2007-04-05 20:42:06

E Enjta e Madhe, dita e parë e Triditëshit të Shenjtë të Pashkëve.


(05.04.07 RV)RealAudioMP3 Filloi sot Triditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Zotit e Shpëtimtarit të njerëzimit, Jezu Krishtit.
Misteret që kremtojmë në ritet liturgjike këtyre tri Ditëve të Shenjta të Pashkëve janë përmbajtja thelbësore, burimi e rrënja e të vërtetave dhe vlerave më të larta të krishtera. Me pak fjalë, kremtimet e Triditëshit të Pashkëve janë thelbi e zemra e tërë fesë sonë të krishterë dhe pika themelore e tërë Vitit të Liturgjisë kishtare, e cila na dëshmon veprën e Shëlbimit dhe të Lavdërimit të përsosur të Hyjit Atë të realizuar plotësisht nga Jezu Krishti, përmes flijimit të jetës vet mbi Kryq dhe Ngjalljes nga vdekja.
Me Misterin e Pashkëve, dmth me Mundimet, vdekjen mbi kryq dhe Ngjalljen e tij, Jezu Krishti e ka zhbi e asgjësuar vdekjen duka na çliruar nga robëria e të keqit e mëkatit dhe duke ne ripërtëri jetën.
Kështu pra, sot besimtarët e krishterë kudo në botë, kanë kremtuan të Enjten e Madhe, ditën e parë të Triditëshit të Shenjtë të Pashkëve, e saktësisht sot Liturgjia Hyjnore përmes riteve të shenjta të Enjtës së Madhe, në mënyrë të posaçme e në rend të parë përkujton e kremton zanafillën, themelimin e Eukaristisë së Shenjtë, dmth. themelimin e Meshës së Shenjtë- të Kungimit të Shenjtë. Eukaristia e Shenjtë është misteri qendëror e thelbësor dhe njëherit më i çmueshëm i fesë së krishterë, sakramenti që në vlerat e domethëniet e shumta, bëhët kulmi e gurra e jetës së krishterë, e lutjes liturgjike dhe e misionit kishtar, sikur ka porositur edhe Koncili i II i Vatikanit në mësimet e pasura mbi Eukaristinë.


Po sot Liturgjia ka paraqitur shembullin edhe Urdhërit Meshtarak, të themeluar nga Krishti në Darkën e Mbrame, apo Urdhërin e Dashurisë, të simbolizuar personalisht Jezusi me larjen e këmbëve të Apostujve, të cilin gjest Ai e ripohoi, e shpjegoi dhe dëshmoi deri në fund menjëherë pas Darke në Kopshtin e Ullijve në Gjetsemani.
Gjithnjë në Meshën e quajtur të Bagmit, kremtuar sot para dite në çdo Kishë-Katedrale nga ipeshkvi së bashku me meshtarë, janë bekuar Vajrat e Shenjtë, që shërbejnë për kremtimin e Sakramenteve të Shenjta gjatë tërë Viti Kishtar.
Kështu, të Enjten e Madhe Kisha përkujton Darkën e Mbrame të Jezusit me Apostujt e vet, kremton dhe shpjegon Misteret kryesore të fesë së krishterë.
Kujtojmë edhe një herë se Triditëshi i Mundimeve e Ngjalljes së Krishtit Zot, “kulmi i tërë vitit liturgjik”, që ka filluar sot me Meshën e Darkës së Krishtit me Apostujt, e gjen thelbin e vet në Natën e Pashkëve dhe mbaron me lutjet e Mbrëmësores së Dielës së Ngjalljes.







All the contents on this site are copyrighted ©.