2007-03-30 17:33:14

Papa Forumit të të rinjve: në ekonomi nuk vlen vetëm aftësia për të prodhuar por të jesh dëshmitar i dashurisë së krishterë.


(30.03.2007 RV)RealAudioMP3 Këtë thekson Benedikti XVI në një mesazh drejtuar imzot Stanislau Rilkes, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët, që po drejton në Roka di Papa, pranë Romës, Forumin IX ndërkombëtar të të rinjve me temë: “Dëshmitarë të Krishtit në botën e punës”. Në Forum marrin pjesë 300 të rinj, delegatë të Konferencave ipeshkvnore, të lëvizjeve e të shoqatave të ndryshme ndërkombëtare, ardhur nga mbarë bota.
Në mesazh Papa nënvizon se progresi që është bërë në këtë epokë shndërimesh të vazhdueshme, nga njëra anë ka ngjallur shpresa të mëdha për të rinjtë, por nga ana tjetër ka krijuar edhe forma të reja shqetësuese të përjashtimit e të shfrytëzimit, që kanë si pasojë vuajtje të thella personale. Realiteti tregon se janë shtuar vështirësitë për të gjetur një vend pune, i cili u përgjigjet dëshirave e studimeve të kryera. Për më tepër ndjehet fort dhe pasiguria për ruajtjen e vendit, sado modest, të punës, për një kohë të gjatë. Procesi i globalizimit, që vijon në botë - vërejti Papa - ka sjellë si pasojë lëvizjen e njerëzve, gjë që i detyron shumë të rinj të emigrojnë e të jetojnë larg vendit e familjeve të tyre. E kjo – shtoi Ati i Shenjtë, - e thellon pasigurinë. Kështu të rinjtë nuk mund të bëjnë plane për të ardhmen e aq më pak të mendojnë për t’u martuar e për të formuar familje.
Papa fton të përballohen këto problematika të ndërlikuara e delikate në dritën e Doktrinës shoqërore të Kishës e cila, përmes shumë dokumentash, duke nisur nga Rerum novarum e Leonit XIII më 1891, thekson me forcë nevojën për vlerësimin e përmasës njerëzore të punës dhe për mbrojtjen e dinjitetit të njeriut në rrethanat e liberalizmit ekonomik të kushtëzuar nga presionet e tregut e të konkurrencës. Nuk duhet harruar – shpjegon Benedikti XVI – se puna është pjesë përbërëse e planit të Zotit për njeriun dhe pjesëmarrje në veprën e Tij krijuese. Pastaj çdo lloj pune duhet të jetë burim i zhvillimit të njeriut e të shoqërisë, vend ku lulëzojnë talentet personale, që duhen vlerësuar seriozisht e duhen vënë në shërbim të së mirës së përbashkët me frymën e drejtësisë e të solidaritetit. Nuk vlen vetëm të bëhesh i aftë e prodhues – thekson Benedikti XVI – duhet të jesh edhe dëshmitar i dashurisë e i bamirësisë së krishterë.
Papa i nxit besimtarët ta jetojnë punën si thirrje që vjen nga Zoti e si mision, që ka për qëllim ndërtimin e Mbretërisë së Hyjit. Sot, më shumë se kurrë – lexojmë akoma në mesazh – është e nevojshme dhe urgjente ta shpallim ‘Ungjillin e punës’, të jetojmë si të krishterë në botën e punës e të bëhemi apostuj ndërmjet punëtorëve. Por, për ta realizuar këtë mision, duhet të jemi gjithnjë të bashkuar me Krishtin përmes lutjes dhe jetës së thellë sakramentore, duke vlerësuar për këtë qëllim edhe të Dielën, ditën që i kushtohet Zotit.Në përfundim Papa i inkurajon të rinjtë të mos e humbasin guximin përballë vështirësive dhe i fton në takimin e së dielës së ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit për kremtimin e të Dielës së Larit dhe të Ditës XXII botërore të rinisë, etapë e fundit e përgatitore për Ditën botërore të rinisë që do të mbahet vitin e ardhshëm në Sidnei të Australisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.