2007-04-02 17:36:18

Lajme nga bota.


(02.04.07 RV)Televizioni shtetëror iranian transmetoi sërish pamje të ushtarëve britanikë të arrestuar nga Irani. Më parë, radioja iraniane pat deklaruar se të 15-tët kanë pranuar se kanë hyrë pa leje në ujërat territoriale iraniane. Londra ka bërë të ditur se këto “rrëfime” nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e qeverisë së Toni Blerit. Gjatë orëve të fundit, Britania e Madhe ka shpejtuar manovrat diplomatike për të gjetur një kompromis me Iranin. Një zyrtar i lartë i marinës britanike do të shkojë së shpejti në Teheran.


Kancelarja gjermane Angela Merkel ndodhet sot në Liban, nga ku i ka bërë thirrje Sirisë të luajë rol konstruktiv në marrëdhëniet me Bejrutin. Merkel vazhdon turneun e saj në Lindjen e Mesme, ku dje në takimin me palestinezët, theksoi se Bashkimi Evropian nuk do të ketë asnjë kontakt me Ministrat e Hamasit.

Kryeministri izraelit Ehud Olmert propozoi mbajtjen e një konference rajonale për paqen me udhëheqësit arabë, ku do diskutohen idetë për zgjidhjen e konfliktit arabo-izraelit. Palestinezët kanë reaguar menjëherë negativisht.


Cunami në ishujt Solomon në lindje të Papuas Guinea e Re. Në disa vende, vala e oqeanit Paqësor ka arritur deri në 10 metra. Tërmeti që shkaktoi lëvizjen e detit ka qenë 8 ballësh dhe ka shkaktuar deri tani 13 viktima e shumë të zhvendosur, por bilanci është akoma i përkohshëm. Alarm edhe në Japoni e Australi, të cilat kanë mbyllur plazhet lindore e shërbimin e trageteve për disa orë.







All the contents on this site are copyrighted ©.