2007-03-30 17:33:03

Të favorizohet dialogu ndërmjet kulturave për të promovuar paqen e zhvillimin: kështu Papa ambasadores së re të Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë.


(30.03.2007 RV)Dialogu ndërmjet kulturave e feve, impenjimi ekumenik dhe rrënjët e krishtera të Evropës ishin temat e forta që preku Benedikti XVI në fjalimin drejtuar ambasadores së re të Ukrainës pranë Selisë së Shenjtë, zonjës Tetiana Izhevska, të cilën e priti sot në Vatikan për paraqitjen e letrave kredenciale. Papa i drejtoi Ukrainës ftesën për të vijuar rolin e saj tradicional si urë që lidh Lindjen me Perëndimin.
Më pas iu përgjigj me një falënderim të përzemërt ambasadores së re, që e ftoi të vizitojë Ukrainën dhe i kujtoi gjurmët e thella që la në këtë vend Gjon Pali II gjatë shtegtimit të tij apostolik në vitin 2001.
Benedikti XVI u ndal në mënyrë të posaçme tek rrënjët e krishtera të Evropës. Urkaina - vërejti Papa – ka qenë gjithnjë urë ndërmjet Lindjes e Përendimit. E tregon këtë edhe politika e hapjes dhe e bashkëpunimit me vendet e tjera të Kontinentit që po ndjek Kievi vitet e fundit. Prandaj shprehu besimin se Ukraina, me histori, kulturë dhe institucione thellësisht të frymëzuara nga Ungjilli, do t’ua transmetojë edhe kombeve të tjera gjallërinë e identitetit të saj, pa harruar t’i ruajë karakteristikat e orgjinës.
Ati i Shenjtë shprehu më pas kënaqësinë e tij për mbrojtjen e lirive fetare, përmasë themelore e lirisë së njeriut, nga ana e shtetit në Ukrainë.
Pastaj vijoi të fliste kryesisht për dialogun ekumenik. Duke iu drejtuar katolikëve në Ukrainë, Benedikti XVI nënvizoi se Kisha kujdeset për dialog të përhershëm ndërmjet dy traditave, lindore e perëndimore; u kujtoi dëshirën për të vijuar rrugën drejt bashkimit me vëllezërit ortodoksë dhe të konfesioneve të tjera të krishtera dhe i nxiti të tregohen gjithnjë të gatshëm për forcimin e dialogut ekumenik, në mënyrë që të kapërcehen vështirësitë e të bëhet realitet bashkimi i shumëpritur, që do t’i japë botës një dëshmi më të vërtetë të Lajmit të Mirë. Nga ana tjetër Papa siguroi se katolikët do të vijojnë t’i shërbejnë gjithnjë të mirës së përbashkët, sidomos në fushën e arsimit e të edukimit të rinisë me parimet e etikës së krishterë e prej këndej, me frymën e mbrojtjes së dinjitetit themelor të njeriut, që është i krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.