2007-03-31 14:17:26

Liturgjia e Fjalës së Zotit e Dielës së Larit “C”. Një javë për të ndriçuar të gjitha javët!


(31.03.07 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës. Kësaj herët do të ndalemi tek Liturgjia e Fjalës së Zotit të Dielës së Larit apo të Dielës së Luleve, me të cilën Kisha e fillon Javën e madhe dhe të Shenjtë të Pashkëve.
Sikur përmendem, liturgjia hyjnore e kësaj të diele përkujton hyrjen solmne të Birit të Zotit, Jezu Krishtit në Jeruzalem dhe historikun e mundimeve të Tija. E Kisha, dëgjues të nderuar, na thërret të hyjmë në Javën e Madhe e të Shenjtë të Pashkëve, duke kundruar e kremtuar misteret themelore të fesë së krishterë: kremtimin e mundimeve, të vdekjës mbi kryq dhe të ngjalljës së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.
Kështu, Liturgjia e Fjalës së Zotit e kësaj së diele na propozon dy ngjarje e momente ngusht të lidhura mes tyre: përkujtimin e hyrjes së Jezusit në Jeruzalem dhe mundimet e Tij. Në liturgji të kësaj të diele të Larit kemi dy pjesë: pritjen solmne dhe të hareshme rezervuar Jezusit nga më të vegjëlit e nga populli i Jerusalemi, që simbolizohet nga Riti i bekimit të degëve të ullive apo të degëve të pemëve të lulëzuara, para Meshës. Më pas vijon kumtimi i Ungjillit që tregon pikërisht hyrjen e Jezusit në Jerusalem, pastaj procesioni i besimtarëve me degë ullijsh e lulësh të bekuara deri në Kishë. Këtu, brenda Kishe vijon pjesën e dytë e Liturgjisë së Dielës së Larit me kremtimin e Meshës së Shenjtë, gjatë së cilës tregohet e përshkohet shpirtërisht historia e mundimeve të Jezu Krishtit Zot e Shëlbues të njerëzimit.
Për besimtarët e krishterë të ndjekësh Jezu Krishtit domëthënë të jesh bashkë më Të në momente të lavidshme e në momente të mundishme. Drama e Mundimeve të Jezusit na sjell e thërret të vështrojmë Birin e Zotit, për ne të përvujtëruar, të shpotitur, të kryqëzuar mbi kryq, ku Ai vdes për shpëtimin tonë. Po në Krishtin e Kryqëzuar jemi të thirrur të gjejmë dometënien e ekzistencës dhe udhën e jetës që buron nga përdëllimi i Zotit. E në historikun e mundimeve të Krishtit, sipas Lukës Ungjilltar, nënvizohet në mënyrë të posaçme pikërisht përdëllimi Hyjnor që dëftohet e shkelqen në Jezu Krishtin. Pra do të kundrojmë Jezusin Zot, besnik deri në vdekje ndaj planit e vullnetit të Atit Qiellor dhe besnik ndaj dashurisë për shpëtimin e njerëzimit mbarë.
Jezusi hynë ngadhënjimtar në Jerusalem, për t’u dënuar pak ditë pas me vdekje çnderuese e të përbuzshme mbi kryq: është paradoksi i krishterimit. Jezusi që përvujtërohet deri në vdekje, për dashuri, do të jetë Ai që Zoti do ta ngjallë: Ai që duke ngjadhënjyer mbi vdekje do të përurojë një të ardhme plotë shpresë për të gjithë.
Nga liturgjia hyjnore e dielës së larit, ne do t’i bartim degët e palamve e të ullijve me vete në shtëpitë tona, për të kujtuar hosanën, takimin tonë me Zotin që vjen në tek ne për lumturinë e shëlbimin tonë, për të kujtuar e pranuar kudorherë bekimin e paqen Hyjnore por edhe për të qenë të gatshëm të pranojmë kurorën e martirizimit, kurorën e fljimit të jetës për dashuri.
Për besimtarët e krishterë, kremtimi i riteve fetare nuk është spektakël por pjesëmarrje në mistere të fesë, në mundimet, vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit, Zotërisë së jetës së amshuar. E tani dëgjues të nderuar, ta dëgjojmë pjesën ungjillore që na përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem dhe një fragment nga historia e mundimeve… lexo leksionarin….
Komentin e Liturgjisë së Fjalës së Zotit të kësaj së diele, nga dom Ndue Gjergji nga SHBA. Ta dëgjojmë…RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.