2007-03-29 19:12:42

Parlamenti Evropian miraton rezolutën mbi Kosovën.


(29.03.07 RV)Parlamenti Evropian i dha sot mbështetjen e vet planit të Marti Ahtisarit për Kosovën, duke votuar një rezolutë me 490 vota pro, 80 kundër dhe 87 abstenime. “Parlamenti Evropian vë në dukje se vendimi i vetëm i pranueshëm për Kosovën është ai që parashikon praninë ndërkombëtare me qëllim që të ruhet karakteri multietnik i Kosovës”, thuhet në rezolutë. Fjala e përdorur nga parlamentarët për statusin e Kosovës është “sovranitet i mbikqyrur”.
Në fjalimin e tij, Përfaqësuesi i Lartë evropian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Havier Solana, sqaroi se Bashkimi Evropian është gati për dërgimin e dy misioneve në Kosovë, të cilat do të nisin sapo të miratohet rezoluta e re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Nuk mund të dështojmë – u shpreh Solana për dy misionet, atë civil dhe atë policor. Është në lojë stabiliteti i Ballkanit”. Gjithsesi, prania e ardhshme e Bashkimit Evropian nuk ka për qëllim të krijojë një lloj administrate paralele me atë kosovare dhe as të dublojë punën e UNMIK-ut. Ky është misioni më i madh që ka marrë ndonjëherë përsipër Bashkimi Evropian dhe do të synojë përgatitjen e personelit lokal për krijimin e institucioneve autonome, policisë dhe sistemit gjyqësor.
Mbetet problem qëndrimi i Rusisë e ndoshta dhe i Kinës në Këshillin e Sigurimit. Në takimin me kolegun portugez në Moskë, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov deklaroi sot se plani i Ahtisarit është i dënuar të falimentojë nëse nuk do të marrë parasysh si kërkesat serbe, ashtu edhe ato kosovare, duke u dhënë të njëjtën peshë. Gjatë vizitës së sotme në Gjakovë, presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i bëri thirrje Rusisë që të tregohet konstruktive në këtë fazë përfundimtare të përcaktimit të statusit të vendit.







All the contents on this site are copyrighted ©.