2007-04-04 18:02:46

Këshilli i Sigurimit për Kosovën: brenda prillit rezoluta e Grupit të Kontaktit.


(04.04.07 RV)Do të jenë të vështira e të gjata, me përfundim të pasigurtë, diskutimet që filluan mbrëmë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për statusin e Kosovës. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian konfirmuan përkrahjen për planin e Ahtisarit, që parashikon pavarësi të mbikqyrur. Por nuk është i të njëjtit mendim Rusia, e cila dje kërkoi dhe arriti që kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica të dëgjohet nga 15 anëtarët zyrtarisht, si përfaqësues i një shteti, ndërsa presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu të shpjegonte arësyet e shqiptarëve në një sallë ngjitur me atë të mbledhjeve zyrtare të Këshillit të Sigurimit e ta bënte këtë në formë jo zyrtare. Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin do të sqaronte më pas gazetarët se Moska nuk dëshiron të vendosë në të njëjtin plan përfaqësuesin e një shteti me atë të një province.
Ndër propozimet e Rusisë, është ai i dërgimit të një misioni në Prishtinë dhe në Beograd për të parë si është zbatuar rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, gjë që do t’i çonte bisedimet edhe një herë në nivelin e realizimit të standarteve për shqiptarët e Kosovës. Pritet vendimi i Këshillit të Sigurimit, por nëse propozimi miratohet, pa dyshim do të ngadalësojë krejt procesin.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB, Emir Xhons Perri, presidenti aktual i Këshillit, deklaroi se një rezolutë e mundshme për Kosovën do të diskutohet fillimisht në Grupin e Kontaktit, i cili do të mblidhet gjatë këtij muaji. Përshtypja është se politika aktuale e Këshillit të Sigurimit është “me të parë e me të bërë”, prandaj rezultati i diskutimeve është i pasigurtë.
Brenda Bashkimit Evropian, ka vende që kanë shprehur rezerva ndaj planit të Ahtisarit. Parlamenti sllovak ka votuar kundër pavarësisë për Kosovën e Spanja ka frikë se Kosova mund të jetë një precedent i rrezikshëm, që mund të favorizojë aspiratat indipendentiste të baskëve. Gjithsesi, shtetet evropiane janë të bindura se mosndryshimi i gjendjes së Kosovës do të ishte mjaft i rrezikshëm për stabilitetin në Evropë.








All the contents on this site are copyrighted ©.