2007-04-04 18:10:00

Lajme nga bota


(04.04.07 RV)Sot bie Dita Botërore për sensibilizimin ndaj minave kundër njeriut dhe për bashkëpunimin në luftën kundër tyre. Dhjetë vjet më parë, me nënshkrimin e Konventës së Otauës, minat kundër njeriut dolën jashtë ligjit. Nga 122 vendet e para, tani nënshkruesit kanë arritur në 153. Siç kujton sekretari i përgjithshëm i OKB-së, në mesazhin për këtë ditë, në të gjithë botën janë eliminuar 40 milion mina, por akoma 70 vende kanë këtë problem, me një bilanc që shënon 20 mijë viktima çdo vit. Për t’u vënë në dukje, se ndër shtetet që nuk e kanë firmosur Traktatin, bëjnë pjesë SHBA-të, Kina, India, Pakistani e Irani.


Të ndalohet menjëherë dhuna nga ana e të gjitha forcave të përfshira në të: kjo është thirrja e Grupit të Kontaktit për Somalinë, që u mblodh dje në Kajro të Egjiptit. Prej kohësh po vazhdojnë luftimet ndërmjet trupave qeveritare të mbështetura nga Etiopia dhe milicëve të Kohortave Islamike. Edhe Papa Benedikti XVI ka shprehur shqetësimin e tij të thellë për ngjarjet në vendin afrikan. Ofertat e besimtarëve në meshën e nesërme, që kujton Darkën e Mbrame të Jezu Krishtit dhe që do të kremtohet në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, do t’i jepen Karitasit të Somalisë.


Presidentja e Dhomës së Ulët të SHBA-ve, Nensi Pelozi u prit në Damask nga presidenti sirian, Bashar Al-Asad, para se të nisej për në Riad të Arabisë Saudite, ku do të përfundojë turneu i saj diplomatik në Lindjen e Mesme. Pelozi i ka transmetuar presidentit një mesazh të kryeministrit izraelit, Ehud Olmert, në të cilin Izraeli shpreh gatishmërinë për të filluar bisedime për paqen me Sirinë.
Dje, presidenti amerikan Xhorxh Bush e kritikoi ashpër vizitën e Nensi Pelozit në Siri, duke sqaruar se çdo vizitë e tillë jep sinjale konfuze, që e bëjnë Damaskun të kujtojë se është pjesë e bashkësisë ndërkombëtare, në një kohë kur Siria mbështet terrorizmin.


Masakër në Vaziristanin e Jugut, në Pakistan. Rreth 900 persona të vendit kanë filluar një ofensivë për të përzënë terroristët e huaj, pjesa më e madhe e të cilëve janë çeçenë e uzbekë. Në ndeshjet me armë që vazhdojnë akoma në malet e zonës, në kufi me Afganistanin, kanë gjetur vdekjen 65 vetë, por akoma nuk dihet numri i saktë.


Gjykata Kushtetuese e Ukrainës nuk e ka pranuar dorëheqjen e presidentit të saj, i cili mesa duket nuk dëshiron të ndërhyjë në situatën politike të krijuar në vend. E përbërë nga 18 anëtarë, Gjykata duhet të zgjidhë problemin institucional të krijuar ndërmjet presidentit Viktor Jushçenko nga njëra anë dhe kryeministrit Viktor Janukoviç e shumicës së parlamentit, nga ana tjetër. Deputetët vazhdojnë ndërkaq punën, pavarësisht nga dekreti presidencial për shpërndarjen e parlamentit e për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.








All the contents on this site are copyrighted ©.