2007-04-02 20:16:19

Benedikti XVI: dashuria e Gjon Palit II për Zotin e ka mbushur botën!


(02.04.2007 RV)RealAudioMP3 Një turmë e jashtzakonshme besimtarësh u mblodh sot pasdite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ku Benedikti XVI, duke nisur nga orën 17. 30, kremtoi Meshën Shenjte për shpirt të Papës Vojtila, në dyvjetorin e vdekjes së Tij. Në homelinë e rastit Papa Racinger, duke përkujtuar çastin dramatik që jetoi Kisha dy vjet më parë, pikturoi me fjalë prekëse portretin e Paraardhësit të tij, Njeriut që e ndoqi Krishtin në gëzim e në dhimbje, deri në frymën e fundit, duke iu përgjigjur me të gjitha forcat thirrjes së Zotit: ‘Eja pas meje!”.
“Dy vjet më parë - kujtoi Papa në fillim të homelisë - pothuajse në këtë orë, nisej nga kjo botë drejt shtëpisë së Atit Qiellor i dashuri Papa Gjon Pali II. Me këtë kremtim dëshirojmë, mbi të gjitha, të falënderojmë përsëri Hyjin që na e dha për 27 vjet si atë e prijës të sigurtë në fe, si bari të zellshëm e profet të guximshëm të shpresës, si dëshmitar të palodhur e shërbëtor të pasionuar të dashurisë së Hyjit. E njëkohësisht, kremtojmë Meshën për shpirt të tij, duke kujtuar devocionin e madh me të cilin i kremtonte Misteret shenjte dhe adhuronte sakramentin e lterit, qendër e jetës së tij dhe e misionit të tij të palodhshëm apostolik”.
Më pas Benedikti XVI nënvizoi se përvjetori i vdekjes së Papës Vojtila sivjet përkujtohet në rrethana tepër të përshtatshme për gjunjëzim në lutje: dje – kujtoi Papa Racinger - me të Dielën e Larit, filluam Javën e Madhe e liturgjia na bën të rijetojmë ditët e fundit tokësore të Zotit tonë, Jezu Krishtit. Sot na çon në Betani ku, pikërisht gjashtë ditë para Pashkësh, siç vëren Shën Gjoni Ungjilltar – Lazri, Marta e Maria kishin shtruar një darkë për nder të Mësuesit. Rrëfimi ungjillor – shpjegoi Ati i Shenjtë - krijon në përfytyrimin tonë një atmosferë të thellë Pashkësh: Darka në Betani është preludi i vdekjes së Jezusit, simbol i së cilës bëhet vaji i erëkëndshëm që përdori Maria për të lyer këmbët e Jezusit. E ai e pranoi, duke parashikuar varrimin e tij. Por është edhe kumtim i ngjalljes, përmes pranisë së Lazrit të ringjallur, është dëshmi që flet vetë për pushtetin e Krishtit mbi vdekjen. Pëveç atmosferës së Pashkëve – vijoi Papa duke komentuar faqen ungjillore të kremtimit - në Darkën e Betanisë përzjehen gëzimi e dhimbja: gëzim se Pashkët janë afër; dhimbja, sepse për Jezusin mund të jenë të fundit.
Vërejmë një gjest, në këtë perikope ungjillore, që na tërheq fuqimisht vëmendjen e që edhe sot u flet në mënyrë të veçantë zemrave tona: Në një farë kohe, Maria e Betanisë, si merr një enëz me vaj të erëkëndshëm nardi të pastër, nis të lyej me të këmbët e Jezusit, të cilat më pas i fshin me flokët e vet. Eshtë një nga hollësitë e jetës së Krishtit që Shën Gjoni e ruan në kujtesën e zemrës së vet e që ka një ngarkesë të jashtzakonshme shprehëse – vijoi të shpjegonte Papa. Është ngarkesa e dashurisë për Krishtin, një dashuri pa kufi, mahnitëse, si vaji tepër i çmuar që derdhet ndër këmbët e Tij. Një fakt ky që, në dukje, e shkandulloi Judën Iskariot: logjika e dashurisë ndeshej me atë të leverdisë.
Për ne, që jemi mbledhur në kujtim të Paraardhësit tim të nderuar – tha Ati i Shenjtë, në vijim të homelisë - gjesti i lyerjes së këmbëve të Krishtit me vaj nga ana e Marisë, na ngjall shumë kujtime. Na kujton dëshminë e ndritshme të dashurisë pa kushte e pa kursim të Gjon Palit II për Krishtin. Era e këndshme e dashurisë së tij mbushi përplot gjithë shtëpinë, dmth gjithë Kishën. Natyrisht prej saj përfituam ne, që ishim pranë tij, por edhe ata që e njohën nga larg, sepse dashuria e Papës Vojtila për Krishtin vërshoi në të katër anët e botës, aq e madhe, e fortë dhe e thellë ishte. Thua s’flet vetë nderimi, respekti e dashuria që shprehën për të besimtarë e jo besimtarët në çastin e vdekjes? Shkruan Shën Agostini, duke komentuar këtë fragment të Ungjillit të Gjonit: “Shtëpia u mbush me erën e këndshme”; dmth nami i tij i mirë u përhap në të katër anët e botës. Era e këndshme e nami i mirë! Emri i Zotit lavdërohet për meritë të të krishterëve të mirë. Papa Racinger vijoi paralelizmin e tij të gjetur figurativ ndërmjet liturgjisë e figurës së ndritur të Paraardhësit të vet, duke pohuar me forcë se me ministerin e tij të thellë e të frytshëm baritor, e akoma më shumë, me agoninë e me vdekjen e tij të qetë, Papa Vojtila bëri që njerëzit e kohës sonë ta shikonin me sytë e tyre se Jezu Krishti për të ishte me të vërtetë ‘gjithçka’.
“E ne e dimë – tha në vijim Ati i Shenjtë - se fekonditeti i kësaj dëshmie varet nga Kryqi. Në jetën e Karol Vojtilës fjala ‘Kryq’ nuk ishte thjeshtë një fjalë ndërmjet fjalësh. Ai e njohu dhimbjen e vdekjen që kur ishte fëmijë e pastaj edhe i ri. Si meshtar e ipeshkëv, e posaçërisht si papë, e mori tepër seriozisht thirrjen e fundit që Krishti i ngjallur i bëri Simon Pjetrit në bregun e liqenit të Galilesë: “Eja pas meje…. Ti eja pas meje!”. Posaçërisht me përparimin e ngadaltë, por të pandalshëm, të sëmundjes, e cila pak nga pak e zhveshi nga të gjitha, jeta e tij u kthye në flijim për Krishtin, në kumtim të gjallë të mundimeve të Zotit, në shpresë plot fe të Ngjalljes.
Papnia e tij e tij – theksoi Benedikti XVI - qe dhurim i plotë, pa asnjë kusht. Ç’gjë mund ta vinte kështu në lëvizje, përveçse dashuria mistike për Krishtin, për Atë që, më 16 tetor 1978 e kishte thirrur me fjalët e kremtimit: “Magister adest et vocat te” – “Mësuesi është këtu e po të thërret”? Më 2 prill 2005 u rikthye, këtë herë pa ndërmjetës, për ta thirrur e për ta marrë me vete në shtëpi, në shtëpinë e Atit qiellor. E ai, përsëri i gatshëm, si gjithnjë, u përgjigj pa u lëkundur, duke pëshpëritur: “Lermëni të shkoj te Zoti”.
Ai përgatitej prej kohe për këtë takim të fundit me Jezusin – kujtoi Ati i Shenjtë- siç e dokumenton edhe Testamenti i tij. Gjatë orëve që kalonte në Kapelën private, fliste me Krishtin, duke e pranuar plotësisht vullnetin e Tij e duke ia besuar krejtësisht vetveten Virgjërës Mari, në sa përsëriste moton e papnisë së Tij: ‘Totus tuus’. E në vijim, kujtimet e Benedikti XVI u kthyen me emocion të thellë dy vjet mbrapa, në atë natë kur Gjon Pali II e jetonte agoninë, duke u lutur, si Mësuesi i tij Hyjnor. Në ditën e fundit të jetës, nata e së Dielës së Mëshirës Hyjnore – vijoi të kujtonte Ati i Shenjtë – Papa Vojtila kërkoi t’i lexohej pikërisht Ungjilli i Gjonit. Me ndihmën e njerëzve që i qëndronin pranë, shprehu dëshirën të merrte pjesë në të gjitha lutjet e përditshme e edhe në Liturgjinë e Orëve, të bënte adhurimin e meditimin. Vdiq duke u lutur. Vërtetë, fjeti në Tënzonë!
“E e gjithë shtëpia u mbush plot me erën e këndshme të vajit të fesë, të shpresës e të dashurisë të Papës së vdekur; u mbush shtëpia e Sheshi i Shën Pjetrit e mbarë bota. Era e këndshme u përhap ndër të afërt e të largët e i tërhoqi të gjithë drejt njeriut, që Zoti e kishte bërë tepër të ngjashëm me Birin e vet, Krishtin”.
Të dashur vëllezër e motra – vijoi Papa – refreni i Psalmit na vuri në gojë fjalë plot besim. Në bashkësinë e shenjtorëve na duket sikur dëgjojmë zërin e gjallë të të dashurit Gjon Pali II i cili, nga Shtëpia e Atit – e ne jemi të sigurtë për këtë - nuk pushon s’e shoqëruari ecjen e Kishës: “Shpreso në Zotin: bëhu burrë!/ Ji zemërfortë e prite Zotin!. (Ps. 26, 13-14). Po, të forcohet zemra jonë e të zjejë nga shpresa! Me këtë ftesë në zemër ta vijojmë Kremtimin eukaristik, duke e parë tashmë dritën e Ngjalljes së Krishtit, që shkëlqen në Natën pa gjumë të Pashkëve pas errësirës dramatike të së Premtes së Madhe - tha Benedikti XVI - e në përfundim të homelisë u drejtoi të gjithë besimtarëve ftesën:
“Motua ‘Totus tuus’ e Papës së dashur duhet të na nxisë të ecim në gjurmët e tij për t’ia dhuruar krejtësisht vetveten Krishtit, me ndërmjetësinë e Virgjërës Mari; e ndërsa ia besojmë duarve të saj amtare atin, vëllaun e mikun tonë, na e nxjerrtë ajo hirin që Papa Vojtila të pushojë në Tënzonë e të galdojë në paqe. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.