(02.04.2009 RV)Të panumërta ndërhyrjet e Gjon Palit II për fatet e Kosovës
e të shqiptarëve të krahinës, sidomos në vitet 1998-99, në çaste më dramatike për
vendin e popullsinë. 8 mars 1998: në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa
shpreh shqetësimin për situatën dramatike në Kosovë dhe lutet për popullsitë e munduara. 7
qershor 1998: – Papa i bën thirrje bashkësisë ndërkombëtare për paqe në Kosovë,
prej nga vijojnë të vijnë lajme që flasin për acarimin e situatës: “Jo larg nesh –
thekson Papa – në Kosovë, opcionet e dhunshme, shtypja, ikja e popullsive nuk mund
të mos e shqetësojnë bashkësinë ndërkombëtare, me bindjen se kërkimi i rrugëzgjidhjeve
paqësore, të vendosura në tryezën e bisedimeve, kërkojnë durim e guxim”. 9 gusht
1998: – në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Ati i Shenjtë shprehet: “Mendoj
posaçërisht për banorët e Kosovës, ku dhuna dhe kushtet e jetesës të popullsisë vijojnë
të bëhen gjithnjë më dramatike”. 4 tetor 1998: - Gjatë lutjes të Engjëllit
të Tënzot, Papa i këshillon palët në konflikt të ecin në rrugën e dialogut, ndërsa
i kërkon bashkësisë ndërkombëtare të mos qëndrojë duarkryq, por të japë ndihmesën
e vet që vlerat si mirëkuptimi, respekti reciprok, falja e pajtimi t’i zënë vendin
dhunës e shkatërrimit. 9 nëntor 1998: - Selia e Shenjtë shpreh shqetësimin
e saj thellë për ndërhyrjen e mundshme të armatosur të Natos në Kosovë. Imzot Tauran,
Sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, kujton fjalët e shqiptuara
një të dielë më parë në Split nga Gjon Pali II, pikërisht për gjendjen në Kosovë:
“Bashkësia ndërkombëtare duhet t’i japë sa më shpejt ndihmën e vet Kosovës”. 25
dhjetor 1988: - Në natën e Krishtlindjes 1998 drama e Kosovës është sërisht në
qëndër të vëmendjes së Papës. 3 janar 1999: - Në lutjen e Engjëllit të Tënzot
Gjon Pali II thekson dramën e Kosovës, duke pohuar: “Drama e Kosovës, ku natën e
Krishtlindjes pati ndeshje të reja të armatosura, është përherë e pranishme në zemrën
time”. 11 janar 1999: - Ati i Shenjtë ndalet te situata në Kosovë gjatë
takimit me Trupin Diplomatik akredituar pranë Selsië së Shenjtë, për shkëmbimin e
urimeve të vitit të ri, duke theksuar: “Duhet bërë ç’është e mundur për t’i ndihmuar
kosovarët e serbët të ulen në tryezën e bisedimeve, në mënyrë që t’i jepet sa më shpejt
fund mosbesimit të armatosur, i cili paralizon e vret”. 15 janar 1999: -
Duke pritur në audiencë kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko, Gjon Pali II u
ndal tek domosdoshmëria për gjetjen e rrugëzgjidhjes paqësore në Kosovë dhe tek gjendja
e refugjatëve. Detyra kryesore – u theksua – është të ndahen kundërshtarët e të
çarmatoset agresori; e këtë duhet ta bëjë ai që ka mundësi për ta bërë, dmth bashkësia
ndërkombëtare. Pastaj, me afate të mesme e të gjata, do të jetë e nevojshme të rivendoset
“respektimi i marrëveshjeve” e të ndihmohen serbët dhe shqiptarët të pajtohen”. 20
janar 1999: - Në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Papa bën thirrje për
paqe në Kosovë. 21 janar 1999: - Ati I Shenjtë shtron për zgjidhje problemin
e Kosovës në një telegram drejtuar ipeshkvijve jugosllavë. Përballë ashpërsimit të
krizës – shkruan – e ndjej për detyrë t’u shpreh të gjithë njerëzve të munduar, afërsinë
time atërore, ndërsa u bëj thirrje sërisht udhëheqësve të jetës publike t’i japin
fund spirales së dhunës e të kërkojnë rrugën e dialogut ndërtimtar, duke respektuar
të drejtat e patjetërsueshme të çdo njeriu”. 11 shkurt 1999: - Në emër
të Papës, kardinali Angelo Sodano, sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij, bisedon
me kryeministrin italian, Massimo d’Alema, mbi krizën në Kosovë dhe mbrojtjen e të
drejtave të njeriut, të lirisë fetare e të paqes në vend. 22 shkurt 1999:
- publikohet një Komunikatë e sallës së Shtypit të Vatikanit mbi qëndrimin e Selisë
së Shenjtë, përmes së cilës, pasi vihen në dukje ndërhyrjet e panumërta të Selisë
Apostolike dhe personalisht të Papës Gjon Pali II, urohet të gjindet akoma një rrugëzgjidhje
paqësore e afatgjatë që t’i japë fund konfliktit. 21 mars 1999: - Gjatë
lutjes së Engjëllit të Tënzot, Shenjtëria e Tij flet për situatën e tensionuar në
Kosovë dhe i fton besimtarët të luten për bashkësinë shqiptare, që ka përshkuar një
udhë të vërtetë kryqi e prandaj ka të drejtë të presë rrugëzgjidhje, që respektojnë
historinë dhe të drejtën e saj. 24 mars 1999: - Në audiencën e përgjithshme
Papa dënon sulmin ajror mbi Kosovë dhe i lutet Zotit për dhuratën e paqes në Krahinë
e në mbarë Evropën. 26 mars 1999: Në kapelën e Tij Private, Gjon Pali II
Lutet për paqen në Ballkan. 28 mars 1999: gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot
të së Dielës së Larit, Ati I Shenjtë ngre zërin duke theksuar se është me popullin
që vuan dhe u bën thirrje të gjithëve: Eshtë ora e paqes! Mbi forcat e urrejtjes,
duhet të ngadhënjejnë vëllazërimi e mirëkuptimi. Qofshin këto gema ulliri simbol i
paqes që e dëshirojnë aq shumë popullsitë e zonës ballkanike – uron Papa. Fillon
ndërkaq ndërmjetësia e Vatikanit për paqen në Kosovë. Më 31 mars 1999: -
Papa dërgon në Shqipëri Imzot Cordes, kryetar i Këshillit Papnor Cor Unum, organizëm
i Vatikanit, i caktuar për të asistuar refugjatët e për t’u shpërndarë ndihmat humanitare.
Në mesazhin dorëzuar Prelatit për refugjatët kosovarë, thekson: Fëmijëve, nënave,
pleqve që do të takosh, thuaju se Papa është me ta e me ta do të jetë përherë, derisa
të gëzojnë një paqe të drejtë e të qëndrueshme. Tepër gjak e tepër lot ka parë të
rrjedhin kjo popullsi gjatë gjithë shekullit XX. Ndërsa më 1 prill 1999
dërgon Imzot Jean Louis Tauran, sekretar i Shtetit të Vatikanit për marrëdhniet me
shtetet, në Beograd, me një mesazh të posaçëm për Presidentin e Republikës Federale
të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç. 2 prill 1999: - Në përfundim të
Udhës së Kryqit në Koloseo, të Premten e Madhe, Gjon Pali II pohon: “I përbuzur e
i dëbuar është Krishti në njeriun e munduar e të vrarë në luftën e Kosovës dhe kudoqë
ngadhënjen kultura e vdekjes”. 4 prill 1999: - Në Mesazhin e Pashkëve, Papa
kujton situatën në Kosovë, falënderon dhe uron të gjithë ata që u qëndrojë pranë
refugjatëve, duke i mirëpritur e duke i ndihmuar. 5 prill 1999: - Në të
Hënën e Engjëllit, gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Gjon Pali II bën thirrje
për ndihmë ndërkombëtare në Kosovë, ku – siç shprehet - këmbanat nuk kanë rënë për
festë e ku vijon shkatërrimi, shpërngulja e vdekja. 9 prill 1999: - Ati i Shenjtë
u bën thirrje autoritetve të Republikës Federale të Jugosllavisë të lejojnë hapjen
e një korridori humanitar, për të krijuar mundësitë të arrijnë ndihmat në kufirin
e Kosovës, ku qenë grumbullar masa të mëdha kosovarësh. Për solidaritetin nuk ka kufij
– thekson Papa – por duhet të ketë gjithnjë koridore shprese. 11 prill 1999:
- Duke uruar besimtarët ortodoksë me rastin e Pashkëve, Shenjtëria e Tij kujton
se në ato ditë sytë e besimtarëve ishin plot me vdekje, prandaj bën thirrje që të
heshtin armët e të rifillojë dialogu. 18 prill 1999 – Gjatë audiencës së
përgjithshme të së mërkurës, Papa përsërit thirrjen për paqe në Kosovë e në Jugosllavi.22
prill 1999: - Duke pritur në audiencë Fondacionin Gorbaçov, Ati i Shenjtë rikujton
nevojën për ndërhyrje në favor të paqes në Kosovë, sepse situata e luftës rrezikon
të destabilizojë gjithë Ballkanin.