2007-04-04 17:59:13

Triditshja e Pashkëve, qendër e shpresës së krishterë, u shpjegua nga Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit.


ttp://www.archivioradiovaticana.va/storico/ALB/2007/04/files/audio/ra/00073899.RM#Netia_Fn#Ngjarjet dramatike që paraprijnë e pasojnë Mundimet e Krishtit na krijojnë mundësinë të rikuptojmë, në heshtjen e shpirtit, se flijimi i Jezusit është qëndra e jetës sonë, në një botë ku ndjehet fort inflacioni i fjalëve. Është një nga mendimet e Benediktit XVI në katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, ndjekur nga 40 mijë shtegtarë e besimtarë, gjatë së cilës shpjegoi domethënien e Triditshes së Pashkëve, që fillon nesër.
Fillon me një natë, në të cilën dielli ka përenduar jo vetëm mbi tokë, e përfundon me agimin e një dite, ndriçimi i së cilës ia kalon atij të diellit. E ndërmjet këtyre dy skajeve kohore, rijetojmë atmosferën dramatike të Mundimeve të Krishtit që përfundojnë Natën e Pashkëve me britmën e fitores: “Krishti u ngjall, vdekja u mund!”. Këto janë figurat e ngjyrimet që zgjodhi Benedikti XVI për katekizmin e sotëm, përmes të cilit i priu Kishës në misteret e Triditshes së Pashkëve. Nisi me të Enjten e Madhe, kur ndodhen ballpërballë Jezusi e Juda. Takohen, jo rastësisht, natën.
“Kur tradhtari largohet nga Çenakulli, në shpirtin e tij dyndet errësira – nata e shpirtit, në sa në shpirtin e dishepujve të tjerë, hutimi. Edhe ata shkojnë drejt natës, në sa hijet e braktisjes e të urrejtjes bëhen gjithnjë më të dendura mbi Birin e Njeriut që niset për t’u flijuar mbi kryq. Ngjarja që do të rikujtojmë në ditët e ardhshme është ndeshja më e rreptë ndërmjet Dritës dhe Errësirës, ndërmjet Jetës e Vdekjes. Duhet ta ndjejmë veten të pranishëm në këtë ngjarje, të vetëdijshëm për natën tonë, natën e fajeve tona e të përgjegjësive tona, në se duam ta jetojmë me përfitim shpirtëror Misterin e Pashkëve, në se dëshirojmë të fitojmë dritën e zemrës përmes këtij Misteri, që përbën thelbin e fesë sonë”.
E Enjtja e Madhe – vijoi Papa - është dita e emocioneve për meshtarët, dita në të cilën Jezusi, në një farë mënyre, përjeton vdekjen e tij në copën e bukës të Eukaristisë së parë. Por të njëjtët dishepuj që e rrethojnë në këtë çast të fortë bashkimi kishtar, pak më vonë, në orën e agonisë së Mësuesit, do të zhyteshin në gjumë të thellë, gjumë që nuk është i panjohur për të krishterët e ditëve tona – vërejti Papa:
“Shohim se nxënësit fjetën, duke e lënë Zotin vetëm. Edhe ne sot shpesh herë flejmë, ne, nxënësit e tij. Në këtë natë shenjte të Gjetsemanit dëshirojmë të rrimë zgjuar, nuk duam ta lëmë Zotin vetëm”.
Lutja, shoqëruar me pendesë e agjërim është tipari kryesor i së Premtes së Madhe. Skena e Kalvarit, e rrëfyer nga Liturgjia – nënvizoi Papa duke cituar fjalët e Gjon Krizostomit, e paraqet Kryqin sa si simbol të dënimit, aq edhe si burim të paqes. E historia e pabesisë njerëzore, e cila e çon Krishtin drejt vdekjes, rikujtohet hap pas hapi në Udhën e Kryqit, që e mëson të krishterin ta shikojë Krishtin me sytë e zemrës, ashtu si do të bëjmë edhe ne pasnesër në Koloseo – ftoi Benedikti XVI, i cili më pas kujtoi të Shtunën e Madhe, ditën e heshtjes:
“E Shtuna e Madhe është dita në të cilën liturgjia hesht, dita e heshtjes së madhe, e të krishterët ftohen ta kalojnë në lutje. Në inflacionin e fjalëve që dëgjojmë sot, është ditë tepër e nevojshme kjo ditë heshtjeje. Shën Gregori i Madh një herë pati thënë: ‘Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”.
Nata e Pashkëve, me ritet e veta të bekimit të ujit e të zjarrit e me shpalljen e Ngjalljes së Krishtit, bën të shndrisë fytyra gjithnjë e re dhe e bukur e Kishës – tha Papa dhe përfundoi duke u kujtuar besimtarëve se Triditshja e Pashkëve nuk është kujtim i realitetit të së kaluarës, por:“…është realitet aktual: Krishti edhe sot, me dashurinë e tij fiton mbi mëkatin e mbi vdekjen. E keqja, në të gjitha format e veta, nuk do ta thotë fjalën e fundit. Në fund të fundit do të ngadhënjejë Krishti, e vërteta, dashuria. Në se jemi gati të vuajmë e të vdesim me të, do të na tregojë Shën Pali Natën e Pashkëve, jeta e tij do të bëhet jeta jonë. Mbi këtë siguri mbështetet e ngrihet jeta jonë e krishterë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.