2007-04-01 16:42:58

E Diela e Larit dhe Dita Botërore e Rinisë: Papa i fton të rinjtë të mos kënaqen me atë që mendojnë e bëjnë të gjithë, por të kërkojnë Zotin, që pësoi mundimet për ne.


(01.04.2007 RV)RealAudioMP3 Mijëra të rinj ndoqën sot në Sheshin e Shën Pjetrit, në një ditë të freskët pranverore, Meshën e kryesuar nga Benedikti XVI në të Dielën e Larit e të Mundimeve të Zotit dhe me rastin e Ditës XXII Botërore të Rinisë, kremtuar sivjet në nivel dioqezan, si etapë e fundit e shtegtimit shpirtëror drejt DBR të Sidneit 2008.
Papa i ftoi të rinjtë t’i kundërvihen me guxim dhunës e gënjeshtrës e të mos kënaqen me atë që mendojnë apo që bëjnë të gjithë, por të kërkojnë Zotin, të ndjekin Jezu Krishtin, Mbretin e paqes e të drejtësisë, që pësoi mundimet për shpëtimin tonë.
Benedikti XVI i priu proçesionit mahnitës të së Dielës së Larit nga Sheshi i Shën Pjetrit në tremen e Bazilikës, në një atmosferë përqëndrimi të thellë shpirtëror. Pastaj bekoi palmat e gemat e ullinjve, duke shpjeguar se me këtë proçesion shoqërojmë turmën e dishepujve të cilët, plot gëzim festiv, ndjekin Zotin që hyn në Jeruzalem. E ashtu ai ata, e lavdërojmë me zë të lartë Zotin për të gjitha mrekullitë, që i kemi parë me sytë tonë:
“Po, edhe ne i kemi parë e vijojmë t’i shohim edhe sot e kësaj dite mrekullitë e Krishtit: shohim sesi ai frymëzon burra e gra të heqin dorë nga rehatia e jetës së tyre, për t’u vënë plotësisht në shërbim të njerëzve që vuajnë; sesi Ai u jep guxim burrave e grave t’i kundërvihen dhunës e gënjeshtrës, për t’i bërë vend në botë së vërtetës; sesi Ai nxit burra e gra t’u bëjnë mirë të tjerëve fshehurazi e, pa kërkuar të duken, të çojnë pajtimin ku vret urrejtja, të frymëzojnë paqen, ku mbretëron armiqësia”.
Në proçesionin e Palmave – kujtoi Ati i Shenjtë – shpallim besojmën tonë mbi pushtetin mbretëror të Krishtit, e njohim Jezusin si “Mbret të paqes e të drejtësisë”.
“Ta njohësh si Mbret do të thotë: të pranosh se është Ai që tregon udhën, Ai në të cilin besojmë, Ai që e ndjekim. Do të thotë ta pranosh ditë për ditë fjalën e tij si kriter me vlerë për gjithë jetën tonë. Do të thotë të shikosh në Të pushtetin të cilit i nënshtrohemi plotësisht, sepse pushteti i Tij është pushtet i së vërtetës”.
Papa na nxit t’i themi edhe ne ‘po’ Krishtit e të rinisemi pas tij kudo që dëshiron të na çojë, duke ecur besimplotë në rrugën ku na prin. Po ç’do të thotë konkretisht ta ndjekësh Jezusin? Është fjala për një ndryshim të plotë të jetës tënde shpirtërore, gjë që kërkon shumë:
“Kërkon që unë të mos mbyllem më në unin tim duke e konsideruar vetrealizimin si qëllimin kryesor të jetës. Kërkon që unë t’i dhurohem lirisht një Tjetri – vertetësisë, dashurisë, Zotit që, në Jezu Krishtin më prin e më tregon rrugën. Kërkon të mos i shikoj më dobinë e fitimin, karrierën e suksesin, si qëllimin e fundit të jetës sime, por të pranoj si kritere jetësore të vërtetën e dashurinë. Është fjala të zgjedhësh ndërmjet të jetuarit vetëm për vetveten e dhurimit të vetvetes për diçka shumë më të madhe. E duhet ta kemi mirë parasysh se e vërteta e dashuria nuk janë vlera abstrakte; në Jezu Krishtin u bënë vetje. Duke e ndjekur atë, vihem në shërbim të vërtetësisë e të dashurisë. Duke e humbur vetveten, e rigjej”.
Në liturgjinë e së Dielës së Larit këndohet Psalmi 24, që këndohej edhe në Izrael. Kënga shoqëronte proçesionin që ngjitej në malin e Tempullit. Ky Psalm – nënvizoi Papa – përmes figurës së ngjitjes fizike, simbolizon ngjitjen shpirtërore e shpjegon ç’do të thotë të ngjitesh bashkë me Krishtin. E ata që ngjiten e duan të arrijnë vërtetë lart, duhet të jenë njerëz që kërkojnë Zotin:
“Njerëz që vëzhgojnë rreth vetes për të kërkuar Zotin, për të parë Fytyrën e tij të vërtetë. Të dashur miq të rinj – sa rëndësi të madhe ka kjo, pikërisht sot: të mos ia lejojmë vetes të luhatemi nga fryn era; të mos kënaqemi me atë që mendojnë, thonë e bëjnë të gjithë. Të hetojmë rreth vetes në kërkim të Zotit. Të mos lejojmë që në shpirtin tonë të zhduket dëshira për ta gjetur Zotin. Dëshira për Atë që është gjëja më e madhe. Dëshira për ta njohur Atë – fytyrën e Tij…”.
Në se dëshiron vërtetë të ngjitesh – na kujton Psalmi - duhet të plotësosh një kusht: t’i kesh duart të pafajshme e zemrën, të pastërt:
“Duar të pafajshme janë duart që nuk përdoren për akte dhune. Janë duart që nuk janë njollosur me korrupsion, me ryshfete, me favorizime. Zemër e pastër – po, kur është zemra e pastër? E pastër është zemra që nuk shtiret, që nuk e njollos vetveten me gënjeshtra e hipokrizi. Që mbetet e tejdukshme si uji i burimit, sepse nuk e di ç’do të thotë të jesh mësallë me dy faqe. E pastër është zemra që nuk dehet nga vetkënaqësia; zemra në të cilën dashuria është e vërtetë e jo pasion i çastit. Duar të pafajshme e zemër të pastër: në se ne ecim me Jezusin, pastrohemi e ngjitemi vërtetë në lartësinë për të cilën njeriu është paracaktuar: në lartësinë e miqësisë me vetë Zotin”.
Në liturgjinë e vjetër të së Dielës së Larit – kujtoi Papa – meshtari, sapo arrinte para Kishës, trokiste fort me Kryqin e proçesionit në portën ende të mbyllur, që pas kësaj trokitjeje, hapej… figurë kjo tejèt e bukur për misterin e vetë Jezu Krishtit që, me drurin e Kryqit të vet, me forcën e dashurisë së vet që dhurohet, troket, nga ana e botës - në portën e Hyjit; nga ana e një bote që nuk po e gjente më rrugën për të hyrë te Hyji Atë:
“Me Kryq Jezusi hapi në dy kanatat portën e Hyjit, portën ndërmjet Hyjit e njerëzve. Tani ajo është e hapur. Por Zoti troket me Kryq edhe nga ana tjetër: troket në portat e botës, në portat e zemrave tona, që tepër shpesh e tepër me shumicë janë të mbyllura për Hyjin. E na flet pak a shumë kështu: “Në se provat që Zoti të jep në krijim për ekzistencën e tij nuk arrijnë të të bëjnë t’ia hapësh zemrën; në se e ndjek me indiferencë fjalën e Hyjit e mesazhin e Kishës, atëherë më shiko mua, Zotin që u mundua për ty, që vuan personalisht me ty – shiko se unë vuaj për dashurinë tënde e hapma zemrën, mua e Hyjit Atë”.
Na ndihmoftë Zoti t’ia hapim dyert e zemrave – u lut Papa – që kështu Ai, Zoti i gjallë, të mundet nëpër Birin e vet të arrijë në kohën tonë, të arrijë në jetën tonë.
Si kreu Meshën, Ati i Shenjtë i përshëndeti shtegtarët, e posaçërisht të rinjtë, në gjuhë të ndryshme të botës.
U kujtoi, pastaj, të gjithëve urdhërimin e Krishtit, që është edhe tema e Ditës XXII Botërore të Rinisë: «Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! ». Në përfundim uroi që të gjithë ta jetojnë Javën e Madhe me fryte shpirtërore, në bashkim të thellë me Virgjërën Mari:
 «Prej saj mësojmë heshtjen shpirtërore, aftësinë për të parë me sytë e zemrës, fenë plot dashuri që na shtyn ta ndjekim Jezusin në udhën e Kryqit, e cila na çon në dritën gazmore të Ringjalljes ».







All the contents on this site are copyrighted ©.