2007-03-29 18:58:15

Jeta nuk ka kuptim, në se nuk e gjejmë dashurinë e vërtetë. Kështu u tha Papa të rinjve romakë në liturgjinë pendestare.


(29.03.2007 RV)RealAudioMP3 Sot pasdite, duke nisur nga ora 18.00, Papa Benedikti XVI kryesoi, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, kremtimin pendestar, i rrethuar nga mijëra të rinj të dioqezës së Romës. Ishte një takim parapërgatitor për Pashkë e për Ditën XXII Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet në nivel dioqezan më 1 prillin e ardhshëm, të Dielën e Larit.
Atmosfera kremtore nisi të ndjehej që në orën 17. 30, kur bazilika jehoi nga këngët e koreve rinore.
Pastaj, në orën 18. 00 Benedikti XVI hyri në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku rrëfeu personalisht disa të rinj, ndërsa shumë të tjerë u pajtuan me Zotin duke u gjunjëzuar në rrëfyestoret e shumta të Bazilikës së Vatikanit, ku i prisnin rreth 200 meshtarë.
Pastaj nisi kremtimi, në homelinë e të cilit Papa kujtoi së pari temën e Ditës botërore të rinisë, që s’është tjetër, veçse urdhërimi i ri i Krishtit natën kur po tradhtohej : «Ashtu si ju kam dashur unë, ashtu duajeni edhe ju njëri-tjetrin! » E pikërisht mbi këtë urdhërim u foli Ati i Shenjtë të rinjve.
Çdo njeri, lypës dashurie, ka në zemër etje të pashuar për të dashur – tha Papa - duke shpjeguar pjesën e parë të urdhërimit të Krishtit e në vijim kujtoi Enciklikën e Gjon Palit II Redemptor hominis, në të cilën shkruhet: «Njeriu nuk mund të jetojë pa dashuri. Jeta e tij humbet kuptimin, në se nuk i zbulohet dashuria, në se nuk takohet me dashurinë, në se nuk e provon e nuk e bën të veten, në se nuk merr pjesë plotësisht në të ». E në se njeriu nuk mund të rrojë pa dashuri, aq më pak mund të rrojë i krishteri. Madje në se nuk takohet me dashurinë e vërtetë, as që mund të quhet i krishterë – shpjegoi Benedikti XVI - e më pas citoi Enciklikën e tij ‘Deus Caritas est’: «Në fillim, të qenit i krishterë nuk është një vendim etik ose një ide e madhe, por takimi me një ngjarje, me një Vetje, që i hap jetës një horizont të ri e me të, një drejtim vendimtar. Dashuria e Zotit për ne, e nisur që me krijimin, u bë e dukshme në misterin e Kryqit – tha Papa dhe më pas, duke kujtuar Letrën e Shën Palit drejtuar Filipianëve e njëkohësisht thelbin e Mesazhit të tij për Krezhmët 2007 shpjegoi se Krishti që vdes mbi Kryq është zbulesa më tronditëse e dashurisë së Zotit: tregon njëkohësisht si agape-n e Hyjit, dmth dhuratën e dashurisë që i bën njeriut – ashtu dhe forcën e eros-it hyjnor, dmth dëshirën e Zotit që njeriu ta pranojë dashurinë e tij.
« Po – nënvizoi Ati i Shenjtë - dashuria e Zotit për njeriun, që zbulohet plotësisht në Kryq, mund të përshkruhet me termin ‘agape’, por edhe me termin ‘eros’. Dashuri e kryqëzuar, që nuk ndalet para shkandullit të së premtes së madhe e arrin kulmin në gëzimin e Ngjalljes e të të Ngjiturit në qiell e në dhuratën e Shpirtit Shenjt, Shpirt i dashurisë, përmes të cilit edhe sonte do të falen mëkatet e do të jepet ndjesa e paqja ».
Më pas Ati i Shenjtë kujtoi se, për fat të keq, që nga zanafilla e tij njerëzimi, i joshur nga djallit, ia mbylli zemrën dashurisë së Zotit, duke kujtuar se kështu do të bëhej zot i vetvetes. E megjithëkëtë, në flijimin e kryqit Zoti vijon ta ripropopozojë dashurinë e tij, pasionin e tij për njeriun, duke e lypur dashurinë e krijesës së vet, me atë forcë të pakundërshtueshme që, siç shprehet Pseudo Dionisi, nuk e lë të qetë njeriun e dashuruar, por e shtyn, në mënyrë të pakundërshtueshme të bashkohet me atë që do.
Ishte një parapërgatitje kjo që u bëri Papa të rinjve, para se t’u fliste për atë që ishte zemra e liturgjisë së sotme pendestare, kremtuar në bazilikën e Shën Pjetrit – për Sakramentin e rrëfimit, përmes të cilit çdo njeri mund të provojë dashurinë pa interes të Zotit, i cili bëhet për ne jetë e na hyn në shpirt për të na shëruar nga mëkati e për të na shenjtëruar.
Me pagëzimin ju keni lindur për një jetë të re për virtyt të hirit të Hyjit, por me qenë se kjo jetë e re nuk e zhduk ligështinë e natyrës njerëzore e as prirjen për të mëkatuar, ju është dhënë mundësia të rrëfeheni – u kujtoi Papa të rinjve – dhe në vijim shpjegoi:
« … sa herë ta bëni këtë me fe e devocion, dashuria dhe mëshira e Hyjit e venë në lëvizje zemrën tuaj drejt Krishtit. Atij – theksoi Benedikti XVI - shprehjani dhimbjen për mëkatet e bëra, me dëshirën për të mos mëkatuar më e për ta pranuar me gëzim pendesën e dhënë për shpërblim të dëmit që keni bërë, duke mëkatuar ».
Do të provoni kështu faljen e mëkateve, pajtimin me Kishën, rifitimin e hirit, shpëtimin nga dënimi i amshuar, i merituar me mëkatet mortare, paqen e qetësinë e ndërgjegjes dhe ngushëllimin e shpirtit e do t’ju shumfishohen forcat për luftën e krishterë.
Papa pastaj vijoi me pjesën e dytë të urdhërimit të Zotit, që është edhe pjesa e dytë e temës për Ditën botërore të rinisë : «Duajeni edhe ju njëri-tjetrin » - dhe shpjegoi se Krishti na tërheq nga vetja pikërisht që të mësohemi t’i duam edhe vëllezërit me të njëjtën dashuri. E sot, si gjithnjë, ndjehet fuqimisht nevoja për t’i dashur vëllezërit, familjet, miqtë e edhe ata që ju kanë fyer – porositi Ati i Shenjtë - e në përfundim të homelisë i ftoi të fejuarit ta jetojnë fejesën me dashuri të vërtetë, me respekt reciprok, me pastërti e përgjegjësi, ndërsa gjithë të rinjve të pranishëm në Bazilikën e Shën Pjetrit e atyre që e ndiqnin përmes ekranit e radios, u drejtoi thirrjen:«Të dashur të rinj e të reja, bota pret ndihmesën tuaj për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë. Horizonti i dashurisë është vërtetë i pakufishëm: është mbarë bota ».







All the contents on this site are copyrighted ©.