. E dhuroi vetë jetën e tij. Vetëm kështu Pashkët e lashta fitonin kuptimin e tyre të ri, të vërtetë”.
Shën Gjon Krizostomi, në katekizmat e tij eukaristike, një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisi? Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”. Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik; simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit.
“Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte ai vetë qengji i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai tempulli i vërtetë, tempulli i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta takojmë Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëheresh Bir e Hyj e njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak mund të shpëtojë”.
Dashuria e Tij – vijoi Benedikti XVI pas këtij kulmi të homelisë – dashuria me të cilën ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti i përmallshëm, në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e të panjollë, gjeti përgjigje në Atë që u bë për ne qengj e tempull njëheresh.
“Kështu - nënvizoi me forcë Papa – në qendër të Pashkëve të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re që na solli Ai. E kështu Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën mund të kremtojmë me apostujt në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet ne”.
Haggadah i Pashkëve, përkujtimi i veprimit shpëtimtar të Hyjit, u bë përkujtim i kryqit e i ngjalljes së Krishtit, përkujtim që nuk ka të bëjë thjeshtë me të kaluarën, por që na tërheq në praninë e dashurisë së Krishtit. E kështu berakha, lutja e bekimit dhe e falënderimit e Izraelit, u bë kremtimi ynë eukaristik, në të cilin Zoti bekon dhuratat tona – bukë e verë – për të dhuruar ndër to vetveten.“T’i lutemi Zotit – tha në përfundim Papa – që ta kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm, ta duam gjithnjë më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi që kungimi shenjt të na tërheqë gjithnjë më shumë brënda vetes e të na ndihmojë të mos e mbajmë jetën tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së bashku me Të, që njerëzit të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm nga Ai që është vetë Rruga, e Vërteta, Jeta”.







All the contents on this site are copyrighted ©.